Prishtinë, 30 qershor 2025 – Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë përfaqësues dhe bazamenti i demokracisë parlamentare. Përmes tij, themelohen institucionet e tjera të vendit dhe garantohen parimet kushtetuese të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve. Prej më shumë se dy muaj e gjysmë, vendi qëndron pa një Kuvend të konstituuar. Ky vakum institucional ka penguar miratimin e ligjeve, mbikëqyrjen demokratike të Qeverisë dhe trajtimin e çështjeve urgjente që prekin jetën e qytetarëve.
𝑨𝒌𝒕𝒈𝒋𝒚𝒌𝒊𝒎𝒊 𝒊 𝑮𝒋𝒚𝒌𝒂𝒕𝒆̈𝒔 𝑲𝒖𝒔𝒉𝒕𝒆𝒕𝒖𝒆𝒔𝒆 𝒓𝒊𝒌𝒕𝒉𝒆𝒏 𝒒𝒂𝒓𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒏𝒆̈ 𝒑𝒓𝒐𝒄𝒆𝒅𝒖𝒓𝒂𝒍𝒆
Në këtë kontekst, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 26 qershor 2025 (rasti KO124/25) ishte një ndërhyrje e domosdoshme për të adresuar paqartësitë procedurale dhe për të përcaktuar qartë kufijtë kushtetues dhe rregullat e konstituimit të Kuvendit. Gjykata ritheksoi se kjo procedurë është e sanksionuar nga Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit, dhe praktikat parlamentare të konsoliduara ndër vite – dhe çdo devijim nga to përbën shkelje të rendit kushtetues.
Gjykata theksoi se partia fituese e zgjedhjeve ka të drejtë të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, por kjo e drejtë nuk është absolute – ajo është e lidhur ngushtë me detyrimin për të ndërtuar shumicë përmes bashkëpunimit me grupet tjera parlamentare.
𝑫𝒆𝒗𝒊𝒋𝒊𝒎𝒆𝒕 𝒆 𝑲𝒓𝒚𝒆𝒔𝒖𝒆𝒔𝒊𝒕 𝒕𝒆̈ 𝒔𝒆𝒂𝒏𝒄𝒆̈𝒔 𝒅𝒉𝒆 𝒊𝒏𝒔𝒕𝒓𝒖𝒎𝒆𝒏𝒕𝒂𝒍𝒊𝒛𝒊𝒎𝒊 𝒑𝒐𝒍𝒊𝒕𝒊𝒌
Takimi i datës 8 prill 2025, i mbajtur mes Kryetarit të Kuvendit të legjislaturës së kaluar dhe përfaqësuesve të partive politike, ka shërbyer si bazë për përgatitjen e seancës konstituive. Ai përcaktoi qartë rendin e ditës dhe nuk parashihte votim të fshehtë. Çdo veprim në kundërshtim me këtë marrëveshje është jokushtetuese, dhe si e tillë përbën shkelje të parimeve të besimit të ndërsjellë dhe të praktikës parlamentare.
Megjithatë, z. Avni Dehari, si Kryesues i seancës, ka devijuar nga rendi i dakorduar, ka shtyrë procedurat, ka propozuar një komision për votim të fshehtë pa bazë ligjore dhe ka lejuar përbërjen e tij pa përfaqësim adekuat të partive të tjera parlamentare. Kjo përbën një ndërhyrje të papranueshme në procedurën e konstituimit të Kuvendit, si dhe është cenuar parimi i përfaqësimit të drejtë parlamentar, duke e shndërruar këtë proces në një veprim njëpartiak dhe jo-konsensual.
Me veprimet e tij, z. Dehari nuk ka qenë një lehtësues i procesit demokratik, por është shndërruar në instrument të bllokadës. Ai ka shkelur parimin e neutralitetit që i kërkohet një kryesuesi të seancës konstituive.
𝑺𝒕𝒂𝒏𝒅𝒂𝒓𝒅𝒆𝒕 𝒅𝒆𝒎𝒐𝒌𝒓𝒂𝒕𝒊𝒌𝒆 𝒏𝒖𝒌 𝒎𝒖𝒏𝒅 𝒕𝒆̈ 𝒏𝒅𝒓𝒚𝒔𝒉𝒐𝒉𝒆𝒏 𝒏𝒋𝒆̈𝒂𝒏𝒔𝒉𝒆̈𝒎
Gjykata Kushtetuese ka theksuar se Kuvendi duhet të përmbyllë procesin e konstituimit brenda afatit 30-ditor. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ishte e qartë se votimi për Kryetarin e Kuvendit duhet të jetë i hapur, ashtu siç ka qenë në çdo seancë tjetër konstituive deri më tash. Përpjekja për të imponuar një votim të fshehtë përmes mjeteve të njëanshme është precedent i papranueshëm dhe cenues i integritetit të procesit.
Për më tepër, krahasimi me votimin për nënkryetarët është i pabazë. Rregullat për nënkryetarët burojnë nga nevoja për përfaqësim politik dhe etnik, ndërsa zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit është akt i vullnetit politik që kërkon konsensus dhe marrëveshje.
Gjykata ka bërë të qartë se si partia fituese, ashtu edhe partitë e tjera duhet të bashkëpunojnë në mirëbesim për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit. Shkelja e këtij parimi është shkelje e frymës së Kushtetutës.
𝑩𝒍𝒍𝒐𝒌𝒂𝒅𝒂 𝒑𝒐 𝒕𝒉𝒆𝒍𝒍𝒐𝒉𝒆𝒕
Më datë 28 qershor 2025, në vazhdimin e seancës konstituive, u shkel qartazi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Përmes instrumentalizimit të Kryesuesit, Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm që po refuzon bashkëpunimin, por po zvarrit qëllimisht procesin për të imponuar një zgjidhje të njëanshme – veprim ky drejtpërdrejt kundërkushtetues.
Janë tashmë 39 tentime të dështuara për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – 39 herë që seanca është kthyer në skenë të manipulimit procedural dhe të interesave të ngushta partiake e personale, për shkak të një qasje obstruksioniste. Deputetëve po u mohohet e drejta për të ushtruar funksionin e tyre, ndërsa qytetarët po mbeten pa përfaqësim funksional.
𝑻𝒉𝒊𝒓𝒓𝒋𝒆 𝒑𝒆̈𝒓 𝒑𝒆̈𝒓𝒈𝒋𝒆𝒈𝒋𝒆̈𝒔𝒊 𝒅𝒉𝒆 𝒓𝒊𝒌𝒕𝒉𝒊𝒎 𝒕𝒆̈ 𝒇𝒖𝒏𝒌𝒔𝒊𝒐𝒏𝒂𝒍𝒊𝒕𝒆𝒕𝒊𝒕
Kuvendi nuk është pronë e askujt. Ai nuk mund të mbahet peng nga vullneti i një subjekti të vetëm politik. Demokracia kërkon funksionim, respekt të procedurave, dhe vullnet për kompromis.
U bëjmë thirrje të gjitha partive politike, e në veçanti partisë fituese, që të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese dhe të mundësojnë zhbllokimin e procesit. Kuvendi duhet të kthehet në funksion – për të miratuar ligje, për të mbikëqyrur qeverinë dhe për të përfaqësuar interesin qytetar.