Publikohet raporti: “Efikasiteti gjyqësor në praktikë dhe të drejtat gjuhësore në sistemin gjyqësor”

Publikohet raporti: “Efikasiteti gjyqësor në praktikë dhe të drejtat gjuhësore në sistemin gjyqësor”

Publikohet raporti: “Efikasiteti gjyqësor në praktikë dhe të drejtat gjuhësore në sistemin gjyqësor”

Prishtinë, 4 qershor 2025 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) organizoi tryezë me rastin e publikimit të raportit: “Efikasiteti gjyqësor në praktikë dhe të drejtat gjuhësore në sistemin gjyqësor”.

Në këtë tryezë morën pjesë Zëvendës Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë – UNMIK, Milbert Dongjoon Shin, Gjyqtari Mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë, Sinisha Borisavljeviq, Gjyqtari në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Përparim Zeka, Zëvendës Avokati i Popullit, Niman Hajdari, Avokati Yll Zekaj, përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Kosovë, përfaqësues të zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, përfaqësues të zyrës së BE-së në Kosovë, të institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe shoqërisë civile.

Hapja e tryezës u bë nga Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj dhe nga Zëvendës Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë – UNMIK, Milbert Dongjoon Shin.

Drejtori Miftaraj tha se ky projekt ka qenë i rëndësishëm i cili është zbatuar nga kolegët e tij të komunitetit serb të cilët punojnë në IKD.

“Në Kosovë mund të bashkëpunohet nëse duam që të arrihen rezultate dhe të kalohen të gjitha barrierat për të funksionuar si vend multietnik”, tha Drejtori Miftaraj.

Zëvendës Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë – UNMIK, Shin, në fjalën e tij ka thënë se gjetjet e raportit duhet të merren parasysh nga të gjithë akterët e sistemit të drejtësisë. “Të merret parasysh nga të gjitha palët në interes. Si jurist kam vërejtur që duhet të përkthehen edhe komentarët në gjuhën serbe”, u shpreh ai.

Gjyqtari Borisavljeviq, në fjalën e tij gjatë tryezës, ka thënë se kushtet e punës duhet të ndryshohen dhe të përmirësohen. Posaçërisht, sipas tij në aspektin që ka komunitete të ndryshme dhe janë njerëz të cilët ndoshta nuk kanë besim në sistemin gjyqësor aq sa duhet. Ai falënderoi IKD-në dhe monitoruesit për punën e bërë.

“Falë jush dhe kontributit tuaj, Këshilli Gjyqësor ka ngritur vetëdijesimin dhe e gjitha kjo ka funksionuar në mënyrën më të mirë. Jo të gjithë palët do të jenë të kënaqura pas mbarimit të një seance gjyqësore, por ne duhet të arrijmë më të mirën e mundshme dhe të jemi në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve”, theksoi ai.

Përparim Zeka, gjyqtar në Gjykatën Themelore të Prishtinë, ka thënë se raporti i IKD-së, trajton një prej çështjeve me themelore dhe me të nënvlerësuara në procesin gjyqësor, të drejtën për përkthim dhe interpretim. Ai shtoi se raporti i publikuar përbën një kontribut konkret, jo vetëm për problemet që kanë të bëjnë me përkthimin dhe interpretimin e seancave dhe dokumenteve, por për të parashtruar pyetjet me të thella rreth barazisë në procedurë.

Niman Hajdari, Zëvendës Avokat i Popullit, tha se përdorimi i gjuhës amtare në procedura gjyqësore është e drejtë që garantohet me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare. Andaj, sipas tij shkelja e kësaj të drejte nuk mund të arsyetohet me mungesë të mjeteve buxhetore.

Ndërsa, Avokati Yll Zekaj tha se ka probleme me gjeneratat e reja nga komuniteti serb, për shkak të numrit të vogël që dalin, qoftë në pjesën e avokatisë, qoftë në pjesën e gjyqësorit apo prokurorisë.

“Ne shohim konkurse të paplotësuara për shkak të barrierave gjyqësore. Ne e shohim që një numër i vogël i tyre kryejnë edhe provimin e jurisprudencës për shkak të këtyre barrierave. Ne vazhdojmë të mos kemi literaturë për përgatitjen e provimit, vazhdojmë të mos kemi trajnime adekuate për përgatitjen e provimit, gjithmonë flas për komunitetin serb. Dhe, kjo pengon hyrjen në profesion”, u shpreh Zekaj.

Raporti u prezantua nga hulumtuesja e lartë në IKD, Arrita Rezniqi, e cila tha se janë monitoruar gjithsej 226 seanca gjyqësore gjatë një periudhe shtatë mujore, duke mundësuar që të identifikohen praktikat procedurale që janë ndjekur në këto raste dhe sfidat që ndikojnë në efikasitetin e procedurave gjyqësore.

Hulumtuesja e IKD-së tha se bazuar në monitorimin e seancave gjyqësore dhe deklarimin e palëve të përfshira, përkthimi i shkresave të lëndës ndonëse terminologjikisht i saktë, nuk ofron gjithnjë informacion të qartë dhe të duhur në aspekt të interpretimit gjuhësor.

“Cilësia e dobët e përkthimit automatikisht ul efektivitetin e të drejtave në procedurë. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që çështjes së përkthimit t’i kushtohet kujdes në mënyrë që të jetë një përkthim cilësor dhe jo vetëm një obligim formal i përmbushur”, shtoi Rezniqi.

Rezniqi po ashtu tha se për dallim nga çështja e shkresave të lëndës, monitorimi ka gjetur se nevoja për të siguruar përkthim ose interpretim gjatë seancave gjyqësore nuk ka qenë faktor pengues. Që do të thotë se në të gjitha rastet e monitoruara në Departamentin Special janë siguruar përkthyes, duke mundësuar zhvillimin normal të procedurave, pavarësisht dallimeve gjuhësore.

Duke përmendur se sfidat në përkthim në sistemin gjyqësor në Kosovë vijnë si rezultat i një kombinimi faktorësh, ndër të cilët theksohet veçanërisht mungesa e buxhetit dhe ajo e kapaciteteve profesionale, Rezniqi po ashtu tha se “ka nevojë që kjo çështje të adresohet në mënyrë të qëndrueshme, për çka është e nevojshme të krijohet një strategji afatgjatë që përfshin rritjen e investimeve në përkthim juridik, ngritjen e kapaciteteve profesionale për të rinjtë në këtë fushë, si dhe integrimin e gjuhës serbe në trajnimet për administratën dhe sistemin gjyqësor”.

Raporti “Efikasiteti gjyqësor në praktikë dhe të drejtat gjuhësore në sistemin gjyqësor”, përmban analizën e rasteve të monitoruara në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Departamentin e Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë.

Raportin e publikuar e gjeni në këtë link.