Projektligji për gjykim të arsyeshëm përtej qëllimit legjitim rrezikon që të krijoj kaos në gjyqësor

Projektligji për gjykim të arsyeshëm përtej qëllimit legjitim rrezikon që të krijoj kaos në gjyqësor

Projektligji për gjykim të arsyeshëm përtej qëllimit legjitim rrezikon që të krijoj kaos në gjyqësor

Prishtinë, 28 qershor 2024 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Sundimit të Ligjit (INL) – Departamenti i Shtetit Amerikan dhe të National Endowment for Democracy (NED), sot ka publikuar raportin “Gjykimi brenda afatit të arsyeshëm”, (Problemet kushtetuese të Projektligjit për Realizimin e të Drejtës për Gjykim brenda një Afati të Arsyeshëm Kohor).

Përkundër qëllimit legjitim të Projektligjit për të adresuar çështjen e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm kohor, përmbajtja e Projektligjit nuk e adreson këtë çështje.

Madje, ky Projektligj, me këtë përmbajtje, rrezikon që më tepër të krijoj kaos në sistemin gjyqësor.

Sipas Hulumtuesit të lartë i IKD-së, Gzim Shala, Projektligji që synon të rregullojë të drejtën për qytetarët për një gjykim në kohë të arsyeshme ka shumë probleme.

Ai tha se në gjykatat Themelore mbetën 112 mijë e 623 lëndë të pazgjidhura.

Sipas tij, një kohëzgjatje jo e arsyeshme cenon një prej kompetenteve kyçe të gjykimit të drejtë, e që është gjykimi brenda një afati të arsyeshëm kohor, për të cilën tha se IKD në vazhdimësi ka ngritur si shqetësim.

Shala tha se deri tani janë ndërmarrë reforma të rëndësishme për të adresuar këtë problem, dhe shtoi se e drejta për gjykim në kohë të arsyeshme ka vazhduar të shkelet, madje në mënyrë sistematike.

Ai tha se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), thekson se, adresimi më adekuat i shkeljes së gjykimit brenda një afati të arsyeshëm kohor, është parandalimi.

GjEDNj thekson se aty ku sistemi gjyqësor është i mangët në këtë drejtim, zgjidhja më efektive është një mjet juridik i krijuar për të përshpejtuar procedurat në mënyrë që të parandalohen që ato të zgjasin tepër”, deklaroi Shala.

Sipas tij, nuk mund të merren modele nga vendet që nuk e kanë të theksuar këtë problem, për sistemet që e kanë pothuajse standard ku gjykimet janë shumë të gjata.

Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të ndërmarrë masa për ta kthyer gjyqësorin në binarë. Kuptohet, masat në asnjë rrethanë nuk duhet të tejkalojnë kompetencat e Qeverisë dhe të ndërhyjnë në punën e institucioneve të sistemit të drejtësisë”, tha Shala, duke shtuar që Qeveria së pari duhet të respektojë obligimet që ka.

Shala tha se neni 5 i Projektligjit ka përcaktuar se në gjykimin në shkallën e parë, përfundimi i procesit të kryhet brenda tre viteve nga fillimi i tij, në shkallë të dytë brenda 2 dhe në hetimin e veprave penale vlen afati maksimal i paraparë në Kodin e Procedurës Penale.

Sipas Shalës, përcaktimi i këtyre afateve si kritere për përllogaritjen e afatit të arsyeshëm kohor, është në kundërshtim të hapur me standardet e vendosura nga GjEDNj në lidhje me gjykimin brenda një afati të arsyeshëm kohor.

Po ashtu, Shala tha se caktimi i afatit që një çështje të kryhet brenda pesë viteve në shkallë të parë dhe të dytë nuk është afat i arsyeshëm kohor, pasi në Ligjin për Procedurën Kontestimore dhe Kodin e Procedurës Penale, afatet janë shumë më të shkurta. Duke shtuar se ka mundësi që ky “dështim” të ketë ardhur si rezultat i rrethanave objektive, për shembull mbingarkesës së tij me lëndë, kompleksitetit të çështjes, mospërgjigjes adekuate nga ana e institucioneve të tjera, e rrethana tjera.

Hulumtuesi i Lartë u shpreh se edhe neni 19 i cili përcakton se “1. Për të vendosur mbi padinë për kompensim të dëmit lidhur me shkeljen për gjykim të arsyeshëm është Gjykata Supreme”, e që sipas tij trajtimi i këtyre rasteve rrezikon të shkatërrojë Gjykatën Supreme.

Veç kësaj, Shala theksoi edhe një cenim tjetër në Projektligj, e që është moslejim i ankesës ndaj vendimit të Kryetarit të Gjykatës.

Në anën tjetër Flamur Kabashi, Hulumtues i Institutit të Kosovës për Drejtësi tha se Projektligji nuk përcakton situatë praktike në rastet kur afati prej 120 ditëve nuk është i mjaftueshëm.

Kabashi gjithashtu theksoi se kushtëzimi procedural për kompensim të dëmit për shkak të shkeljes së gjykimit brenda afatit kohor, rasteve ju krijon hapësirë të administrohen.

Kushtëzimi procedural për kompensimin e dëmit për shkak të shkeljes së gjykimit brenda një afati të arsyeshëm kohor me kërkesën për përshpejtimin e procedurës, lë të amnistuara rastet kur kjo e drejtë është shkelur, por gjyqtari nuk ka kërkuar përshpejtim të procedurës”, tha gjithashtu Kabashi.

Sipas Kabashit, Kolegji prej tre gjyqtarëve të Gjykatës Supreme nuk mund të konsiderohet zgjidhje adekuate, pasi që, ai thotë se në këto raste tre gjyqtarët janë vartës të kryetarit të kësaj gjykate.

Kolegji prej tre gjyqtarëve të Gjykatës Supreme nuk mund të konsiderohet zgjidhje adekuate për këtë situatë. Kjo pasi të tre gjyqtarët e Gjykatës Supreme në këtë rast janë vartës të Kryetarit të kësaj Gjykate. Kjo zgjidhje, sikurse nuk është aplikuar në raport me Kryetarin e Gjykatës Themelore, nuk mund të aplikohet as në raport me Kryetarin e Gjykatës Supreme”, shtoi ai.

IKD gjatë kësaj konferencë për media dhe në raport i ka rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë që të bëjë rishikimin e dispozitave ligjore.

Raportin e publikuar mund ta gjeni në këtë link: