Prishtinë, 23 qershor 2022 – Në Gjykatën Themelore të Prishtinës të enjten është mbajtur aktiviteti përmbyllës i programit të Klinikës Ligjore që zhvillohet në kuadër të Qendrës për Edukim Profesional të IKD-së.
Ky aktivitet filloi me një fjalë hyrëse nga znj. Arrita Rezniqi, Menaxhere e Programit në IKD, e cila falënderoi UNMIK-un dhe Përfaqësuesen Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm dhe Kryesuesen e UNMIK-ut, znj. Caroline Ziadeh, për përkrahjen e vazhdueshme në realizimin e këtij programi të dedikuar për studentët.
Rezniqi tregoi se çfarë aktivitete janë zhvilluar deri më tani me studentët pjesëmarrës, duke përmendur monitorimin e seancave gjyqësore, vizitat nëpër institucione të ndryshme të drejtësisë, trajnimet e ofruara për studentët, pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të studentëve në ofrimin e ndihmës juridike falas në Qendrën për Ndihmë Juridike falas të IKD-së, e po ashtu edhe angazhimin për ndërtimin e rastit të gjykimit të simuluar.
Në emër të IKD-së, Rezniqi po ashtu e falënderoi kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë, znj. Albina Shabani – Rama, për gatishmërinë e saj për bashkëpunim, veçanërisht në organizimet të cilat përfshijnë studentët, juristë të rinj.
Në anën tjetër, Kryetarja e Gjykatës, znj. Shabani – Rama përshëndeti organizimin e këtij aktiviteti, si një mundësi e mirë që i jepet studentëve për të praktikuar pjesën teorike. Kryetarja Shabani – Rama edhe një herë shprehi gatishmërinë e saj për përkrahjen e aktiviteteve të tilla.
“Unë gjithmonë jam e gatshme për të vazhduar me aktivitete të tilla, për të ju mbështetur dhe përkrahur, sepse unë jam gjithmonë në përkrahje të të rinjve”, tha gjatë fjalimit të saj Kryetarja Shabani – Rama.
Më pas studentët pjesëmarrës shfaqën gjithçka që kanë praktikuar përgjatë muajve të angazhimit në Klinikën Ligjore të IKD-së, duke prezantuar kështu rastin e ndërtuar nga vetë ata.
Ndërsa, Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Kryesuesja e UNMIK-ut, znj. Caroline Ziadeh tha se është privilegj për të që merr pjesë në këtë aktivitet që shënon rezultatin e një bashkëpunimi shumë të frytshëm me IKD-në, si një nga organizatat lidere në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
“Është një kohë e jashtëzakonshme dhe emocionuese të jesh jurist. Por kjo vjen me përgjegjësi të madhe – ju jeni kujdestar i sundimit të ligjit. Ndjekja e drejtësisë dhe misioni për sundim të ligjit dhe të drejta të njeriut nuk kanë qenë kurrë më të rëndësishme për shoqëritë tona, veçanërisht këtu. Më lejoni të shpreh përkushtimin e UNMIK-ut për të mbështetur sistemin e drejtësisë përmes Qendrës për Ndihmë Juridike falas të IKD-së dhe Klinikës Ligjore të IKD-së, në dobi të atyre në nevojë”, tha ndër të tjera Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Kryesuesja e UNMIK-ut, znj. Ziadeh.
Në fund, studentët pjesëmarrës u pajisën me certifikata për pjesëmarrje të suksesshme në programin e Klinikës Ligjore të IKD-së.
Paraprakisht, studentët pjesëmarrës kanë qenë pjesë e aktiviteteve të tjera si: programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesi i monitorimit, vizitat në institucione të ndryshme të sistemit të drejtësisë, si dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.
Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.