Juristët e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) të hënën u takuan në Komunën e Fushë Kosovës me qytetarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Këto takime ishin pjesë e hulumtimit të përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Drejtësi rreth problemeve me të cilat ballafaqohen pjesëtarët e këtyre komuniteteve, me qëllim të përfshirjes së nevojave dhe interesave të tyre në politikëbërje.
Gjithashtu, në këto takime këta qytetarë u informuan për të drejtat e tyre ligjore në fusha të caktuara dhe për çdo pyetje të natyrës juridike që parashtruan.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Projektit “Avancimi i të drejtave dhe lirive të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian,” mbështetur nga Këshilli Danez për Refugjatë (DRC).