Procesi legjislativ në Kosovë dhe harmonizimi i ligjeve me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese

Procesi legjislativ në Kosovë dhe harmonizimi i ligjeve me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese

Procesi legjislativ në Kosovë dhe harmonizimi i ligjeve me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese

Prishtinë, 4 nëntor 2024 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në vazhdën e trajnimeve, të hënen ka mbajtur trajnimin e radhës me studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së, me temën: “Procesi legjislativ në Kosovë – Hartimi i ligjeve në pajtim me Kushtetutën dhe Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese”.

Studentët, fillimisht u njoftuan për bazën kushtetuese dhe ligjore të palëve që mund të inicojnë projektligje. Më tutje, studentët bashkëbiseduan me trajnerwt Naim Jakaj dhe Melos Kolshi për dispozitat kushtetuese që u japin të drejtë organeve të caktura dhe qytetarëve të ndërmarrin nisma legjislative. Bashkëbisedimi u përqendrua tek Ligji për Nisma Legjislative dhe tek Rregullorja e Kuvendit të Kosovës. Studentët u njoftuan edhe me Ligjin për Qeverinë dhe Udhëzimin Administrativ për standardet e hartimit të akteve normative.

Gjatë ligjeratës studentët demonstruan një interaktivitet të lartë, duke diskutuar dhe kontribuar në analizën e bazës kushtetuese dhe ligjore që përcaktohet se kush mund të iniciojë projektligje.

Trajnerët, Naim Jakaj dhe Melos Kolshi, udhëhoqën një bisedë gjithëpërfshirëse mbi dispozitat kushtetuese dhe ligjore që autorizojnë organet e caktuara dhe qytetarët të ndërmarrin nisma legjislative.

Ligjërata gjithashtu ngërtheu parimet themelore të procesit legjislativ, duke përfshirë parimet kushtetuese që duhen respektuar në miratimin e ligjeve në Kuvendin e Kosovës. Këto ligje duhet të jenë në përputhje me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare të zbatueshme direkt në Kosovë, të jenë pa elemente diskriminuese dhe të shërbejnë për interesin e përgjithshëm të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Në ligjëratë u shfaqën edhe dy dokumentarë që përforcuan temat e trajtuara: një dokumentar për nismat legjislative të mbështetura nga IKD dhe një tjetër për zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Paga, duke u thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë ligj ende nuk po respektohet, duke cenuar të drejtat e rreth 80,000 shërbyesve civilë. Poashtu u zhvillua edhe diskutim në lidhje me pasojat e mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, si instanca më e lartë në vend.

Pjesa e ligjëratës përfshiu gjithashtu një prezantim mbi procedurat e brendshme parlamentare për shqyrtimin e projektligjeve dhe ndryshimet e reja ligjore për shqyrtimin e buxhetit vjetor në komisionet funksionale të Kuvendit të Kosovës. Trajnerët poashtu prezantuan para studentëve edhe Doracakun për Nisma Legjislative, i publikuar në shtator 2023 nga IKD dhe Forumi për Transparencë Parlamentare me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, për të ndihmuar qytetarët në nisjen e nismave të tyre legjislative e poashtu ndikimin e tij.

Në kuadër të Klinikës Ligjore të IKD-së, studentët janë përfshirë në ligjerata për ngritjen e njohurive profesionale, monitorimin, vizitat në institucione të drejtësisë dhe asistimin në ofrimin e ndihmës juridike falas përmes Qendrës për Ndihmë Juridike të IKD-së.

Aktiviteti është mbajtur në kuadër të Programit për Qeverisje të Mirë me mbështetje nga ana e Rockefeller Brothers Fund  dhe zhvillohet në kuadër të programit të Klinikës Ligjore të Qendrës për Edukim Profesional të IKD-së që financohet nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).