10 Gusht 2011 – Problemet në procesin e riemërimit dhe emërimit kanë nisur nga fillimi jo i mbarë, pasi kanë munguar ligjet themelore për të zhvilluar një proces të suksesshëm dhe me rëndësi kaq të madhe. Procesi ka nisur me mungesën e katër ligjeve themelore siç ishin: Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ligjin për Prokurorin e Shtetit, Ligji për Gjykatat dhe Ligji për Prokuroritë.
Gjithashtu, kanë munguar një sërë çështjesh tjera që nuk janë rregulluar me akte përcjellëse juridike, siç janë kriteret e qarta të emërimit dhe riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve, si dhe përcaktimin e përvojës juridike që kanë ndikuar dukshëm në dëmtimin e këtij procesi.
Gabim i kushtueshëm ishte testi i etikës me karakter eliminues, që kishte demotivuar gjykatësit dhe prokurorët që kishin dështuar, të cilëve iu ishte lejuar të vazhdonin punën deri në përfundim të procesit. Kjo kishte pasur ndikim negativ, pasi të pamotivuar, ata e kishin kryer punën shkel e shko dhe në raste të caktuar kishin kryer lëndë të cilat i bëjnë ata të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Gjykatësit dhe prokurorët pavarësisht proceseve nëpër të cilat kalojnë, duhet t’i përgjigjen detyrimeve ligjore që dalin për kryerjen e punëve me efikasitet. Hulumtimi tregon se janë evidentuar raste të keqpërdorimeve siç janë moskryerja e lëndëve gjatë kohës sa kanë ushtruar funksionin e gjykatësit apo prokurorit, apo kryerja e lëndëve në numër shumë më të madh sesa ata kanë kryer zakonisht.
Tërë kjo vjen si pasojë e mungesës së mekanizmave të kontrollit të punës, që do duhej të përcillnin mbarëvajtjen e punëve dhe zgjidhjen e lëndëve siç përcaktohet me dispozitat ligjore. Presidenti i Republikës së Kosovës ka bërë ndërhyrje politike në procesin e riemërimit dhe emërimit të gjykatësve dhe prokurorëve. Me rastin e dekretimit të gjykatësve dhe prokurorëve, presidenti i vendit nga lista e të propozuarve të KGJK-së për emërim ka hequr kandidatë të caktuar, pa dhënë asnjë arsyetim siç kërkohet me ligj në mekanizmin e vetëm që bën propozimet për emërime në KGJK. Presidenti ka të drejtë të kthejë kandidatët e caktuar, por assesi nuk ka të drejtë që këtë ta bëjë pa dhënë arsyetimin e duhur në Këshillin Gjyqësor, i cili më pas mund të shfrytëzoj të drejtat për ta bërë prapë propozimin e atij kandidati apo ta propozojë ndonjë kandidat tjetër, siç përcaktohet me ligj.
Ndërhyrjet e tilla politike, të theksuara edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Europian përveç dëmtimit të procesit lënë hije të keqe për tërë procesin. Qëndrimi i KGJK-së ka qenë tejet oportunist në raport me institucionin e presidentit me rastin e mosemërimit të katër kandidatëve të theksuar në raport. KGJK ka heshtur ndikimin politik të Presidentit të Republikës, përkundër faktit se nuk ka marrë asnjë arsyetim me shkrim se përse kandidatët që ka propozuar nuk janë dekretuar.
Procesi i riemërimit dhe emërimit të gjykatësve dhe prokurorëve patjetër se është dashur të përfshijë filtrimin e stafit mbështetës të gjykatave dhe prokurorive. Fundi i këtij procesi ka riemëruar rreth 40 për qind të gjykatësve dhe prokurorëve, ndërsa 60 për qind janë të rinj. Kjo tregon se pjesa më e madhe që janë 60 për qind të gjykatësve dhe prokurorëve, në një apo tjetër mënyrë nuk kanë qenë të denjë për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë në vend. Por, sa mund të jenë të denjë 60 për qind e stafit mbështetës të gjykatësve dhe prokurorëve që nuk janë riemëruar, kjo është çështja që duhet ngritur tash. Stafi i gjykatave dhe prokurorive është dëshmuar në raste të caktuara se ka qenë përkrahës në veprimtaritë e ndryshme të paligjshme të gjykatësve apo prokurorëve. Ndërsa, siç u pa roli i tyre është tejet i madh në të gjitha proceset gjyqësore dhe prokuroriale, pasi ata janë pjesë e pandashme në punën e përditshme të gjykatësve dhe prokurorëve. Prandaj, ata do duhej të riemëroheshin në një proces të ngjashëm sikurse eprorët e tyre.