Përfaqësuesit e IKD-së avokojnë për zbatimin e rekomandimeve tek Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit

Përfaqësuesit e IKD-së avokojnë për zbatimin e rekomandimeve tek Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit

Përfaqësuesit e IKD-së avokojnë për zbatimin e rekomandimeve tek Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit

Prishtinë, 22 nëntor 2019 – Përfaqësuesit e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) Betim Musliu dhe Yll Zekaj, të hënën, kanë takuar Drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, me qëllim që t’ia dorëzojnë raportet e monitorimit dhe hulumtimit sistematik të sistemit të drejtësisë në vend si dhe për të avokuar për zbatimin e rekomandimeve të IKD-së. “Në kuadër të bashkëpunimit me Agjencinë Kundër Korrupsionit, kemi zhvilluar një takim të dobishëm me Drejtorin Shaip Havolli, të cilit ja kemi dorëzuar në kopje fizike raportet e IKD-së të publikuara gjatë vitit 2019. Gjatë takimit kemi diskutuar gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet kryesore të këtyre raporteve të IKD-së, për të cilat kemi marrë zotimin e kreut të Agjencisë, se do të shqyrtohen seriozisht për t’i zbatuar Agjencia Kundër Korrupsionit në kuadër të mandatit të saj”, tha Betim Musliu, zëvendës drejtor ekzekutiv i IKD-së.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, ka vlerësuar punën e IKD-së në monitorimin dhe hulumtimin e temave me rëndësi në fushën e drejtësisë dhe policisë, të cilat sipas tij, pasqyrojnë gjendjen aktuale të funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë në vend. “Ne si AKK me IKD-në kemi një bashkëpunim të ngushtë në kuptim të angazhimit profesional. Monitorimi dhe hulumtimi i IKD-së vazhdimisht ka shërbyer që të skanohet sa më mirë realiteti i funksionimit dhe rezultateve të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë”, tha Havolli.

Drejtori Havolli, theksoi se ai dhe Agjencia Kundër Korrupsionit vazhdimisht kanë shqyrtuar me prioritet gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet që kanë dalë nga raportet e IKD-së për të përmirësuar performancën e institucioneve të drejtësisë, sigurisë he agjencioneve të pavarura. “IKD ka dëshmuar se kritikat i bazon në hulumtime të pavarura dhe profesionale, prandaj si të tilla ato medoemos pranohen nga ne sepse përmes tyre dhe rekomandimeve konkrete na ndihmojnë neve si Agjenci Kundër Korrupsionit që të ndërmarrin veprime konkrete për të përmirësuar efikasitetin dhe efektivitetin e shërbimeve tona në kuadër të mandatit tonë për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, konfliktit të interesit, deklarimit të pasurisë dhe tani për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve.”

IKD në vazhdimësi ka avokuar tek të gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë, duke dërguar të gjitha raportet me gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet konkrete si dhe duke takuar zyrtarët përgjegjës në të gjitha institucionet me rëndësi për të shtyrë përpara politikat që rritin efikasitetin dhe efektivitetin e punës së sistemit të drejtësisë, sigurisë dhe agjencive të pavarura të zbatimit të ligjit, për të mundësuar realizimin e të drejtave të qytetarëve dhe qasjen e tyre në drejtësi.