PËR KATËR MUAJ PROKURORËT NGRISIN 83 AKTAKUZA KUNDËR 196 PERSONAVE PËR KORRUPSION

PËR KATËR MUAJ PROKURORËT NGRISIN 83 AKTAKUZA KUNDËR 196 PERSONAVE PËR KORRUPSION

Prishtinë, 14 mars 2014 – Sipas të dhënave të Këshillit Prokurorial të Kosovës, prej hyrjes në fuqi të  Planit të Veprimit për Rritjen e Efikasitetit në Luftimin e Korrupsionit (4 nëntor 2013) deri më 31 dhjetor 2013, Prokuroritë Themelore dhe Prokuroria Speciale e Kosovës kanë regjistruar 973 raste me 2470 persona për veprat penale të korrupsionit.

Pasi që janë konstatuar mospërputhje të të dhënave statistikore të regjistruara në bazën e të dhënave në Mekanizmin përcjellës dhe të dhënave të raportuara nga ana e Prokurorive Themelore dhe Prokurorisë Speciale tek Koordinatorja Nacionale, Prokurori i Shtetit, ka marrë vendim që themelohet një Komision për mbikëqyrje dhe verifikim të  dhënave statistikore të lëndëve të korrupsionit.

Pas harmonizimit të statistikave është evidentuar që Agjencia Kundër Korrupsion ka parashtruar 29 raste ndaj zyrtarëve të ndryshëm për mos deklarim apo deklarim të rremë të pasurisë, neni 437 i KPK-së, nga të cilat raste janë ngritur 27 aktakuza.

Për katër muaj, prej hyrjes në fuqi të Planit të Veprimit (4 nëntor 2013) deri në fund të shkurtit 2014, Prokuroritë Themelore dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kanë ngritur 83 aktakuza kundër 196 personave.

–          Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur 9 akuza me 18 persona;

–          Prokuroria Themelore në Pejë  ka ngritur 14 akuza me 20 persona;

–          Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur 17 akuza me 38 persona;

–          Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur 13 akuza me 13 persona;

–          Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur 15 akuza  me 38 persona;

–          Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur 6 akuza me 6 persona;

–          Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur 8 akuza me 50 persona dhe

–          Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur 1 akuzë me 13 persona.

Funksionet e personave të akuzuar janë të ndryshme dhe përfshinë zyrtarë nga të gjitha institucionet. 9 persona të akuzuar janë zyrtar të agjencisë, 8 zyrtarë nga Policia e Kosovës, 6 zyrtarë nga Institucionet publike shëndetësore, 4 zyrtarë nga Administrata Tatimore e Kosovës. Qeveri dhe nivel lokal janë akuzuar 1 kryetar komune, 2 nënkryetarë, 2 drejtor, 3 këshilltar komunal dhe 5 zyrtar komunal në marrëdhënie kontraktuale me komunën. Nga sistemi Gjyqësor dhe Prokurorial janë akuzuar 1 prokuror, 1 gjyqtar, 6 avokatë, 3 zyrtarë të administratës, 2 juristë. Po ashtu 3 akuza janë ngritur për zyrtar të ndërmarrjeve publike, 14 për persona privat, 114 persona nga kompanitë private dhe 4 mjekë.

PSRK ka ngritur një akuzë  me 13 persona, rast i korrupsionit të nivelit të lartë ku përfshihen ish-gjyqtarë, avokat, mjek, dhe përfaqësues të kompanive të sigurimeve.