NË PRISHTINË U MBAJT TRYEZË DISKUTIMI LIDHUR ME DREJTËSINË NË ZGJEDHJET E 3 NËNTORIT 2013

NË PRISHTINË U MBAJT TRYEZË DISKUTIMI LIDHUR ME DREJTËSINË NË ZGJEDHJET E 3 NËNTORIT 2013

Tryeza e diskutimit “Drejtësia në Zgjedhjet e 3 nëntorit” u mbajt sot në Prishtinë, e cila u organizua nga Prokurori i Shtetit  në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Drejtësi. 

Koordinatorja Nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, znj. Laura Pula, tha se këtë herë roli i Prokurorit të Shtetit është shumë proaktiv, pasi është nënshkruar memorandum bashkëpunimi dhe janë krijuar Procedurat Standarde të Veprimit dhe janë caktuar 50 prokurorë në të gjithë territorin e Kosovës që së bashku me hetues nga Policia e Kosovës do të kooperojnë për të luftuar çdo lloj veprimtarie që biesh ndesh me veprat penale kundër të drejtave të votimit. Prokurorja Pula theksoi se parimi kryesor që del nga Procedurat Standarde të Veprimit është ndalim/arrestimi i të gjithë personave, të cilët në një apo mënyrë tjetër do të veprojnë kundër të drejtave të votimit. Prokurorja Pula shtoi se prokurorët do të reagojnë dhe do të kërkojnë arrestimin e personave edhe në rastet kur kryhen veprat penale kundër të drejtave të votimit dhe nuk lajmërohen nga përgjegjësit që duhet ta bëjnë këtë, si dhe do të ndalohen të gjithë personat që bombardojnë opinionin publik me informata të rrejshme, të cilat informata krijojnë opinion të gabuar për qëllime të caktuara.