Në konferencën virtuale të organizuar nga QNJ-IKD dhe FSPIMK, kritikohet qasja e institucioneve të Kosovës ndaj të drejtave të pensionistëve

Në konferencën virtuale të organizuar nga QNJ-IKD dhe FSPIMK, kritikohet qasja e institucioneve të Kosovës ndaj të drejtave të pensionistëve

Në konferencën virtuale të organizuar nga QNJ-IKD dhe FSPIMK, kritikohet qasja e institucioneve të Kosovës ndaj të drejtave të pensionistëve

Prishtinë, 27 janar 2021 – Qendra për Ndihmë Juridike e Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ-IKD), në bashkëpunim me Federatën Sindikale të Pensionistëve, Invalidëve dhe të Moshuarve të Kosovës (FSPIMK), të mërkurën, ka organizuar konferencën virtuale me temën “Sfidat ligjore të pensionistëve në Kosovë”.

Përmes kësaj konference virtuale, QNJ-IKD dhe FSPIMK kanë synuar sensibilizimin e faktorit politik dhe opinionit publik lidhur me sfidat ligjore me të cilat përballen pensionistët, invalidët dhe të moshuarit në Kosovë. Njëkohësisht, janë adresuar edhe sfidat ligjore më të cilat përballen pensionistët në Kosovë, duke përfshirë edhe pamundësinë e realizimit të pensioneve nga Fondi Pensional i Kosovës, i cili që nga viti 1999 mbahet në mënyrë joligjore në Serbi.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin drejtori ekzekutiv i IKD-së z. Ehat Miftaraj, koordinatori i Qendrës për Ndihmë Juridike të IKD z. Yll Zekaj, kryetari i Sindikatës së Pensionistëve, Invalidëve dhe të Moshuarve të Kosovës z. Sylejman Meta, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, përfaqësuesja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) znj. Teuta Haxhiu dhe bashkëpunëtorë të tjerë nga Sindikata e Pensionistëve, Invalidëve dhe të Moshuarve të Kosovës.

Koordinatori i Qendrës për Ndihmë Juridike Falas të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Yll Zekaj, gjatë kësaj konference deklaroi se kjo Qendër do t’i adresojë në mënyrë profesionale të gjitha problemet ligjore që pensionistët mund të kenë në të ardhmen.

“Ne si Institut i Kosovës për Drejtësi, përkatësisht Qendra për Ndihmë Juridike Falas e IKD-së zotohet se me çdo rast kurdo që pensionistet kanë problem ligjore që mund të jenë të natyrës penale, civile, administrative dhe natyrave tjera, duke mos pasur nevojë që të bazohen në solidaritetin familjar e cila është një vlerë e shoqërisë tonë, të na adresohen në QNJ të IKD-së dhe ne me stafin profesional të Qendrës do t’i adresojmë të gjitha një nga një, qoftë ato të adresuara nga vet sindikata e cila përfaqëson interesat e pensionistëve, qoftë dhe pensionistet ne mënyrë individuale duke u ofruar te ne për të kërkuar ndihmë juridike, për problemet të cilat mund t’i kenë në të ardhmen”, tha Zekaj.

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka kritikuar qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj të drejtave të pensionistëve. Ai po ashtu shtoi se duke marrë parasysh se tashmë ka një rast të gjykuar nga Gjykata Evropiane për Drejtat e Njeriut, i njohur si “Rasti Grudiq”, me të cilin shtetas të Kosovës kanë fituar të drejtën për pensionet e kontributeve të tyre të dhëna në ish-Jugosllavi, institucionet kosovare nuk e kanë shfrytëzuar këtë vendim, në mënyrë që ky vendim të aplikohet edhe te shumë pensionistë të tjerë të Kosovës.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi po ashtu gjatë vitit 2019 ka pasur disa takime me Institucionin e Avokatit të Popullit, me z. Meta, me kategori tjetër të pensionistëve, përmes të cilave jemi munduar të kuptojmë sesi t’ju ndihmojmë për t’i realizuar të drejtat e tyre që dalin nga një vendim i Gjykatës Evropiane për Drejtat e Njeriut. Ku e kemi pasur një kosovar që e ka fituar rastin dhe e ka obliguar në një farë mënyre Serbinë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesave të pensionistëve kosovarë, për kontributet që kanë dhënë do me thënë para luftës, në një shumë përafërsisht prej dy miliard euro të cilat pensionistët apo kosovarët kanë dhënë kontribute pensionale në Serbi, e të cilat fatkeqësisht nuk kemi munduar asnjëherë t’i realizojmë dhe këtu prapë duhet të them se kjo ka qenë si neglizhencë e institucioneve tona, të cilët nuk e kanë marrë shumë seriozisht këtë çështje”, tha Miftaraj.

Përpos kësaj çështje, Miftaraj po ashtu tha se nga monitorimi i IKD-së në të gjitha gjykatat e Kosovës, është duke u vërejtur se është bërë një praktikë që komunat nuk janë duke bërë zbatimin e Kontratës Kolektive, duke mos ndarë buxhet për pensionistët të cilët kanë të drejtë në tri paga jubilare dhe ato të daljes në pension dhe këta pensionist, këtë të drejtë e fitojnë pas shumë procedurave gjyqësore.

Kryetari i Sindikatës së Pensionistëve, Invalidëve dhe të Moshuarve të Kosovës, Sylejman Meta, ka kritikuar të gjitha subjektet politike për mos adresim të interesave të pensionistëve në mënyrën më të mirë të duhur. Ai po ashtu tha se mos interesimi i partive politike për pensionistët vërehet edhe nga mos pjesëmarrja partive politike në këtë konferencë, pavarësisht se të gjithë ata kanë pasur ftesa që të paraqitën në këtë konferencë.

“Shprehi keqardhje për ata që nuk janë bashkëngjitë në këtë konferencë, pasi fati i pensionistëve është në gjendje shumë të keqe, por papërgjegjësia e institucioneve ka ngelë dhe jemi në situatën që jemi. Të moshuarit janë në gjendjen me të keqe nga të gjitha shtresat në Kosovë”, tha Meta.

Ai shtoi se Ligji për skemat pensionale të Kosovës, i cili tha se është marrë si shembull nga shteti i Kilit, sipas tij, përpos që është ligji më i keq në rajon dhe Evropë, është shumë diskriminues për pensionistët pasi sipas tij të gjithë të larguarit nga puna në masat e dhunshme nga ish-Jugosllavia, nuk iu njihet stazhi i punës, ndërsa ata që në atë kohë janë punësuar, i marrin ato pensione.

“Gjatë hartimit të ligjit për skemat pensionale e kemi parë që është ligj diskriminues, ne kemi parë që marrin pensione ata që i ka punësu Serbia, ndërsa të dëbuarit nga puna në masat e dhunshme nuk i njihet stazhi i punës. Ne se kemi marrë me mend se do të përjashtohen të gjitha titujt akademik, magjistarë, doktor i shkencës dhe kur del në pension nuk i njihet kualifikimi, por ai ligj është marrë nga Kili si shtet eksperimental, kurse janë lënë anash të gjitha shtetet e rajonit dhe Evropës dhe është ligji më i keq në rajon dhe Evropë, andaj është në këtë gjendje”, tha ai.

Nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga kjo parti, Teuta Haxhiu, tha se shteti dhe kuvendi duhet të kërkojnë falje për diskriminimin ligjor ndaj kategorisë së pensionistëve. Ajo gjithashtu ka shprehur mos pajtimin e saj me faktin që Ligji për skemat pensionale, edhe kur kanë kaluar 20 vite pas luftës, i referohet një ligji të ish-Jugosllavisë.

“Unë kam kërku në vazhdimësi që ministri që udhëzimin Administrativ i cili është diskriminues dhe për mu është krejtësisht i pa logjikshëm se si ju kanë referu nenit 8 në ligjin për skemat pensionale, e që nëse hin në detaje ai i referohet një ligji të ish Jugosllavisë dhe për mu është diçka absurde 20 vite pas luftës po falim për diçka që i referohet ligjit të atij regjimi dhe hala ma keq pension marrin ata të cilët e kanë vazhdu punën. E tha edhe zoti Sylejman dhe pa keqkuptime, po me punu në atë kohë nuk ka qenë bash në interes, interes me punu po janë largu prej punës ata që nuk kanë shku në rrugën e pushtetit të atëhershëm”, shtoi Haxhiu.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka thënë se shteti ynë ka dështuar që t’i adresojë saktë faktet dhe argumentet me të cilat vërtetohet se Serbia me qëllim po shmangë dhe anashkalon përmbushjen e obligimit ligjor. Këtë gjë, ai e ka ndërlidhur me rastin “Grudic v. Serbia”, për të cilin, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në vitin 2016 kishte dalë me një opinion.

“Mund të them që ky opionion ka qenë material gjithëpërfshirës që ka adresu çështjen ligjore lidhur me realizimin e pensioneve, sipas të drejtës që e ka njoftë GJEDNj me aktgjykimin e rastit Grudic, por që shteti në përgjithësi nuk ka arritë me pas ndikimin e vet tek komisioni, tek Këshilli i Ministrave, me qëllim të zbatimit të këtij aktgjykimi. Kjo besoj ka ardhë si pasojë e legjitimitetit të mangët ndërkombëtar që ka Kosova, mungesën për me përfaqësu drejtpërdrejtë në Këshillin e Evropës dhe pamundësia për me i përdorë mekanizmat që i ka ky Këshill, me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të këtij aktgjykimi dhe vendimit të gjykatës”, shtoi Qelaj.

Në fund, u nxorën edhe rekomandimet që dolën nga kjo konferencë, e që ishin: ngritja e vullnetit politik nga partitë politike që të sponsorizojnë një ligj i cili do të adresonte të gjitha nevojat e pensionistëve, të cilat edhe u elaboruan gjatë diskutimit të sotëm. Po ashtu, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies për pensionistët, krahas kujdesit dhe vëmendjes, të bëhet edhe hapja e shtëpive të pleqve për ta, duke siguruar kështu një mirëqenie sociale më të mirë në të ardhmen.