Është mbajtur takimi i njëqind e dytë i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, njëherësh kryeprokuror i Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Në këtë takim në emër të Komisionit për emërim të prokurorëve në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, kryetari i komisionit, kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, njoftoi se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe intervistimit të shtatë kandidatëve të paraqitur në konkursin e shpallur për tre vende të lira pune për prokurorë në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, komisioni i propozon KPK-së emërimin e tre kandidatëve më të suksesshëm, të cilët kanë plotësuar të gjitha kriteret e përgjithshme dhe të veçanta për tu emëruar prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Kandidatët më të vlerësuar nga komisioni ishin: Sevdije Morina, u.d. kryeprokurore e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Besim Kelmendi, prokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Lulzim Sylejmani prokuror në Prokurorinë e Apelit.
Anëtarët e KPK-së njëzëri aprovuan propozimin e komisionit që Sevdije Morina, Besim Kelmendi dhe Lulzim Sylejmani të emërohen prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Ndër të tjera në këtë takim u vendos që bazuar në marrëveshjen e Brukselit për drejtësi, Këshilli Prokurorial i Kosovës të shpallë konkurs për emërimin e gjashtë prokurorëve nga radhët e minoriteteve.
Gjithashtu, sipas marrëveshjes së Brukselit, anëtarët e KPK-së unanimisht morën vendim që Sekretariati i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të shpallë konkurs edhe për regrutimin e stafit mbështetës për prokurorët nga radhët e minoriteteve.
Në këtë takim koordinatori Kombëtar për Krime ekonomike, Shqipdon Fazliu prezantoi raportin tre mujor për periudhën prill-qershor 2015.
Pas prezantimit të këtij raporti anëtarët e KPK-së konstatuan që:
• Të obligohen të gjithë kryeprokurorët e Prokurorive Themelore që të bisedojnë me prokurorët e tyre dhe të jenë më të vëmendshëm rreth dhënies së informacioneve në data-bazë për konfiskimin dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara nga kryerja e veprës penale;
• Të obligohen të gjithë kryeprokurorët e Prokurorive Themelore që të zbatojnë me përpikëri Ligjin mbi kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e aseteve në ato raste ku personat e dyshuar janë në arrati apo kanë vdekur. Të kërkojnë nga gjykatat që këto procedura të vazhdojnë deri në marrjen e vendimit definitiv për konfiskimin e këtyre aseteve;
• Për veturat të cilat janë sekuestruar dhe konfiskuar prokurorët dhe kryeprokurorët në bashkëpunim me gjykatat të fillojnë procedurat, duke bërë kërkesë për shitje të tyre dhe ato mjete t’i epen buxhetit të Republikës së Kosovës;
• Koordinatori Kombëtar për Krime Ekonomike obligohet që t’i njoftoj kryeprokurorët me këto obligime.
Anëtarët e KPK-së po sot aprovuan edhe kërkesën e prokurorit Musli Gashi, për transferim nga Departamenti i Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore në Gjakovë në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren.
(Burimi: Uebfaqja e Prokurorit të Shtetit)