Krimin e Organizuar në Zgjedhje: Roli i partive politike, politika e ndjekjes dhe dënimeve

Krimin e Organizuar në Zgjedhje: Roli i partive politike, politika e ndjekjes dhe dënimeve

Krimin e Organizuar në Zgjedhje: Roli i partive politike, politika e ndjekjes dhe dënimeve

23 tetor 2012 –  Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Fredrich Ebert Stiftung (FES) kanë mbajtur sot në Qendrën e Informimit dhe Kulturës të BE-së, tryezën e diskutimit: “Krimin e Organizuar në Zgjedhje: Roli i partive politike, politika e ndjekjes dhe dënimeve”. Pjesëmarrës në panelin e moderuar nga z. Betim MUSLIU nga IKD  ishin znj. Valdete DAKA, Gjykatëse në Gjykatën Supreme, njëherësh Kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Laura PULA, Prokurore në Prokurori të Shtetit, njëherësh Koordinatore e Lëndëve të Zgjedhjeve, z. Fatmir LIMAJ, nën-Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe z. Ahmet ISUFI, nën-Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Debati rreth manipulimit të zgjedhjeve nuk është ndalur për asnjë moment dhe në çdo vendim apo proces të rëndësishëm për Kosovën. Në vazhdimësi, zyrtarë të lartë politik kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella për vjedhje të votave, duke nxjerrë në shesh elemente të cilat sugjerojnë ekzistimin e krimit të organizuar në zgjedhje, konstatim ky i punimit “Krimi i Organizuar në Zgjedhje: Analizë e politikës së ndjekjes dhe gjykimit”.  Për zgjedhjet 2010, prokurorët kanë ngritur akuza për 221 raste ndaj 1,516 personave dhe se në proces të ngritjes së aktakuzave janë edhe 758 komisionerë të tjerë, ndërsa janë edhe 300 raste të tjera që duhet të hetohen, ku përfshihen rreth 2500 komisionerë, për të cilët Qendra e Numërimit të Rezultateve (QNR) ka nxjerrë prova të pakontestueshme se kanë manipuluar votat. Megjithatë, gjykatësit janë treguar jo efikas në zgjidhjen e tyre duke konfirmuar vetëm 94 raste. Z. Betim Musliut, bashkë-autor i raportit tha se “prokurorët duke nxituar në nxjerrjen e shifrave kanë zbatuar një politikë jo adekuate të ndjekjes, duke mos hetuar elementet e krimit të organizuar.

Numri enorm i manipuluesve të përfshirë, sidomos 1,516 personave tashmë të akuzuar, dëshmon se ata nuk kanë mundur të veprojnë në mënyrë dhe kohë të njëjtë dhe në vende të ndryshme, pa pasur persona të cilët i kanë organizuar dhe financuar ata në kryerjen e këtyre krimeve”. Musliu tha se Prokurori i Shtetit dhe Prokuroria Speciale nuk janë duke hetuar organizatorët dhe pa ndjekjen dhe gjykimin e tyre nuk do të vendoset drejtësia në vend dhe nuk do të parandalohen assesi këto krime.

Znj. Valdete Daka, tha se politika e dënimeve nga Gjykatat e Qarkut tashmë është ashpërsuar, pas ankesave të Prokurorit të Shtetit, duke i konvertuar dënimet me gjobë në dënime me burgim efektiv. “Këto dënime do të ndikojnë drejtpërdrejtë tek të gjithë, që të evitohen manipulimet e zgjedhjeve në të ardhmen”. Znj. Laura Pula, tha se Prokurori i Shtetit hetimet për krimet e zgjedhjeve i ka ndarë në dy faza. “Në fazën e parë kemi shkuar me urgjencë në ngritjen e aktakuzave të drejtpërdrejta, pasi për këtë kemi pasur prova të ofruara nga QNR. Ndërsa, në fazën e dytë do të shqyrtohen rastet e tjera të cilat i kemi pezulluar për një kohë”. Musliu ka pyetur prokuroren Pula se a janë ndërmarrë veprime pas deklarimeve publike të Kryeparlamentarit z. Jakup Krasniqi, se në mesin e deputetëve ka të atillë që janë produkt i votave të vjedhura, ajo është përgjigjur: “Prokurori i Shtetit ka ndërmarrë si gjithmonë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, dhe në këtë rast mandat për hetimin e Krimit të Organizuar ka Prokuroria Speciale”.

  Fatmir Limaj tha se mosndjekja e manipuluesve në të kaluarën ka bërë që kulmi të arrihet në zgjedhjet e vitit 2010. “Dua të di sesi do të veprohet nga organet e drejtësisë që t’iu merret mandati deputetëve që janë në Kuvendin e Kosovës vota të vjedhura, nëse ka të atillë”. Limaj tha se është krejtësisht e paimagjinueshme sesi ka ndodhur që në Kuvend të Kosovës, pjesa dërrmuese e deputetëve të ndryshojnë nga legjislatura e kaluar dhe të futen fytyra të reja. Ahmet Isufi tha se lufta më e ashpër në këto zgjedhje, më të diskutueshmet ndonjëherë, është zhvilluar brenda kandidatëve të partive politike. “Janë 87 deputetë në Kuvendin e Kosovës  që janë të rinj dhe që nuk kanë qenë deputetë më parë. Mund të ketë deputetë që aty janë me vota të vjedhura, por poashtu mund të ketë kandidatë që i kanë fituar votat dhe që nuk janë sot deputetë. Këtë duhet ta dëshmojnë organet e drejtësisë, prandaj duhet të hetohen organizatorët e këtyre krimeve”.