Magazina zgjedhore- Drejtësia në zgjedhje

Magazina zgjedhore- Drejtësia në zgjedhje

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, IKD ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që të përsëritet repriza e zgjedhjeve të kaluara sa i përket manipulimeve me votat, por ka theksuar se pritjet për zgjedhjet e 3 nëntorit janë që institucionet e drejtësisë do të kenë një përgjigje shumë më adekuate, duke e bazuar këtë në Mamorandumin e Bashkëpunimit në mes të institucioneve të drejtësisë “Lidhur me zgjedhjet 2013”.

Musliu ka thënë se IKD ka mbështetur me ekspertizë Prokurorin e Shtetit në hartimin e Memorandumit dhe përpilimin e Procedurave Standarde të Veprimit ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, të cilat, sipas tij, nëse zbatohen do të sigurojnë efektshmëri të organeve policore e prokuroriale.

“Ky memorandum dhe vullneti për të krijuar dhe zbatuar këto procedura standarde të veprimit dëshmon rol proaktiv të këtyre institucioneve dhe rezultate konkrete, sikur në Prizren që janë marrë në pyetje menjëherë personat që kanë deklaruar se po manipulohen votat”.

Musliu ka theksuar se e rëndësishme është që të ndiqen organizatorët e manipulimit të zgjedhjeve pasi në këtë mënyrë do të arrihej drejtësia në vend dhe do të eliminoheshin mundësitë që të njëjtat manipulime të ndodhin në të ardhmen. Musliu ka kërkuar hetim të financave të partive politike, të cilat janë burim i kriminalitetit në proceset zgjedhore. Ai ka bërë përgjegjëse për të gjitha krimet më së shumti partitë politike, pasi komisionerët janë të partive politike.