Loja e Ministrisë së Drejtësisë me Ligjin për Prokurorin e Shtetit

Loja e Ministrisë së Drejtësisë me Ligjin për Prokurorin e Shtetit

Loja e Ministrisë së Drejtësisë me Ligjin për Prokurorin e Shtetit

Prishtinë, 1 mars 2018 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj iniciativës së Ministrisë së Drejtësisë (MD) për plotësim ndryshimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit, e cila bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, parimet dhe obligimet që Republika e Kosovës i ka marr në raport me Bashkimin Evropian lidhur me zbatimin e prioriteteve që dalin nga Agjenda për Reformë Evropiane (ARE).

 MD ka devijuar nga kërkesa specifike e ARE-së, e cila ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në muajin shkurt të vitit 2017, përmes së cilës kërkohej fuqizimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nëpërmjet fuqizimit të kapaciteteve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK). Në kuadër të ARE-së ishte kërkuar që përmes plotësim-ndryshimit të Ligjit mbi Prokurorin e Shtetit të mundësohej rritja e numrit të prokurorëve në PSRK, duke ulur kriteret ligjore për pranimin e prokurorëve në këtë prokurori.

Përkundër kërkesës specifike të ARE-së, MD gjatë plotësim ndryshimit të Ligji për Prokurorin e Shtetit, ka përfshirë ndryshime dhe plotësime, të cilat bien në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe standardin e qeverisjes së mirë në sistemin prokurorial, duke tentuar fuqizimin e institucionit të Kryeprokurorit të Shtetit me kompetencat kushtetuese të cilat i takojnë Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Në këtë drejtim, përmes propozimit të parë të MD-së në projekt ligj, tentohet që Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit – si shkallë e tretë –  të merr kompetenca në hetimin dhe ndjekjen e kryesve të veprave penale në Kosovë, kompetenca këto që në Kosovë ushtrohen nga Prokuroritë Themelore dhe PSRK – si shkallë e parë. Ligji i aplikueshëm në Kosovë, përcakton se prokurorët e shtetit në Prokuroritë Themelore, kanë kompetencë lëndore dhe territoriale për të paraqitur aktakuza apo për të zhvilluar ndjekjen penale pranë Gjykatave Themelore, pranë të cilave janë themeluar. Ligji i aplikueshëm në Kosovë, nuk ka paraparë që Prokurorët e Shtetit në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit – si shkallë e tretë – të zhvillojnë hetime dhe ngritin aktakuza kundër kryerësve të veprave penale. Kompetencat e Kryeprokurorit të Shtetit, Prokurorëve të Shtetit në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit – si shkallë e tretë – janë të kufizuara vetëm sa i përket kompetencës ekskluzive për lëndë në shkallë të tretë pranë Gjykatës Supreme dhe mbi të gjitha lëndët që përfshijnë mjetet e jashtëzakonshme juridike, që i përshtatet kulturës dhe praktikës juridike në Kosovë që nga fillet e para të saj. Propozimi lidhur me dhënien e kompetencave shtesë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit në hetimin dhe ndjekjen e kryerësve të veprave penale, ndërton standarde dhe praktika që dëmtojnë rëndë hierarkinë e sistemit prokurorial në Kosovë, pasi në rast të ngritjes së aktakuzave nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, e njëjta zyrë duhet të ushtroi ankesë përmes një prokurorie të nivelit më të ultë, në këtë rast përmes Prokurorisë së Apelit. Përmes këtij propozimi cenohet rëndë besimi i publikut në pavarësinë dhe paanshmërinë e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, në rastet e paraqitjes së kërkesave për mbrojtje të ligjshmërisë.

Propozimi i tretë i MD-së tenton të heq kufizimet për prokurorët që pranojnë shpërblim për veprimtaritë profesionale në vlerën prej mbi njëzet e pesë për qind (25%) të pagës bazë, dhe obligimin që për këtë shpërblim ta njoftojnë KPK-në. Ky propozim bie në kundërshtim me draft Ligjin e dërguar në Kuvendin e Kosovës për parandalimin e konfliktit të interesit, i cili ligj është po ashtu kërkesë e ARE-së. Sipas tij, qëllimi ka qenë që gjatë ushtrimit të funksioneve publike të adresohet kufizimi për zyrtarët e lartë shtetërorë, të cilët mbajnë disa pozita në të njëjtën kohë. Pra, nëse shfuqizohet kufizimi prej 25% nga Ligji për Prokurorin e Shtetit, nuk do të ketë kontroll ligjor mbi prokurorët nga KPK dhe ata lehtësisht mund të marrin të ardhura shtesë nga institucione private apo publike më shumë se sa paga bazë.

Propozimi i dytë i MD-së, i atribuohet fuqizimit të drejtpërdrejtë të Kryeprokurorit të Shtetit, të cilit tentojnë t’i japin kompetenca të KPK-së. Sipas këtij propozimi, Kryeprokurori cakton prokurorët në Prokurorinë Speciale, sipas nevojave urgjente dhe ngarkesës me lëndë në këtë prokurori për periudhën 1 vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një vit. Ky propozim bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 110 të Kushtetutës, e cila përcakton se KPK do të rekrutojë, propozojë, avancojë, transferojë, disiplinojë prokurorët në mënyrën e rregulluar me ligj. Kushtetuta nuk njeh termin “caktim”, por vetëm avancim dhe transferim.  Instalimi i një instituti të ri lidhur me caktimin e prokurorëve nga Kryeprokurori i Shtetit dëmton rëndë institutin e karrierës në sistemin prokurorial, konkursin, konkurrencën dhe trajtimin e barabartë të prokurorëve.

IKD i rekomandon deputetëve të Kuvendit të Kosovës që gjatë debatit dhe votimit për këtë projekt ligj të marrin për bazë respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, obligimet që dalin nga ARE, gjetje, vlerësimet dhe rekomandimet e IKD-së në këtë punim si dhe komentet dhe rekomandimet e dërguara nga faktori ndërkombëtar që mbështesin institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Për më tepër shkarkoni këtu analizën e shkurtë ligjore për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Prokurorin e Shtetit.