Kërkohet rregullim ligjor ose etik për dekriminalizimin e politikës në Kosovë

Kërkohet rregullim ligjor ose etik për dekriminalizimin e politikës në Kosovë

Kërkohet rregullim ligjor ose etik për dekriminalizimin e politikës në Kosovë

Prishtinë, 20 shkurt 2018 – Fondacioni i Westminster për Demokraci (WFD) në partneritet me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), financuar nga Ambasada Britanike në Kosovë, mbajtën sot tryezën e diskutimit “Iniciativa për Dekriminalizimin e Politikës në Kosovë”.

Në tryezë u prezantua “Studimi Krahasues i Dekriminalizimit të Politikës” i cili përfshin një numër të qasjeve të ndërmarra nga shtetet e ndryshme për të adresuar dekriminalizimin. Po ashtu, studimi bën një krahasim të rregullimit të kësaj fushe nga Britania e Madhe, Gjermania, Kenia dhe Shqipëria. Studimi ofron ide dhe opsione përmes dispozitave ligjore, rasteve studimore dhe praktike të cilat mund të shfrytëzohen dhe aplikohen në rastin e Kosovës.

Autorja e studimit, Lisa Klein, prezantoi tri qasje bazë të aplikuara për diskualifikim të kandidatëve me të kaluar penale: “i) Ndalimi legjislativ – që nënkupton diskualifikimin përmes dispozitave ligjore; ii) Përjashtimi institucional – ku institucionet veshën me autoritet të përjashtojnë kandidatët për shkak të papërshtatshmërisë, dhe iii) Rregullat dhe politikat e partisë politike përmes të cilave partitë në statut parashohin largimin e personave me dosje kriminale nga anëtarësia”.

Autorja ka konkluduar se për një proces të dekriminalizimit duhet nisur nga disa premisa përmes një “kornize adekuate ligjore që qartë përcakton qëllimin dhe mjetet për të siguruar integritetin e kandidatëve” dhe shtrirjes së “përgjegjësisë për zbatimin e kornizës ligjore tek institucionet, partitë politike dhe kandidatët potencial për zgjedhje”.

Prezantimi i punimit u pasua me fjalime nga anëtarët e panelit: znj. Valdete Daka (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve) dhe z. Blerim Isufaj (Këshilli Prokurorial i Kosovës). Znj. Daka nënvizoi përpjekjet e saj për të decertifikuar kandidatët në lista zgjedhore që kishin vepra penale të konfirmuara nga gjykatat ndërsa z. Isufaj shprehu gatishmërinë e sistemit prokurorial të zbatojnë kornizën ligjore përmes të cilës do të mundësohej largimi i kandidatëve me të kaluar penale.

Fjalimet u pasuan me diskutime nga pjesëmarrësit rreth studimit të prezantuar dhe situatës aktuale në Kosovë. Vlen të përmenden vërejtjet e z. Ahmet Isufi, Kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i cili potencoi nevojën për ngritjen e vetëdijes tek vetë partitë politike gjatë përpilimit të listave zgjedhore me kandidatë që nuk kanë probleme me ligjin. Po ashtu, ai theksoi nevojën për respektimin e ligjeve aktuale dhe për një rregullim të ri të kësaj problematike, çdo herë duke marrë parasysh parimin e prezumimit të pafajësisë. Nga shoqëria civile, Albert Krasniqi, vlerësoi studimin si një dokument mjaft të dobishëm për t’u shfrytëzuar nga akterët gjatë reformës zgjedhore dhe krijimit të bazës ligjore për dekriminalizim.

Për më tepër shkarkoni studimin në gjuhën SHQIP dhe anglisht: Decriminalisation paper_Kosovo.