Prishtinë, 24 mars 2022 – Organizatat Jo-Qeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja FOL (Tutje: Koalicioni), të enjten kanë organizuar konferencën për media, për prezantimin e raportit me titull: “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësmit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurporit të Shtetit)”.
Koalicioni, monitorimin dhe vlerësimin në fjalë e ka bazuar në katër shtylla: 1) Vlerësimi i strukturës së procesit për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit; 2) Analizimin e Koncept Dokumenteve të kandidatëve; 3) Monitorimin e intervistave; dhe 4) Qasjen e panelit vlerësues ndaj kandidatëve.
Koalicioni ka vlerësuar lartë faktin se për dallim nga rastet e kaluara, KPK ka treguar një shkallë të lartë të transparencës përkitazi me këtë proces ku ka publikuar të gjitha Koncept Dokumentet e kandidatëve, ka lejuar monitorimin direkt të intervistave si dhe ka transmetuar intervistat në televizionin publik. Kjo ka mundësuar që koalicioni të bëjë një vlerësim objektiv dhe gjithëpërfshirës të gjithë procesit.
Koalicioni ka vlerësuar që paneli vlerësues përgjatë këtij procesi nuk arrin që kriteret e përcaktuara me kornizen ligjore t`i zbatoj në praktikë, përmbushja e të cilave përveç që është obligim ligjor, të njëjtat supozohet që të sigurojnë meritokraci në fund të procesit.
Koalicioni vlerëson se paneli intervistues ka dështuar në një vlerësim objektiv dhe gjithëpërfshirës të kandidatëve ndërsa në anën tjetër kandidatët nuk kanë demonstruar njohuri, aftësi dhe shkathtësi për udhëhequr për një pozitë siç është pozita e Kryeprokurorit të Shtetit duke e bërë të pavlefshëm të procesit.
Koalicioni gjatë monitorimit dhe vlerësimit të procesit ka vërejtur se jo të gjithë kandidatët janë trajtuar në mënyrë të barabartë, ku për disa kandidatë Paneli Vlerësues ka pasur një qasje të privilegjuar e cila qartazi është vërejtur në publik.
Paneli intervistues nuk ka ndërtuar një intervistë të strukturuar. Kjo më së miri vërehet që disa nga kandidatët pyeten me pyetje shtesë, për dallim nga kandidatët e tjerë. Sikurse, ka pasur pyetje të cilat i janë parashtruar vetëm një kandidati dhe jo edhe kandidatëve të tjerë. Për disa kandidat, i tërë procesi i intervistimit është zhvilluar vetëm në raport me Koncept Dokumentin e dorëzuar, por jo edhe duke bërë pyetje të cilat vërtetojnë zotësitë dhe shkathtësitë e kërkuara, si pjesë e intervistës.
Lidhur me integritetin e kandidatëve, paneli vlerësues ka parashtruar pyetje të përgjithshme për secilin kandidat, duke e lënë në diskrecionin e kandidatit për të vlerësuar rastet të cilat ai konsideron se cënojnë integritetin e tij. Nga të gjithë kandidatët, vetëm kandidatit z. Armend Hamiti i bëhen dy (2) nënpyetje shtesë lidhur me rastin e publikuar nga mediat, dy (2) ditë para intervistës.
Në rastin e z. Isufaj, Paneli Vlerësues nuk bënë asnjë nënpyetje lidhur me mbylljen e rastit për deklarim të rremë të pasurisë të parashtruar nga AKK, një trajtim ndryshe nga z. Armend Hamiti i cili sfidohet me dy (2) nënpyetje për një rast të raportuar në media. Po ashtu, z. Isufaj nuk pyetet dhe as nuk jep ndonjë sqarim lidhur me opinionin e AKK-së që konstatonte se emërimi në pozitën e kryeprokurorit brenda periudhës prej (2) viteve pas përfundimit të mandatit si anëtar i KPK-së, përbën konflikt të interesit. Përkundër faktit se z. Isufaj gjatë intervistës së tij thotë se në secilin rast kur ka dyshuar për konflikt të interesit këtë e ka raportuar tek eprori, i njëjti nuk pyetet dhe nuk jep sqarime se pse nuk e ka bërë këtë me rastin e emërimit të tij në krye të PSRK-së, sikurse ka vepruar z. Arben Ismajli.
Tutje, Z. Isufaj po ashtu as nuk është pyetur dhe as nuk ka dhënë sqarime lidhur me akuzat publike të ish-prokurorit special Elez Blakaj të bëra ndaj tij për ndërhyrje në rastin e veteranëve. Në rastin e z. Isufaj, ka pasur edhe raste të tjera që kanë dalur në publik të cilat kanë vënë në dyshim integritetin e z. Isufaj, e të cilat raste janë kaluar në heshtje si nga paneli intervistues ashtu edhe nga ana e z. Isufaj.
Në heshtje kanë kaluar edhe shumë raste të cilat në publik kanë vënë në dyshim integritetin e kandidatit Kujtim Munishi. Raste të kësaj natyre janë rasti i “Bentley të Morena Tarakut”, rastin e dhunë në familje ku ka mbetur e vdekur Sebahate Morina, e që Institucioni i Avokatit të Popullit dhe disa OJQ kanë konsideruar se Prokuroria Themelore në Prishtinë tani të ndjerës Sebahate Morina ia ka shkelur të drejtën në jetë.
Lidhur me këtë Koalicioni vlerëson se pjesa e intervistës lidhur me integritetin ka qenë mundësi adekuate si për kandidatët, panelin vlerësues por edhe për publikun për të marrë sqarimet e duhura nga kandidatët mbi dyshimet e ngritura në publik.
Megjithatë, në bazë të asaj që është prezantuar, në bazë të vlerësimit të përgjithshëm, koalicioni rangon kandidatët në këtë mënyrë: 1) Shqipdon Fazliu, 2) Armend Hamiti, 3) Blerim Isufaj, 4) Kujtim Munishi dhe 5) Lulzim Sylejmani.
Sa i përket pjesës së Koncept Dokumentit, Koalicioni ka ranguar kandidatët në këtë mënyrë: 1) Armend Hamiti, 2) Shqipdon Fazliu dhe tre (3) të tjerët rangohen në pozitën e njejtë.
Ndërsa, sa i përket pjesës së intervistës, koalicioni ka ranguar kandidatët në këtë mënyrë: 1) Shqipdon Fazliu, 2) Armend Hamiti, 3) Blerim Isufaj, 4) Lulzim Sylejmani dhe 5) Kujtim Munishi.
Duke marrë parasysh faktet dhe rrethanat e cekura më lartë, koalicioni rekomandon:
1) Të anulohet komplet procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të shtetit për shkak të shkeljeve procedurale dhe defekteve të evidentuara nga koalicioni në procesin e monitorimit dhe vlerësimit të këtij procesi;
2) Komision Vlerësues të publikoj vlerësimin me arsyetim mbi poentimin për secilin kandidat;
3) KPK të plotësoj dhe ndryshoj Rregullorën për Procesin e Përzgjedhjes dhe Emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve, me theks të veçantë formularin e koncept dokumentit;
4) Të shpallet konkursi i ri duke vazhduar me praktikën e njëjtë të transparencës për sa i përket publikimit të koncept dokumenteve dhe procesit të intervistimit;
5) Pyetjet në koncept dokument të orientohen më shumë rreth pozitës së Kryeprokurorit dhe formulohen në atë mënyrë që vlerësojnë shkathtësitë dhe aftësitë se sa njohuritë e përgjithshme;
6) Intervista të jetë e strukturuar dhe ky nivel të ruhet gjatë gjithë procesit dhe me të gjithë kandidatët;
7) Tek elementi siç është vlerësimi i integritetit, paneli vlerësues sipas detyrës zyrtare duhet të hulumtoj të kaluarën e secilit kandidat pastaj duke paraqitur pyetje të njëjta për secilin kandidat të vlerësoj një cilësi të tillë pyetjet të bëhen në atë formë.
Për më tepër, gjeni të bashkangjitur raportin me titull: “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësmit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurporit të Shtetit)”.