Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur e përmbylli fushatën “Voto dhe Vëzhgo” me një numër të madh mesazhesh të dërguara nga votuesit. Mbi 5 000 qytetarë raportuan parregullsitë me sms që i kishin hasur gjatë votimit. Të ndara nëpër kategori, sipas natyrës së parregullsive, çdo i katërti votues raportoi probleme me listën e votuesve, ku dominojnë ato që tregojnë për personat e vdekur që akoma figurojnë në lista. Çdo i shtati votues ka raportuar probleme me menaxhimin e keq të vendvotimit, nga problemet me spërkatje të gishtave deri te abuzimet e shumta të komisionarëve. Ndërkaq, në orët e mbrëmjes u raportuan edhe raste të ndaljes së rrymës elektrike. Dhe çdo i treti raportoi presione të natyrave të ndryshme mbi votuesit ose probleme në kabinën votuese, si fotografimi i votës dhe asistimi, ose më mirë të themi drejtimi i votës nga kryefamiljari. Edhe pse nuk ishte kërkuar, çdo i katërti raportoi se gjithçka ishte në rregull me votimin.