Institucionet evitojnë padinë e IKD-së, hapet konkursi për përfaqësuesin e sindikatave në Fondin Pensional

Institucionet evitojnë padinë e IKD-së, hapet konkursi për përfaqësuesin e sindikatave në Fondin Pensional

Institucionet evitojnë padinë e IKD-së, hapet konkursi për përfaqësuesin e sindikatave në Fondin Pensional

Prishtinë, 18 qeshor 2024Pas reagimit të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për mos përfaqësimin e sindikatave në Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (BFKPK) si dhe pas komunikimit me Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere në Kuvendin e Kosovës, Komisioni për përzgjedhjen e anëtarëve të BFKPK-së ka shpallur konkursin për dy anëtarë në këtë bord, respektivisht për anëtarin që do t’i përfaqësojë punëtorët e Kosovës.

IKD e vlerëson pozitivisht hapin e fundit, por vazhdon të shprehë shqetësimin për vonesat e mëdha dhe mosrespektimin e obligimeve ligjore për përfshirjen e sindikatave në Bordin e FKPK-së. Në një kohë kur është e rëndësishme të sigurohet transparencë dhe përfaqësim i përshtatshëm në procesin e vendimmarrjes për pensionet, kjo vonesë nuk mund të justifikohet. Për më tepër, kur veprimi i Komisionit për Përzgjedhjen e Anëtarëve erdhi pas paralajmërimit të Institutit të Kosovës për Drejtësi se ky komision do të përballet me padi në gjykatën kompetente për mosveprim dhe cenim të përfaqësimit të sindikatave në BFKPK-së.

IKD, dëshiron të ritheksojë se përmirësimet konkrete në procesin e vendimmarrjes dhe zbatimin e ligjit janë arritur falë dialogut të hapur dhe konstruktiv me shoqërinë civile, e cila ka shërbyer si një monitorues i rëndësishëm dhe një partner i besueshëm në mbrojtjen e interesave të përgjithshme publike. Por, në rastin e tanishëm, siç është theksuar më lartë, erdhi pas paralajmërimit për nisjen e procedurave gjyqësore.

Mosveprimi i institucioneve përgjegjëse deri në këtë kohë, për të zbatuar këtë detyrim ligjor përfaqëson një mungesë të qartë të përgjegjshmërisë dhe respektimit të ligjit. Ky akt gjithashtu shfaq padijen e institucioneve ndaj nevojave dhe interesave të punëtorëve dhe sindikatave, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e drejtave të punëtorëve dhe në përmbushjen e drejtës së tyre për përfaqësim të barabartë në organet vendimmarrëse.

Ritheksojmë, se me 2 maj 2024, IKD nisi një sërë pyetjesh ndaj Komisionit për Përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit FKPK për mos shpalljen e konkursit për anëtarin që do t’i përfaqësonte sindikatat në këtë bord për më shumë se dhjetë muaj.

Komisioni, në përbërje prej Guvernatorit të BQK-se, Ahmeti Ismaili, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, nuk gjetën kohë të përgjigjen në adresë të IKD-së, duke kontribuar në mungesë të llogaridhënies, cenimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit.

IKD vlerëson se demokracia dhe drejtësia sociale nuk mund të qëndrojnë lartë në piedestal pa përmbushur këto detyrime ligjore themelore. Cenimi i këtyre parimeve mirëmban dhe rrezikon besueshmërëinë e instititucioneve të cilat i’a vendosin Kosovës një imazh të padëshirueshëm ku sundimi i ligjit dhe respetimi i drejtave të punëtorëve nuk janë prioritet.

IKD do të vazhdojë të monitorojë me kujdes procesin e përzgjedhjes së anëtarit të sindikatave për të siguruar që të respektohen standardet e përfaqësimit të punëtorëve, transparencës dhe meritës,  që ligji të zbatohet në mënyrë të plotë.

IKD, në bashkëpunim me akterë të tjerë dhe me sindikatat do të vazhdojë të shtyjë zbatimin e plotë të kushtetutshmërisë, ligjit dhe standardeve ndërkombëtare sa i përket përfaqësimit sindikal në organet shtetërore të Kosovës. Po ashtu, do të angazhohemi për të përmirësuar standardet e demokracisë dhe drejtësisë sociale në vendin tonë, duke siguruar se të gjitha palët janë përfaqësuar në mënyrë të barabartë dhe të drejtë në proceset vendimmarrëse.