Prishtinë, 1 shtator 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Universiteti “Haxhi Zeka” (UHZ) në Pejë kanë nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi, me qëllim të formalizimit dhe avancimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e drejtësisë, edukimit juridik dhe kërkimit shkencor.
Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua nga z. Ehat Miftaraj, Drejtor Ekzekutiv i IKD-së, dhe Prof. Dr. Armand Krasniqi, Rektor i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë. Para nënshkrimit të marrëveshjes, palët zhvilluan një takim diskutimi, ku nga IKD morën pjesë z. Betim Musliu, Zëvendësdrejtor Ekzekutiv, dhe znj. Arrita Rexhepi, Menaxhere e Programeve, ndërsa nga Universiteti “Haxhi Zeka” morën pjesë Prof. assoc. Alma Shehu Lokaj, Prorektore për Mësimdhënie, Dr.sc. Prof. assoc. Petrit Nimani, Dekan i Fakultetit Juridik dhe Prof. assoc. Anita Cucović, nga Qendra për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut e UHZ-së.
Ky bashkëpunim synon krijimin e një partneriteti të qëndrueshëm ndërmjet IKD-së dhe UHZ-së, përmes lidhjes më të ngushtë të edukimit universitar dhe kërkimit shkencor me analizën, monitorimin, ekspertizën dhe praktikën profesionale në fushën e drejtësisë. Përmes këtij bashkëpunimi synohet krijimi i mundësive të reja për studentët, stafin akademik dhe hulumtuesit dhe kontributi në avancimin e sundimit të ligjit, qasjes në drejtësi, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, transparencës dhe llogaridhënies institucionale.
Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, IKD dhe Universiteti “Haxhi Zeka” riafirmojnë angazhimin e tyre për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe organizatave profesionale, me fokus të veçantë në zhvillimin e juristëve të rinj dhe avancimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
