Prishtinë, 12 shkurt 2020 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj ligjshmërisë së Vendimit të Qeverisë Kurti lidhur me uljen e pagave të kabinetit të tij dhe pagave të gjykatësve dhe prokurorëve, duke vlerësuar vendimin si të kundërligjshëm, njëjtë sikurse në kohën e marrjes së Vendimit për rritjen e pagave nga ish-Kryeministri Haradinaj. Vendimet kanë qëllime të ndryshme, por dyja janë të kundërligjshme sepse zgjidhja e problemit të pagave duhet të rregullohet ekskluzivisht përmes ligjit.
IKD në muajin dhjetor të vitit 2017, kishte reaguar ndaj Vendimit Nr. 4/20, të Qeverisë Haradinaj të miratuar më 20 dhjetor 2017 për ngritjen e mirëqenies ekonomike të një kategorie të pozitave të kabinetit qeveritar, përfshirë ngritjen e pagës së Kryeministrit, zëvendës kryeministrave, ministrave, këshilltarëve, dhe një kategorie të shërbyesve civilë. Përmes këtij vendimi, pothuajse ishin dyfishuar pagat e pozitave të lartë-përmendura. Paga e Kryeministrit të Kosovës, ishte ngritur në 2950 euro, përderisa paga e Zëvendëskryeministrave është ngritur në 2500 euro. Pagat e Ministrave me këtë vendim janë ngritur në 2000 euro. Ky vendim kishte afektuar drejtpërdrejtë në pagat e gjykatësve dhe prokurorëve, të cilat në bazë të Ligjit për Gjykatat dhe Ligjin e Prokurorit të Shtetit, rriten në mënyrë ekuivalente sa herë të ketë rritje të pagave të pushtetit ekzekutiv.
Aso kohe, IKD kishte kontestuar legjitimitetin dhe ligjshmërinë e vendimit të Qeverisë Haradinaj, e cila nuk kishte pritur që çështjen e pagave ta rregullojë përmes ligjit, por ishte nxituar që t’ia rrisë pagën vetës në mënyrë të kundërligjshme, duke qenë edhe në situatë të konfliktit të interesit, sidomos edhe për faktin se po vazhdonte loja me statusin e pagës së gjykatësve dhe prokurorëve, të cilat janë kategori ligjore dhe nuk mund të lëvizin përmes vendimeve të pushtetit ekzekutiv.
Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë vitit 2010, kishte miratuar Ligjin për Gjykatat dhe Ligjin për Prokurorin e Shtetit, duke ndërtuar standardin e nivelizimit të pagave për gjykatës dhe prokurorë me pagat në ekzekutivin e vendit, respektivisht pagat e Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të Shtetit ishin barazuar me pagën e Kryeministrit të vendit, dhe pagat e gjykatësve dhe prokurorëve me pagat e ministrave.
IKD në asnjë rrethanë nuk e konteston legjitimitetin e vendimit të Qeverisë Kurti lidhur me uljen e pagave për kabinetin qeveritar, madje duke marrë parasysh rrethanat e përgjithshme në Kosovë, e konsideron si një vendim të drejtë, që përmes tij mos të ketë pabarazi ekstreme të pagave ndërmjet udhëheqësve të lartë shtetërorë dhe pozitave të tjera në administratën shtetërore.
IKD ka kërkuar rishqyrtim dhe anulim të të gjitha vendimeve pa legjitimitet dhe të kundërligjshme të Qeverisë Haradinaj, për të kthyer ligjshmërinë në vendimmarrjen e Qeverisë Kurti, por kjo assesi nuk ka kërkuar që të bëhet në mënyrë të kundërligjshme, duke mos ndjekur rregullat e procedurës dhe duke mos respektuar ligjshmërinë.
Në këtë rast, IKD vlerëson se Qeveria Kurti ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme, sepse lënia e statusit të pagave të gjykatësve dhe prokurorëve në nivelin e njëjtë, duke ulur vetëm pagat e udhëheqësve të lartë shtetërorë, bie në kundërshtim me Ligjin për Gjykatat dhe Ligjin e Prokurorit të Shtetit, të cilat theksojnë se pagat e gjykatësve dhe prokurorëve janë ekuivalente me ato të pushtetit ekzekutiv.
Në këtë drejtim, IKD vlerëson se nëse ekziston vullneti i shprehur në këtë rast i Qeverisë Kurti për ta rregulluar çështjen e pagave, duhet të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Pagave të Funksionarëve Publik dhe zgjidhjen ta bëjë ekskluzivisht përmes ligjit, i cili duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës, e assesi që kjo çështje të trajtohet përmes vendimeve të qeverisë.
IKD pret të shoh vendimin dhe arsyetimin e shkruar për të parë se cilat referenca ligjore janë theksuar me rastin e lënies së statusit të pagave të rritura të prokurorëve dhe gjykatësve. IKD reagon në çfarëdo forme ndaj çfarëdo vendimi, edhe nëse konsiderohet i dobishëm, përderisa i njëjti nuk bazohet në ligj. Në këtë rast, pagat e gjykatësve dhe prokurorëve janë kategori ligjore dhe assesi edhe për qëllime të mira, nuk mund të shndërrohen në lojë vendimesh të pushtetit ekzekutiv, sepse pushtetet mund të ndërrohen vazhdimisht, ndërsa siguria juridike e pagave të gjykatësve dhe prokurorëve nuk guxon të cenohet. Gjithashtu, me interes do të përcjellim se si Ministria e Financave do të procedojë me pagat për gjykatësit dhe prokurorët, nëse si referencë do të merren Ligji për Gjykatat dhe Prokurorin e Shtetit, që në mënyrë taksative përcaktojnë se pagat e tyre duhet të jenë ekuivalente me pagat e ekzekutivit.
IKD konsideron se qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit duhet të jetë udhërrëfyes jo vetëm për këtë qeveri por edhe gjithë armatën e shërbyesve civil në Kosovë. IKD fton Qeverinë Kurti, qe është në rastet kur vendimet e saj kanë për qëllim kthimin e ligjshmërisë dhe barazinë para ligjit, këto vendime duhet të jenë të bazuara në ligj dhe procedurë.
Në këtë drejtim, i bëjmë thirrje qeverisë, që para marrjes së çfarëdo vendimi, të bëj analizën e duhur dhe të ndjek procedurat e përcaktuara me ligj, në mënyrë që anarkinë e krijuar nga Qeveria Haradinaj ta kthej në ligjshmëri, legjitimitet dhe besim të publikut në këto vendime.