Prishtinë, 20 shtator 2021 – Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të hënën, ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të parë në gjykimin për krime lufte ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa. Për mbrojtjen e identitetit të dëshmitarit me kodin W03593, në mënyrë që i njëjti të mos mund të identifikohet, pamjet janë bërë të turbullta dhe zëri i tij është modifikuar.
Megjithatë, modifikimi i tepruar i zërit ka bërë që deklaratat e dëshmitarit të jenë pothuajse të pakuptueshme. Një gjë e tillë e ka bërë të vështirë për publikun, për pjesën ku është e hapur seanca, që të informohet mbi zhvillimet në DhSK, si dhe për mediat që të raportojnë saktë për deklarimet e dëshmitarëve pranë Speciales.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e mbështetë mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve në raste të tilla pranë DhSK. Për aq sa seanca është e hapur, IKD konsideron se publiku i gjerë duhet të jetë në gjendje të dëgjojë deklarimet e dëshmitarëve. Në këtë drejtim, identiteti i dëshmitarëve, marrë parasysh edhe masat tjera mbrojtëse, mund të sigurohet edhe pa e modifikuar zërin kaq substancialisht sa t’i humbasë kuptueshmëria.
Duke qenë se identiteti i dëshmitarëve mund të mbrohet edhe pa modifikuar zërin skajshmërisht, IKD bën thirrje që deklarimet e dëshmitarëve në seancat e radhës të jenë më të kuptueshme për publikun e gjerë. Megjithëse jo për identitetin e tyre, publiku ka të drejtë të jetë i informuar saktë mbi deklarimet e dëshmitarëve, në procese të tilla penale me interes të gjerë publik