Prishtinë, 24 janar 2020 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ashpër ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), i cili përmes Draft Kodit të Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Audio dhe Audiovizuele tenton që parimet dhe standardet e garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin sistemor t’i cenojë, duke bërë përpjekje që të bëjë kufizime për mediat që të raportojnë nga seancat gjyqësore. Sipas këtij dokumenti, i cili është ende në draft, synohet që raportimi nga seancat gjyqësore të bëhet vetëm pas shpalljes së aktgjykimit përfundimtar, gjë që është e papranueshme dhe shkel parimet kushtetuese dhe ligjore.
IKD i rikujton KPM-së se Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës përcaktojnë si rregull që një seancë gjyqësore në çështje penale është publike, dhe vetëm në rrethana të veçanta, mundëson përjashtimin e publikut, ose përfaqësuesve të medieve, vetëm në ato raste kur kjo bazohet në interes të drejtësisë dhe si masë është e domosdoshme.
Liria e Shprehjes dhe Liria e Medias, janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila gjithashtu e ndalon cenzurën dhe nuk lejon askend të pengojë shpërndarjen e informacionit ose të ideve nëpërmjet medieve, me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare.
Prandaj, një qasje e tillë e KPM-së përbën precedent të rezikshëm, kur një organ administrativ sikurse është në këtë rast KPM-ja, përmes akteve nën-ligjore, respektivisht draft Kodit të Etikës, bën përpjekje për të kufizuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, të drejta këto të garantuara me Kushtetutë dhe ligj.
IKD vlerëson se një përpjekje e tillë, është tejkalim i kompetencave dhe autorizimeve të këtij Komisioni, të cilat i takojnë një dege tjetër të pushtetit, sikurse është rregulluar edhe me Ligjin Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes. I njëjti ligj ka përcaktuar se do të interpretohet në mënyrën e cila siguron se aplikimi i dispozitave të tij e maksimalizon parimin e lirisë së shprehjes dhe do të jetë në pajtim me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, siç zbatohet në praktikat ligjore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ky Draft Kodi i Etikës, në pjesën ku kufizon raportimin nga gjykatat, poashtu bie në kundërshtim edhe me vet misionin e KPM-së. Mision i Komisionit është të mbrojë lirinë e shprehjes, shumëllojshmërinë e mendimit, qasjen në informata për gazetarë dhe publikun, si dhe interesin e shfrytëzuesve të mediave dhe operatorëve sipas sundimit të ligjit.
Draft Kodi i Etikës, në pjesën ku kufizon raportimin nga gjykata dhe qasja e ndërtuar konsiderohen cenzurë dhe pengesë për të shpërndarë informacionin, i cili ka interes të veçantë për publikun në Kosovë. IKD thekson se dispozitat ligjore si ato vendore dhe ndërkombëtare, po ashtu edhe praktika e GjEDNj-së i japin rëndësi jetike proceseve gjyqësore të hapura për publikun dhe palët e interesuara, për të siguruar një proces gjyqësor të drejtë, që qëllim final ka fitimin e besimit të publikut në pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave.
IKD vlerëson se publiciteti i seancave gjyqësore duhet të kuptohet në atë formë që në asnjë rrethanë nuk e dëmton administrimin e drejtësisë. Në të kundërtën, siç e përcakton edhe praktika e GjEDNj-së, ajo i mbron palët ndërgjygjëse kundër administrimit të drejtësisë në mënyrë të fshehur dhe është një nga mënyrat me anë të së cilës mbahet besimi në gjykata. Prandaj, KPM duhet të vetëdijësohet se publiciteti i seancave gjyqësore, sipas GjEDNj-së, është një nga elementet që formëson të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor.
Në këtë drejtim IKD, kërkon nga KPM të ndalojë me praktika të tilla që cenojnë themelet dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar rendi kushtetues në Kosovë. Përpjekjet për të marr kompetenca dhe autorizime që iu takojnë pushteteve të tjera përbëjnë rrezik për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.