IKD: Pushteti ekzekutiv me vendimin për shtesa diskriminon gjykatësit dhe prokurorët kosovarë dhe cenon pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial

IKD: Pushteti ekzekutiv me vendimin për shtesa diskriminon gjykatësit dhe prokurorët kosovarë dhe cenon pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial

IKD: Pushteti ekzekutiv me vendimin për shtesa diskriminon gjykatësit dhe prokurorët kosovarë dhe cenon pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial

Prishtinë, 25 janar 2016 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh shqetësim rreth lojërave të pushtetit ekzekutiv me pagesat e bartësve të funksioneve gjyqësore të pushtetit gjyqësor në Republikën e Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës më 15 janar 2016 ka aprovuar kërkesën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për kompensimin e shtesave dhe stimulim financiar për 74 gjykatësit e Departamenteve të Krimeve të Rënda për vitin 2016, që kap shumën prej 279.720 euro. Përmes këtij vendimi, secili gjykatës i këtij departamenti do të paguhet si kompensim me 300 euro shtesë.

IKD fillimisht shpreh shqetësimin që kjo formë e kompensimit dhe stimulimit të gjykatësve bëhet në kundërshtim me dispozitat ligjore, duke vazhduar precedanin e mbrapshtë të krijuar me shtesat e prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Kjo praktikë krijon pasiguri juridike për gjykatësit dhe prokurorët për të ardhurat e tyre, duke ndërtuar standarde, përmes së cilave cenohet rëndë pavarësia e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, dhe përmes kësaj forme bëhet nënshtrimi i pushtetit gjyqësor karshi ekzekutivit duke parashtruar kërkesa dhe duke aprovuar ato në mënyrë të kundërligjshme.

Kërkesa e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Vendimi i Qeverisë së Kosovës, bien në kundërshtim me një mori të praktikave dhe standardeve ndërkombëtare që aplikohen drejtpërdrejtë në Kosovë.  Cenimi apo shkelja e këtyre praktikave dhe standardeve nga Vendimi i Qeverisë, nënkupton shkelje të Kushtetutës dhe parimeve bazë për ruajtjen e pavarësisë së pushtetit gjyqësor në Kosovë.

Komisioni i Venecias ndan mendimin se pagat për gjykatës duhet të korrespondojnë më dinjitetin e profesionit të gjykatësit dhe se paga adekuate është e një rëndësie të veçantë për të mbrojtur gjykatësin nga ndikimi i jashtëm.  Niveli i pagës duhet të vendoset në bazë të kushteve sociale, duke krahasuar nivelin e pagave të zyrtarëve më të lartë.  Caktimi i pagës duhet të bazohet në një standard të përgjithshëm  dhe të përcaktohet në  kritere objektive dhe transparente, dhe asesi në performancën individuale të gjykatësit.  Bonuset apo shtesat përfshin elemente  të diskrecionit dhe duhet të përjashtohen.

Qëndrim pothuajse të njëjtë lidhur me pagat e gjykatësve mban edhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara në komentin nr. 32, që ndërlidhet me zbatimin e nenit 14 të Konventës për të Drejtat Politike dhe Civile e Pplikueshme drejtëpërdrejtë në Kosovë.  Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës mban qëndrim të njëjtë përmes rekomandimit nr. R(94) 12, Parimi III, para, 1b.  Po ashtu neni 13 i Kartës Universale të Gjykatësve përcakton se gjykatësit duhet të pranojnë pagesë të mjaftueshme për të siguruar pavarësi të vërtëte ekonomike. Paga nuk duhet të bazohet në rezultate të gjykatësit, dhe nuk guxon të zvoglohet gjatë shërbimit të tij. Përderisa, mbrojtja e pavarësisë së gjykatësve është e garantuar edhe me Kushtetutë, siq është rasti i nenit 3 , seksionit i Kushtetutës së SHBA—ve që përmban ndalesë të drejtpërdrejtë për zvoglimin e pagesës së gjykatësit gjatë ushtrimit të funksionit të tij. Natyrisht, zvoglimi i pagës së gjykatësve ose prokurorëve mund të bëhet vetëm atëherë kur ndaj tyre shqiptohen masa disiplinore nga mekanizmat e brendshëm të llogaridhënies.

Po ashtu kërkesa e KGK-së dhe Vendimi i Qeverisë është në kundërshtim me frymën e ligjit për KGJK-në, i cili ligj është ndryshuar ndryshuar dhe plotësuar nga Kuvendi i Kosovës në korrik 2015, me qëllim të ruajtjës së pavarësisë së gjyqësorit të garantuar me Kushtetutë, duke paraparë që kërkesa për buxhet nga KGJK të drejtohet drejtpërdrejtë në Kuvendin e Kosovës, duke tejkaluar Qeverinë.

Vendimi i Qeverisë në rastin konkret tejkalon Kuvendin e Kosovës, duke marr kompetenca dhe përgjegjësi që me ligj i takojnë legjislativit, në rastin konkret Kuvendit të Kosovës.

IKD vlerëson se kompensimi dhe stimulimi i gjykatësve dhe prokurorëve, assesi nuk guxon të varet prej pushtetit ekzekutiv në formë të vendimeve ad hoc. Kjo formë krijon drejtpërdrejtë pasiguri juridike për pagat e gjykatësve dhe prokurorëve, ndikim dhe cenim të pavarësisë së tyre në ushtrimin e pavarur, të paanshëm dhe në mënyrë profesinale të funksionit të tyre të shenjtë.

Ky shqetësim i IKD-së, për të cilin ka reaguar publikisht vazhdimisht, është vërtetuar me praktikën e shtesave të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të cilat pushteti ekzekutiv i aprovon dhe refuzon, sipas vullnetit të tij.

IKD rikujton se pagat dhe kompensimi i gjykatësve dhe prokurorëve janë kategori ligjore dhe për të njëjtat nuk mund të krijohen praktika të kundërligjshme nga pushteti ekzekutiv, ku rritja e të ardhurave të gjykatësve dhe prokurorëve, bazohet në vullnetin e ekzekutivit, përmes vendimeve ad hoc.

IKD siç ka shprehur vazhdimisht përkrahjen për gjykatësit dhe prokurorët, kërkon që mbështetja e tyre financiare të rritet sa më shumë brenda mundësive të Buxhetit të Republikës së Kosovës, por kërkon që kjo të bëhet ekskluzivisht përmes ndryshimeve dhe plotësimeve ligjore dhe assesi përmes vendimeve ad-hoc  të pushtetit ekzekutiv.

Shqetësim tjetër në lidhje me vendimin e 15 janarit 2016 për shtesat e gjykatësve, është pabarazia që vendoset në mes të gjykatësve dhe prokurorëve të të njëjtit nivel, në këtë rast të Departamentit të Krimeve të Rënda. Në të gjitha vendet demokratike, shtetet që kanë krijuar legjislacionin që rregullon fushën e sistemit të drejtësisë, bazuar edhe në standardet ndërkombëtare, gjykatësit dhe prokurorët e të njëjtit nivel i trajtojnë në mënyrë të barabartë. Prandaj, IKD konsideron se përmes këtij vendimi selektiv, krijohet pabarazi dhe diskrimin i prokurorëve të Departamentit të Krimeve të Rënda, të cilët janë ekuivalent me gjykatësit e këtij departamenti.

IKD ka shprehur shqetësim me këtë mendësi të pushtetit ekzekutiv, i cili ka ndërtuar këtë praktikë edhe në të kaluarën me krijimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në të cilën prokurorët special vazhdimisht janë trajtuar me privilegje më të mëdha edhe në të ardhura, por që në të njëjtën mënyrë nuk janë trajtuar gjykatësit e Departamentit të Krimeve të Rënda, të cilët kanë gjykuar dhe gjykojnë pikërisht çështjet që ngrihen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Në këtë rast, IKD vlerëson se do duhej të themelohej një Departament ose Gjykatë Speciale, e cila do të merrej me trajtimin e rasteve që ngrihen nga Prokuroria Speciale dhe përmes dispozitave ligjore, do duhej të trajtoheshin si të barabartë në të gjitha sferat prokurorët dhe gjykatësit në këto institucione.

Duke vlerësuar këtë mënyrë të veprimit si lojë të pushtetit ekzekutiv dhe assesi si vullnet për të mbështetur sistemin gjyqësor dhe prokurorial, IKD konsideron se Qeveria e Republikës së Kosovës, duhet urgjentisht të rishqyrtojë vendimin e saj të 15 janarit 2015 për këto shtesa për kompensim prej 300 euro për gjykatësit dhe vullnetin e saj për të mbështetur gjykatësit dhe prokurorët ta shpreh përmes ndryshimeve ligjore, që këto të ardhura të sistemohen në ligj dhe assesi të mbesin vetëm si vendim ad hoc, i cili vlen vetëm për vitin 2016.

IKD përfundimisht i bën thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës që të trajtojë seriozisht barazinë e pushtetit gjyqësor me vetën e tyre, njëjtë sikurse garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në këtë drejtim, kërkon që të finalizohet sa më parë Projektligji për Pagat e Funksionarëve Publik, në të cilin do duhej të rregullohej konglomerati me pagat në të gjitha institucionet publike të Republikës së Kosovës. Në kuadër të këtij ligji, duhet të rregullohet edhe çështja e pagave të bartësve të funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale, i cili duhet të bëhet në mënyrë meritore, bazuar në parimet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës për barazinë e pushteteve.

IKD rikujton se pushteti ekzekutiv përmes këtij projektligji ishte përpjekur të degradonte pushtetin gjyqësor, duke ulur pagat ndjeshëm në krahasim me dy pushtetet tjera. Në vitin 2011, me hyrjen në fuqi të dispozitave të caktuara të Ligjit për Gjykata dhe Ligjin për Prokurorin e Shtetit, ishte mundësuar nivelizimi i pagave të gjykatësve dhe prokurorëve me ato të ekzekutivit, duke shënuar një hap të madh drejt barazisë të pushteteve dhe jetësimit të ndarjes së pushteteve ashtu siç garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim, projekt-ligji për pagat e funksionarëve publik duhet të përpilohet sa më parë dhe të shënojë progres në avancimin e pozitës së gjykatësve dhe prokurorëve, duke krijuar balanc ndërmjet pushteteve në Kosovë.