IKD: Prokuroria e Apelit punën e saj e bazon në shabllone, pa ndonjë ndikim real në vendimet e Gjykatës së Apelit

IKD: Prokuroria e Apelit punën e saj e bazon në shabllone, pa ndonjë ndikim real në vendimet e Gjykatës së Apelit

IKD: Prokuroria e Apelit punën e saj e bazon në shabllone, pa ndonjë ndikim real në vendimet e Gjykatës së Apelit

Prishtinë, 23 shtator 2020 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të mërkurën, ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka publikuar raportin “Prokuroria Pasive e Apelit”, i cili raport është rezultat i monitorimit dhe hulumtimit sistematik që IKD i ka bërë kësaj prokurorie gjatë tre viteve të fundit.

Drejtor ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj tha se Prokuroria e Apelit, shikuar për nga numrat, del se është ndër institucionet më efikase në Kosovë, më performancë thuajse 100% në trajtimin e lëndëve që pranojnë. Mirëpo, Miftaraj shtoi se përderisa me kuantitet kjo prokurori qëndron mirë, e kundërta është lidhur me kualitetin apo autoritetin që kjo prokurori ka në Gjykatën e Apelit, e që del se është barazi me zero.

Sipas Miftarajt, në bazë të monitorimit të IKD-së, del se prokurorët e kësaj prokurorie zyrën dhe funksionin e tyre e kanë kthyer në një zyrë postare e cila proceson shkresa dhe punën e tyre e bazon në praktika të shabllonëve. Përderisa, ankesat ndaj vendimeve hartohen nga prokurorët e shkallës së parë, prokurorët e apelit, punën e tyre e bazojnë kryesisht në hartimin e një propozimi shabllon, ku kërkohet nga Gjykata e Apelit ta aprovoj si të bazuar apo refuzoj ankesën e prokurorit, pa ndonjë elaborim apo argumentin të mirëfilltë dhe pjesëmarrje aktive në përmirësimin e kualitetit të ankesave që parashtrohen në Gjykatën e Apelit.

Ndërsa, Lavdim Bajraktari, hulumtues në IKD, tha se ajo çka e dallon në këtë rast Prokurorinë e Apelit nga prokuroritë themelore dhe PSRK, është se puna e kësaj prokurorie është e fokusuar kryesisht në analizimin e ankesave të cilat i hartojnë prokuroritë e shkallës së parë, palët e dëmtuara si dhe të akuzuarit me mbrojtësit e tyre dhe pas analizimit të këtyre ankesave dhe aktgjykimeve të shkallës së parë, kjo prokurori i drejtohet me një parashtresë Gjykatës së Apelit të cilës mund t’i propozojë aprovimin, hudhjen poshtë të ankesave apo ndryshimit të aktgjykimit.

Mirëpo, ndikimi real i këtyre të propozimeve të Prokurorisë së Apelit, në aktgjykimet që i merr gjykata e shkallës, sipas Bajraktarit, është thuajse plotësisht irelevant.

“Në vetëm një nga 100 aktgjykimet e Gjykatës së Apelit që janë analizuar për këtë hulumtim, del se propozimi i Prokurorisë së Apelit është përmendur dhe marrë parasysh në arsyetim të aktgjykimit. Në të gjitha arsyetimet e aktgjykimeve tjera, propozimet e Prokurorisë së Apelit janë inekzistente”, tha Bajraktari.

Sipas Bajraktarit, nga kjo del se vendimet e saj, Gjykata e Apelit thuajse në të gjitha rastet i bazon në ankesat që bëhen nga prokuroria themelore, palët e dëmtuara dhe ato të akuzuara, kurse ndikimi i propozimeve të Prokurorisë së Apelit del se është thuajse krejt i parëndësishëm.

Po ashtu, Bajraktari tha se shqetësuese në rastin e Prokurorisë së Apelit është edhe fakti se prokurorët e kësaj prokurorie, në shumicën dërrmuese të rasteve nuk prezantojnë në seancat e Gjykatës së Apelit. Sipas tij, përkundër se mos pjesëmarrja e prokurorëve të Prokurorisë së Apelit në seancat publike që mban Gjykata e Apelit nuk është pengesë procedurale për mbajtjen e seancave, përfaqësimi në këto seanca mbetet një ndër mundësitë e vetme që kanë prokurorët e Apelit, që të tregojnë edhe atë kreativitetin e tyre në argumentimin sa më të mirë para gjyqtarëve se pretendimet ankimore të dhëna nga prokurorët e shkallës së parë janë të bazuara.

“Nga 438 seancat që ka monitoruar IKD gjatë viteve 2018 dhe 2019, Prokuroria e Apelit kishte prezantuar në vetëm 4 % të tyre”, tha Bajraktari.

Tutje, Bajraktari shtoi se niveli i ankesave të ushtruara nga Prokurori i Shtetit e të cilat aprovohen nga ana e Gjykatës së Apelit vazhdon të jetë shumë i ulët duke përmendur statistikat e Raporteve të Mekanizmit Përcjellës Ndërinstitucional, sipas të cilave, niveli i ankesave të prokurorëve që aprovohen nga Gjykata e Apelit është më i ulët se 10 %.

Në fund, Bajraktari numëroi disa nga rekomandimet që IKD ka dhënë në këtë raport, ndër të cilat përfshihen ajo që Prokuroria e Apelit duhet të ndërtojë një qasje më pro aktive në mbrojtjen e ankesave të Prokurorit të Shtetit në Gjykatën e Apelit, pjesëmarrja e prokurorëve të Apelit në seancat e shkallës së dytë, që për dështimin e organit të ndjekjes në rastet në shkallë të dytë, KPK të mbajë përgjegjës edhe Prokurorinë e Apelit dhe të tjera.

 Për më tepër shkarkoni raportin e plotë në këtë link: http://kli-ks.org/prokuroria-pasive-e-apelit/