IKD: Prokuroria duhet ndjekë veprimet kriminale edhe para dhe pas ditës së votimit, përfshi financimin e dyshimtë të partive politike dhe shpërblimin e bizneseve përmes tenderëve publik

IKD: Prokuroria duhet ndjekë veprimet kriminale edhe para dhe pas ditës së votimit, përfshi financimin e dyshimtë të partive politike dhe shpërblimin e bizneseve përmes tenderëve publik

IKD: Prokuroria duhet ndjekë veprimet kriminale edhe para dhe pas ditës së votimit, përfshi financimin e dyshimtë të partive politike dhe shpërblimin e bizneseve përmes tenderëve publik

Prishtinë, 19 tetor 2018 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të premten, në Prishtinë, ka mbajtur tryezën “Parandalimi dhe luftimi i krimeve në zgjedhje: Procedurat Standarde të Veprimit përgjigja e duhur për krimet para, gjatë dhe pas ditës së votimit”, si aktivitet i projektit “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në proceset zgjedhore në Kosovë” në kuadër të Koalicionit për Integritet Zgjedhor (KIZ).”

Në këtë tryezë, u publikua raporti i IKD-së lidhur me efektet e zbatimit të Procedurave Standarde të Veprimit (PSV) në parandalimin dhe luftimin e manipulimit të zgjedhjeve si dhe nevojën për avancimin e këtyre PSV-ve për të hetuar krimet e zgjedhjeve në periudhat para dhe pas ditës së votimit në zgjedhje.

Pjesë e panelit të kësaj tryeze ishin Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje nga Prokurori i Shtetit (PSh), znj.Laura Pula, Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, z.Enver Peci, Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), z.Xhemail Peçani, Kryesuesi i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), z.Mulë Desku, hulumtuesi në Institutin Demokraci për Zhvillim, z.Rasim Alija dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, z.Ehat Miftaraj.

Në tryezë u tha se si rezultat i zgjedhjeve të vitit 2010, të cilat ishin përcjellë me shumë parregullsi, manipulime dhe reagim të faktorit vendor dhe ndërkombëtar, Kryeprokurori i Shtetit, sipas rekomandimeve të IKD-së, kishte vendosur të zbatonte një politikë proaktive për zgjedhjet e 3 nëntorit 2013, të bazuar në parandalim dhe në ndjekje proaktive të veprave penale kundër të drejtave të votimit. Duke u bazuar në legjislacionin pozitiv në Kosovë, PSh në bashkëpunim me IKD-në, kishte hartuar Memorandumin e Bashkëpunimit, përmes të cilit ishte krijuar një bashkëpunim ndër-institucional me të gjitha institucionet relevante të drejtësisë të përfshira në procesin e zgjedhjeve të 3 nëntorit 2013.

Si rezultat i Memorandumit të Bashkëpunimit, Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës me ndihmën e IKD-së kanë hartuar Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) për të rritur efikasitetin dhe efektivitetin e këtyre institucioneve për të reaguar në parandalimin dhe luftimin e kryerjes ë veprave penale që ndërlidhen me zgjedhjet. Rezultatet konkrete të këtij bashkëpunimi u dëshmuan gjatë gjithë procesit të zgjedhjeve 2013, por edhe të zgjedhjeve pasuese qoftë komunale apo të përgjithshme deri në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtur më 11 tetor 2017, në të cilat pati ulje drastike të rasteve të manipulimit të zgjedhjeve. Për dallim prej vitit 2010, ku ishin ngritur kallëzime penale ndaj mbi 4000 personave, në zgjedhjet 2013 ky numër është ulur në kallëzime penale ndaj 261 personave. Ky trend ka vazhduar të ulët edhe në zgjedhjet nacionale 2014, në të cilët ishin ngritur kallëzime penale ndaj 40  personave, ndërsa në zgjedhjet 2017, ky numër ka rënë në 27 persona. Në këtë drejtim u vlerësua se zbatimi efikas i PSV-ve kanë qenë trungu i bashkëpunimit të paparë deri në zgjedhjet e viti t2013 sa i përket hetimit dhe ndjekjes së krimeve të caktuara në Kosovë, duke rritur gatishmërinë e veprimit nga policia dhe prokuroria.

Pjesëmarrësit vlerësuan se dita e votimit, bazuar në praktikat e deritashme, nuk do të jetë më problematike, nëse institucionet e drejtësisë, do të zbatojnë me përpikëri PSV-të dhe obligimet ligjore në parandalim dhe ndjekje të kryesve të veprave penale kundër të drejtës së votimit. Problem, mbeten format tjera të manipulimit të proceseve zgjedhore dhe keqpërdorimit të
drejtës së votuesve. Fjala është për keqpërdorimet që ndodhin para dhe pas ditës së votimit në procesin e zgjedhjeve.
Në këtë drejtim, IKD ka vlerësuar se krimet e zgjedhjeve janë të ndërlidhura me aktivitete tjera kriminale, të cilat ndërlidhen me zgjedhjet por nuk fillojnë dhe nuk mbarojnë me ditën e votimit. Në këtë drejtim, përfshihen disa faza dhe fenomene të ndryshme, të cilat burojnë nga mënyra e dyshimtë e financimit të partive politike, çështje kjo, e cila është ngritur vazhdimisht nga IKD dhe organizatat tjera të shoqërisë civile.

Në këtë fazë, IKD ka rekomanduar që PSh të caktojë prokurorë të veçantë për zgjedhjet për secilën komunë të Kosovës, të cilët do të fokusoheshin në monitorimin e aktiviteteve të fushatës parazgjedhore, përmes hetuesve të veçantë, përmes informacioneve që publikohen në media dhe duke ofruar qasje për publikun për të informuar në një linja të sigurta të komunikimit në mënyrë anonime përmes telefonit dhe internetit. Në këtë formë, do të mundësohej fillimisht parandalimi i financimit të dyshimtë të partive politike, të cilat, pas informimit që PSh do të hetoi këto veprimtari të financimit, do të minimizonin aktivitetet e financimit të dyshimtë dhe më pas poqëse do të ndodhnin këto veprime të dyshimta, do të ndiqeshin me efikasitet nga organet e ndjekjes.

IKD ka vlerësuar se pas përfundimit të ditës së votimit dhe shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, PSh duhet të ndërmarr veprime në drejtim të analizimit të veprimeve në fushën e prokurimit publik, fushë kjo në të cilën buxheti publik keqpërdoret në formën e shpërblimit të bizneseve dhe financuesve të tjerë, të cilët kanë financuar partitë politike apo kandidatët e caktuar në
fushatë parazgjedhore.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile që kontribuan me diskutim në këtë tryezë, theksuan se OJQ-të vazhdimisht kanë ngritur problematikën e financimit të dyshimtë të partive politike dhe shpërblimin e bizneseve që kanë financuar partitë politike me tenderë publik. Në këtë drejtim, ata u pajtuan se PSV-të para dhe pas ditës së votimit, do të shërbenin për hetim dhe ndjekje
efikase dhe efektive të lidhjeve kriminale, përmes financimit të ndërsjellë të partive politike dhe bizneseve.

Për më tepër shkarkoni raportin në shqip, anglisht dhe serbisht.

##

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).