IKD: Qeveria në mënyrë të kundërligjshme merr kompetenca dhe përgjegjësi të Kuvendit, Kosova ende pa Strategji Shtetërore dhe Plan të Veprimit për luftimin e korrupsionit

IKD: Qeveria në mënyrë të kundërligjshme merr kompetenca dhe përgjegjësi të Kuvendit, Kosova ende pa Strategji Shtetërore dhe Plan të Veprimit për luftimin e korrupsionit

IKD: Qeveria në mënyrë të kundërligjshme merr kompetenca dhe përgjegjësi të Kuvendit, Kosova ende pa Strategji Shtetërore dhe Plan të Veprimit për luftimin e korrupsionit

Prishtinë, 7 tetor 2018 – Pushteti ekzekutiv – Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon trendin e marrjes së vendimeve të kundërligjshme, duke marrë në këtë mënyrë kompetencat dhe përgjegjësitë e një pushteti tjetër – Kuvendit të Kosovës.

Luftimi i korrupsionit në Kosovë vazhdon të mbetet në letër në top agjendat e institucioneve shtetërore, por praktikisht institucionet e Kosovës nuk e kanë një Strategji Shtetërore dhe Plan të Veprimit për luftimin e korrupsionit. Kjo për arsye se Qeveria ka miratuar Strategjinë Shtetërore dhe ka urdhëruar zbatimin e saj, në vend se një gjë të tillë ta kalon për votim në Kuvendin e Kosovës, ashtu siç përcaktohet me ligj.

Në përputhje me obligimet ligjore, Agjencia Kundër Korrupsionit, kishte dërguar në Qeverinë e Kosovës Strategjinë Shtetërore Kundër Korrupsionit 2018-2022 dhe Planin e Veprimit, të cilat janë miratuar nga Qeveria në mbledhjen e mbajtur më 23 mars 2018, përmes vendimit Nr. 02/37.

Vendimi i Qeverisë lidhur me miratimin e Strategjisë Shtetërore Kundër Korrupsionit 2018-2022 dhe Plani i Veprimit kishte përcaktuar se vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit, duke obliguar Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe institucionet tjera kompetente për zbatimin e vendimit.

IKD vlerëson se vendimi i Qeverisë bie në kundërshtim me mandatin dhe kompetencat e Qeverisë së Kosovës, duke marr kompetencat dhe përgjegjësitë që me ligj i takojnë Kuvendit të Kosovës. Ligji për Agjencinë Kundër Korrupsion në nenin 16 ka përcaktuar se Agjencia, në bashkëpunim me Qeverinë dhe institucionet e tjera qeveritare dhe joqeveritare harton Strategjinë Kundër Korrupsionit. Agjencia përmes Qeverisë paraqet për miratim Strategjinë Kundër Korrupsionit në Kuvendin e Kosovës, dokument i cili përmban politikat kundër korrupsionit që duhet të zbatohen nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal.

Qeveria përmes vendimit të kundërligjshëm, ka miratuar Strategjinë Shtetërore Kundër Korrupsion dhe ka urdhëruar zbatimin e saj, pa u miratuar nga Kuvendi, dhe të njëjtin vendim e ka dërguar në Kuvendin e Kosovës. Ky i fundit, përmes Komisionit për Legjislacion ka kthyer mbrapshtë vendimin e Qeverisë, duke vlerësuar se Qeveria ka zbatuar kompetenca të Kuvendit dhe ka kërkuar që vendimi të nxirret në përputhje me ligjin në Qeveri dhe më pas të dërgohet për miratim në Kuvendin e Kosovës. Qeveria prej miratimit të këtij vendimi në mars 2018, ende nuk e ka dërguar në Kuvend vendimin e ndryshuar në përputhje me ligjin për Strategjinë Kundër Korrupsionit dhe rrjedhimisht Republika e Kosovës më shumë se gjashtë muaj nuk ka Strategji Shtetërore Kundër Korrupsionit.

IKD vlerëson se kjo situatë shkakton dëme të mëdha, duke pasur parasysh faktin se Strategjia Shtetërore Kundër Korrupsionit do të duhej të fillonte së zbatuari në vitin 2018, pas miratimit nga ana e Kuvendit të Kosovës, sipas procedurave të përcaktuara me ligj, ndërsa tani jemi pothuajse në fund të vitit 2018, dhe e njëjta Strategji ende nuk është proceduar në Kuvendin e Kosovës sipas obligimeve ligjore.

Raporti i Progresit për Kosovën i vitit 2018, kishte konstatuar se Strategjia dhe Plani i Veprimit Kundër Korrupsionit 2018-2022 janë hartuar pas një procesi konsultativ, si dhe janë miratuar në mars të vitit 2018. Tutje, thuhet se Qeveria ende ka nevojë të demonstrojë lidership të vërtetë, aftësi për të praktikuar planifikim paraprak, si dhe vullnet për të ndarë resurse adekuate për luftën ndaj korrupsionit. Kredibiliteti i saj do të varet nga resurset e ndara për implementimin e tyre. Duhet themeluar edhe një mekanizëm monitorues për të vlerësuar rregullisht ndikimin e strategjisë dhe planit të veprimit.

Qeveria e Kosovës duke mos proceduar këtë strategji sipas kërkesave ligjore në Kuvend është duke dëshmuar se e njëjta vazhdon me ushtrimin e kundërligjshëm të kompetencave dhe përgjegjësive, duke i ushtruar kompetenca dhe përgjegjësi që i takojnë pushtetit legjislativ – Kuvendit të Kosovës, si dhe duke mos marr për bazë adresimin e konstatimeve dhe kërkesave të Bashkimit Evropian lidhur me parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Një qasje e tillë e Qeverisë bie po ashtu në kundërshtim edhe me vullnetin dhe qëllimin e shprehur nga ana e Qeverisë përmes miratimit të te njejtës për të pas qasje “zero tolerancë” ndaj korrupsionit, dhe për të vazhduar me parimet tjera siç është: Ndërtimi i integritetit, përgjegjësisë dhe transparencës në punën e organeve të administratës publike dhe forcimin i besimit të qytetarëve në institucionet publike; Përmirësimi i legjislacionit dhe fuqizimi i kapaciteteve institucionale për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit; dhe Ndërgjegjësimi dhe edukimi i publikut të gjerë në fushën kundër-korrupsionit.

Ndryshe, Agjencia Kundër Korrupsionit në mars 2017, kishte marr vendim për themelimin e grupit teknik punues për zhvillimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit kundër Korrupsionit 2018-2022. Në hartimin e kësaj strategjie në grup punues kanë marr pjesë institucionet përgjegjëse për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit dhe sundimit e ligjit në Kosovë, përfshirë përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias, si dhe ishin zhvilluar konsultime me ekspertë të jashtëm të angazhuar nga partnerët ndërkombëtarë në Kosovë.