Prishtinë, 28 qershor 2022 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të martën, ka publikuar raportin me titull “Gjykimet Speciale”. Raporti i IKD-së vie si rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë dhe sistematik që IKD i ka bërë punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Hulumtuesja e IKD-së, Medina Kadriu, ka thënë se Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, megjithëse janë themeluar para pothuajse shtatë viteve, kanë treguar jo efikasitet në kryerjen e misionit të tyre.
Ajo ka bërë të ditur se deri më tani pranë kësaj gjykate janë katër raste në proces, ku rasti ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe rasti i Pjetër Shalës janë në fazë paraprake, kurse rasti ndaj Salih Mustafës gjendet në fazë të gjykimit. Ndërkaq, sipas saj, rasti ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj që ndërlidhet me vepra penale për pengimin e administrimit të drejtësisë ka përfunduar gjykimin në shkallë të parë dhe tani është në fazën e apelimit.
Kadriu ka thënë se në krahasimin e bërë mes Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, vihet re një disproporcion i madh kohor i ndërmarrjes së veprimeve nga këto dy institucione.
“ Përderisa në të parën vetëm një vit pas themelimit është ngritur aktakuza e parë, ZPS-së i janë dashur pothuajse pesë vite nga themelimi që të ngrisë aktakuzat e para, pa numëruar këtu edhe kohën nga krijimi i Task Forcës Hetimore Speciale (TFHS) që kishte funksionuar brenda Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës nga viti 2011. Derisa në Gjykatën Speciale gjykimi i parë ka filluar tek më 15 shtator 2021, 6 vite pas themelimi, në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë nga viti 1996 deri në vitin 2004, pra për një periudhë kohore prej tetë vitesh, kanë përfunduar në shkallë të parë 32 raste”, ka deklaruar hulumtuesja Kadriu.
Sipas saj, duhet kujtuar fakti se ish-Tribunali i Hagës ka hasur edhe në vështirësi pasi është varur nga vullneti i shteteve sa i përket bashkëpunimit me ta, meqenëse këto shtete nuk e kanë pasur obligim bashkëpunimin dhe përgjigjen në kërkesa të tyre.
“Ndërsa, Kuvendi i Republikës së Kosovës me legjislacion ia ka deleguar kompetencat Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e këtyre rasteve, ku institucionet e Republikës së Kosovës janë të obliguara që t’i përgjigjen kërkesave të prokurorisë e gjykatës”, ka thënë tutje ajo.
Kadriu po ashtu tha se redaktimet e tepërta në aktakuza dhe prova, vonesat në nxjerrjen e provave, nxjerrja e shumë provave përnjëherë, vonesat në përkthime janë disa nga mangësitë që IKD i ka identifikuar gjatë monitorimit sistematik të katër rasteve në proces në DhSK.
Sipas saj, qasje joserioze e prokurorisë është vërejtur edhe në rastin e Thaçit e të tjerëve, ku kjo prokurori, kishte deklaruar që fillimi i gjykimit në këtë rast të jetë në verën e të vitit 2021, ndërkaq të njëjtën nuk e ka dorëzuar deri me 17 dhjetor 2021. Kurse, shqetësuese ka konsideruar edhe akuzën që mbrojtja e Thaçit i ka bërë prokurorisë për mbajtje të fshehtë të provave shfajësuese nga gjykata e mbrojtje, duke pasur parasysh obligimin ligjor që prokuroria ka që të njoftoj mbrojtjen për të gjitha provat shfajësuese që i ka në kontroll, posedim, apo njohuri.
“Të gjitha këto padyshim se janë shqetësuese sa i përket njërit ndër parimeve bazë të procedurës penale e që është parimi i barazisë së armëve, ku barabarësia në mes palëve nuk mund të paramendohet si e arritshme, nëse njëra palë vazhdimisht gjendet në pozitë të vështirësuar. Ky parim është aspekt themelor i së drejtës për proces të drejtë dhe prokurori dhe i pandehuri kanë të drejta dhe obligime të barabarta. Po ashtu, e drejta për qasje në shkresat e lëndës është parakusht për barazinë e palëve dhe është esenciale për proces të drejtë dhe të paanshëm. çdokush që është palë në proces duhet të ketë mundësi të barabartë që të paraqesë çështjen e vet dhe se asnjë palë nuk duhet të gëzojë ndonjë avantazh të konsiderueshëm ndaj palës tjetër”, ka thënë Kadriu.
Tutje, ajo tha se të akuzuarit kanë të drejtë themelore që të gjitha provat dhe të gjitha shkresat, të cilat do të përdoren kundrejt tyre nga ana e prokurorisë t’i posedojnë në gjuhën që e kuptojnë dhe flasin, si dhe të jenë në njohuri për të gjithë rastin që prokuroria ka ndërtuar ndaj tyre.
Si faktor që krijon pasiguri juridike për të akuzuarit, ajo e ka konsideruar vazhdimin e hetimeve pas ngritjes së aktakuzave dhe ngritjen e akuzave të reja në mes të procesit gjyqësor, pasi sipas saj, kjo nuk i kontribuon ekonomizimit të procedurës penale dhe ndikon në stërzgjatjen e procedurave, që bie ndesh me parimin për gjykim të drejtë në kohë të arsyeshme.
Kadriu ka thënë se ZPS pa cenuar konfidencialitetin e hetimeve duhet të informoj publikun se si ka ardhur deri te rrjedhja e dokumenteve konfidenciale dhe cilat janë veprimet që kanë ndërmarrë lidhur me ndriçimin e rastit dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.
Problematikë tjetër nga IKD është konsideruar edhe fakti se që nga viti 2020, nuk ka pasur asnjë njoftim lidhur me atë se a është iniciuar ndonjë procedurë e re penale nga prokuroria apo a është konfirmuar ndonjë aktakuzë.
Në anën tjetër, hulumtuesi i IKD-së, Lavdim Makshana, tha se IKD i rekomandon DhSk dhe ZPS që transparencën dhe llogaridhënien ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës ta zbatojë në përpikmëri në praktikë.
Po ashtu, ai tha se ZPS-së dhe DhSK-së në procedurë penale duhet të respektojnë parimin e barazisë së armëve dhe se qasja në shkresa të lëndës është parakusht për barazinë e palëve dhe esenciale për proces të drejtë gjyqësor, ashtu siç e garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktet e ndryshme ndërkombëtare që gjejnë zbatim të drejtpërdrejt.
Sipas Makshanës, ZPS-së dhe DhSK-së që duhet të respektojnë të drejtën e të pandehurve për të pasur mbrojtje efektive, andaj rekomandohet që sa më shpejtë të përfundoj nxjerrja e plotë e materialeve qoftë atyre inkriminuese, qoftë shfajësuese, të dorëzohen materialet e përkthyera në gjuhën që të akuzuarit kuptojnë dhe flasin.
“IKD rekomandon që i gjithë procesi i nxjerrjes së materialeve të bëhet brenda kohës së arsyeshme dhe pa zvarritje të cilat shkaktojnë shkeljen e të drejtave të pandehurve”, ka thënë Makshana.
Për më tepër gjeni të bashkangjitur raportin e plotë në gjuhën shqipe “Gjykimet-Speciale” dhe në gjuhën angleze “Special-Trials”.