Prishtinë, 20 nëntor 2015 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike në Prishtinë, publikon raportin “Korrupsioni në Kosovë 6: Raport vlerësues periodik mbi efikasitetin e sistemit prokurorial në zbatimin e planit të veprimit për rastet e korrupsionit”. Ky raport analizon zbatimin e Planit të Veprimit për rastet e korrupsionit prej hyrjes në fuqi më 4 nëntor 2013 deri më 30 qershor 2015, me fokus në aktivitetet e prokurorive në luftën kundër korrupsionit në tre mujorin prill, maj, qershor 2015.
IKD ka vendosur indikatorë përmes të cilëve, ka bërë matjen e zbatimit të Planit të Veprimit për lëndët e vjetra të regjistruara deri më 4 nëntor 2013. Zgjidhja e këtyre rasteve ka qenë prioritet absolut prej hyrjes në fuqi të Planit të Veprimit, por në praktikë kjo nuk është dëshmuar. Bazuar në indikatorin e IKD-së për matjen e zbatimit të Planit të Veprimit, rezulton se prokuroritë kanë zgjidhur raste ndaj 937 personave apo kanë arritur të zbatojnë 57% të Planin e Veprimit. Sikurse në periudhat paraprake për të cilat kishte raportuar IKD, edhe për këtë periudhë raportuese PTh në Prishtinë vazhdon të jetë prokuroria me efikasitetin më të dobët në përmbushjen e obligimeve të Planit të Veprimit. Pason PSRK, e cila ka arritur të zgjidhë mbi gjysmën e rasteve të vjetra, ndërsa prokuroritë tjera kanë përqindje më të madhe të zgjidhjen e rasteve të vjetra.
Mekanizmi i vetëm funksional, i cili ka dhënë shenja se është duke bërë përpjekje për të zbatuar ligjin në rastet e shkeljeve ligjore nga ana prokurorëve, mbetet Zyra e Prokurorit Disiplinor, e cila sipas detyrës zyrtare ka iniciuar një numër të madh të rasteve disiplinore, bazuar në gjetjet e raporteve të IKD-së. Një numër i madh i këtyre rasteve tashmë gjenden në Komisionin Disiplinor të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Raporti përmban analizën e detajuar për performancën e secilës prokurori dhe rekomandimet konkrete për të shtuar efikasitetin dhe efektivitetin e zbatimit të Planit të Veprimit për trajtimin e rasteve të korrupsionit nga prokuroritë.