IKD: Ndërmarrjet publike funksionojnë larg syve të publikut

IKD: Ndërmarrjet publike funksionojnë larg syve të publikut

IKD: Ndërmarrjet publike funksionojnë larg syve të publikut

Prishtinë, 9 Dhjetor 2023: Në kuadër të “Javës kundër Korrupsion 2023”, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) të shtunën ka publikuar raportin “Ndërmarrjet publike larg syve të publikut”, i cili raport përmban të gjeturat lidhur me nivelin e transparencës së 17 Ndërmarrjeve Publike.

Aurela Mërlaku, hulumtuese në IKD, nënvizoi se në dhjetor të vitit 2022, përmes një raporti të publikuar, IKD gjente mungesë serioze të transparencës në punën e ndërmarrjeve publike (NP). Sipas saj, edhe gjatë vitit 2023, gjendja në thelb nuk ka ndryshuar, në atë mënyrë që NP vazhdojnë të operojnë në mungesë të theksuar të transparencës.

Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, ka prezantuar te gjeturat e raportit, ku ka theksuar se janë gjithsej 12 NP, në faqet zyrtare të të cilave nuk ka fare të dhëna lidhur me zyrtarin për qasje në dokumente publike. Shala theksoi se IKD ka evidentuar një ndërmarrje publike që nuk ka fare faqe zyrtare.

Sipas Shalës, problematike është mospublikimi i vendimeve të NP.

“Nëse analizojmë numrin e vendimeve të publikuara në faqet zyrtare, 17 ndërmarrje publike, kanë publikuar gjithsej vetëm 21 vendime. Këto 21 vendime janë publikuar nga vetëm shtatë NP. Kështu, 10 NP, përfshirë edhe një që nuk ka fare faqe zyrtare, nuk kanë të publikuara asnjë vendim. Ndërsa, IKD gjeti se parimi kushtetues i dygjuhësisë nuk u respektua as në këto pak raste, për shkak se vendimet nuk u publikuan edhe në gjuhën serbe”, tha Shala gjatë konferencës për media.

Shala shtoi se IKD gjatë këtij viti ka evidentuar progres lidhur me publikimin e raporteve vjetore.

“Nga 17 NP objekt i këtij raporti, dy prej tyre nuk kanë publikuar fare raporte vjetore në faqet e tyre zyrtare, derisa njëra NP nuk ka fare faqe zyrtare. Ndërsa, 14 NP të tjera e kanë publikuar raportin vjetor. Krahasuar me vitin paraprak ku IKD kishte gjetur se vetëm nëntë NP e kanë publikuar raportin vjetor, këtë vit ka një progres në këtë drejtim. Përkundër kësaj, nuk mund të anashkalohet si problematikë pamundësia e publikut për tu qasur në raportet vjetor të tri NP”, theksoi Shala.

Krejt në fund, Shala theksoi se IKD në këtë raport ka evidentuar mungesë të monitorimit të NP. Sipas tij, nisur nga mungesa e theksuar e dokumenteve në faqet zyrtare të NP, potenciali për ankesa për qasje në dokumente publike në Agjencinë për Informim dhe Privatësi është shumë i lartë, por se gjatë vitit 2023, AIP pranoj ankesa vetëm ndaj katër NP, ndaj të cilave, në total, u parashtruan nëntë ankesa.

Java Kundër Korrupsion organizohet falë mbështetjes së Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL).

Raportin e publikuar e gjeni në këtë link.