Prishtinë, 9 Dhjetor 2023: Në kuadër të Javës kundër Korrupsionit, IKD sot ka publikuar raportin “Auditimi jofinanciar nga ZKA: Ndërhyrje në sistemin e drejtësisë”. Në këtë raport, IKD ka gjetur se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka tejkaluar kompetencat e veta dhe ka ndërhyrë në drejtësi përmes publikimit të raportit që ka për objekt vlerësimin e trajtimit të rasteve të dhunës në familje.
Pas publikimit të këtij raporti, ZKA ka publikuar një sqarim, duke pretenduar se gjetjet e IKD janë të paqëndrueshme.
Paraprakisht, duhet theksuar se ZKA ka dërguar përgjigje me shkrim lidhur me këtë çështje para fillimisht të draftimit të raportit në fjalë. Ndërsa, raporti i publikuar sot nga IKD, si draft, i është dërguar ZKA për komente, por se të njëjtit nuk kanë dërguar komente deri në ditën e publikimit të këtij raporti.
Në sqarim e publikuar, ndër të tjera, ZKA fillimisht thekson se “Objektivë e këtij auditimi ishte vlerësimi nëse institucionet përgjegjëse ndërmarrin aktivitetet e duhura për trajtimin efektiv të rasteve të dhunës në familje. Ndër institucionet përgjegjëse, në këtë auditim janë përfshirë edhe prokuroria themelore dhe gjykatat themelore” duke shtuar se ZKA “…nuk ka audituar performancën profesionale të gjykatave dhe prokurorive, respektivisht performancën e prokurorëve dhe gjyqtarëve që merren me rastet e dhunës në familje, siç pretendohet”. Mirëpo, në këtë sqarim, ZKA nuk tregon se çfarë ka audituar, nëse jo performancën profesionale të gjykatave dhe prokurorive.
Në përmbledhjen ekzekutive të Raportit të Performancës lidhur me trajtimin e rasteve të dhunës në familje, ndër të tjera, ZKA thekson se “…ky auditim është fokusuar në procesin e trajtimit të rasteve të raportuara të dhunës në familje, që nga momenti raportimit në polici deri tek përcjellja e rasteve në gjykata…”. Po ashtu, thuhet se “…nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave…” si dhe “…Sistemi shtetëror ka mangësi në angazhimin e hetuesve primar, përfshirje të mbrojtësve të viktimave, shqyrtim të rasteve me kohë nga organet e drejtësisë, si dhe regjistrim të rasteve të raportuara…”. Vonesat në trajtimin e këtyre rasteve, është një tjetër gjetje e këtij raporti. Nëse analizohen rekomandimet, pothuajse asnjë prej tyre nuk ka të bëjë me veprimet financiare, por me veprimet profesionale të KGJK dhe KPK. Ndër të tjera, rekomandimet kanë të bëjnë me afatin e njoftimit të viktimave, informimin e viktimave të rreth procesit gjyqësor, zhvillimin e programeve dhe aktiviteteve psikologjike të nevojshme për trajtimin e viktimave, gjurmimi me saktësi rastet e dhunës në familje, referimet dhe procedurat e trajtimit, prioritizimi i rasteve etj. Asnjë prej këtyre çështjeve nuk ndërlidhet as për së afërmi me veprimet ekonomike dhe financiare.
Të gjitha këto çështje janë aspekt profesional i menaxhimit të sistemit të drejtësisë. Për këtë, Kushtetuta kompetencë i ka dhënë KGJK dhe KPK dhe jo ZKA. Ndër të tjera, Kushtetuta [neni 108] ka përcaktuar se KGJK “…është përgjegjës për inspektimin gjyqësor, administrimin gjyqësor, përpilimin e rregullave për gjykatat në pajtim me ligjin, punësimin dhe mbikëqyrjen e administratorëve të gjykatave…”. Ndërsa, për ZKA, Kushtetuta thekson se “…është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar…”. Kështu, vet Kushtetuta ka ndarë këto role. Përzierja e ZKA-së në kompetencat e KGjK dhe KPK paraqet tejkalim të kompetencave të saj dhe ndërhyrje në kompetencat e KGjK dhe KPK, ngjashëm sikurse një auditim eventual financiar nga KGjK dhe KPK do të ndërhynte në kompetencat e ZKA.
Lidhur me çështjet të cilat trajtohen në raportin e publikuar nga ZKA, KGJK dhe KPK kanë ndërmarrë veprime të ndryshme. Psh. Rekomandimi për prioritizim adekuat të lëndëve është dhënë nga Kominiteti i Etikës të KGjK. Në këtë situatë, nëse kjo kompetencë do t’i takonte ZKA, atëherë paraqiten dy institucione kushtetuese me kompetencën e njëjtë.
Tutje, në njoftimin e publikuar nga ZKA thuhet se “Standardet Ndërkombëtare si INTOSAI-P1 Deklarata e Limës, neni 18. 3 dhe INTOSAI -P10 Deklarata e Meksikës, parimi 3, janë baza kryesore të cilave ZKA ju referohet dhe e mbështet punën e saj. Edhe sipas tyre, kompetencat dhe përgjegjësitë e auditimit për Auditorin e Përgjithshëm janë shumë më të gjera se sa vetëm financiar, siç interpretohet në disa paragrafë të këtij raporti”. Neni 18.3. i INTOSAI-P1 thekson se të gjitha veprimet financiare, pavarëisht nëse janë ose jo pjesë e buxhetit, do të jenë objekt i trajtimit të institucioneve të auditimit, derisa përjashtimi i financimit nga buxhetet nacionale nuk nënkupton përjashtimin e kompetencës për auditim. Kështu, pikërisht ky nen e kundërshton haptazi pretendimin e ZKA, duke e kufizuar rolin e saj vetëm në aspektin financiar. Në këtë mënyrë, jashtë kontekstit, janë cituar edhe nene të tjera nga dokumente ndërkombëtare. Kështu, nuk është e saktë ajo që thuhet në sqarimin e ZKA se “[e]dhe sipas tyre, kompetencat dhe përgjegjësitë e auditimit për Auditorin e Përgjithshëm janë shumë më të gjera se sa vetëm financiar, siç interpretohet në disa paragrafë të këtij raporti”. Për më tepër, vet këto dokumente [INTOSAI-P10, parimi 3] theksojnë se institucionet supreme të auditimit nuk duhet të përfshihen apo të duken se përfshihen në menaxhimin e organizatave që ata auditojnë.
Tutje, në sqarimin e publikuar nga ZKA, thuhet se “ZKA-ja për opinionin publik thekson se çdo element i performancës së institucioneve publike është i ndërlidhur me menaxhimin e drejtë dhe efikas të fondeve buxhetore të ndara për përmbushjen e detyrave zyrtare. Në baza vjetore, nga buxheti i shtetit ndahen për KGJK-në dhe KPK-në më shumë se 50 milionë euro”. Por, ZKA nuk ka sqaruar se si mund të konsiderohet prioritizimi i lëndëve gjyqësore apo çështje të tjera të kësaj natyre menaxhim i fondeve. Sa i përket buxhetit të ndarë, buxheti ndahet për të gjitha institucionet publike. Sipas kësaj logjike se KGJK dhe KPK marrin buxhet mbi 50 milion euro, atëherë do të nënkuptonte se ZKA ka kompetencë edhe auditimin e vendimeve gjyqësore. Për këtë arsye, dhënia e buxhetit për institucionet publike nuk i jep kompetenca të pakufizuara ZKA për të ndërhyrë në punën e të gjitha institucioneve publike.
Sa i përket asaj që thuhet në njoftimin e ZKA, se ky institucion auditime të kësaj natyre ka kryer edhe vite më parë, IKD i rikujton këtij institucioni se gabimet e disa viteve më parë nuk janë bazë për përsëritjen e tyre. Baza për funksionimin e ZKA është Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që përcakton se ZKA “…është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar” dhe jo gabimet paraprake të ZKA-së.
IKD pajtohet se çështja e trajtimit të rasteve të dhunës në familje paraqet interes të lartë publik. Kjo është arsyeja pse IKD monitoron dhe hulumton veprimet e institucioneve në këto raste, publikon raporte mbi trajtimin e këtyre rasteve, ofron ndihmë juridike në këto raste etj. Për më tepër, IKD ka përfaqësuar raste të vrasjes së grave në Gjykatën Kushtetuese, ku kjo Gjykatë kishte konstatuar shkelje të së drejtës në jetë, vendim ky i cilësuar nga Raporti i Progresit si vendim historik. Mirëpo, niveli i lartë i interesit publik, në asnjë rast, nuk arsyeton tejkalimin e kompetencave nga një institucion.
Për më tepër, raporti i ZKA-së lidhur me trajtimin e rasteve të dhunës në familje është cilësuar si ndërhyrje edhe nga vet KGJK. Vet Kryesuesi i KGJK, Albert Zogaj ka thënë se nuk do të lejojë kurrë që Zyra Kombëtare e Auditimit t’i fusë duart në lëndët e gjykatave.
Duhet theksuar se IKD vazhdimisht ka përkrahur punën e ZKA, duke kritikuar Prokurorin e Shtetit për mos trajtim adekuat të raporteve të ZKA-së. Por, IKD assesi nuk mund të pajtohet me tejkalimin e kompetencave të këtij institucioni.
Krejt në fund, IKD i bënë thirrje publike ZKA-së, KGjK dhe KPK që të hënën me 11 dhjetor 2023, nga ora 20:10, në emisionin “Tempus” të zhvillojmë një debat publik lidhur me këtë çështje.