Prishtinë, 29 mars 2018 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike në Kosovë dhe NED, të enjten, ka mbajtur tryezën me titull “Luftimi i korrupsionit pa kontroll të gjyqësorit”. Në këtë tryezë, u publikua raporti “Luftimi i korrupsionit pa kontroll të gjyqësorit: Persekutimi dhe amnistia e përligjur në emër të korrupsionit”, si rezultat i monitorimit të trajtimit të rasteve të korrupsionit në sistemin prokurorial dhe sistemin gjyqësor dhe institucione e tjera të zbatimit të ligjit.
Pjesë e panelit të kësaj tryeze ishin Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Ruairi O’Connell, Kryetari i Këshillit Gjyqësor z. Nehat Idrizi, Kryetari i Këshillit Prokurorial, z. Blerim Isufaj, Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari dhe Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, z. Shaip Havolli dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, z. Betim Musliu.
Musliu ka prezantuar gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet e monitorimit sistematik të trajtimit të rasteve të korrupsionit nga gjykatat dhe prokuroritë, duke theksuar se fokusi i këtij raporti ka qenë në mungesën e kontrollit gjyqësor mbi rastet e hetimeve parapenale dhe hetimeve penale. “Gjetjet e monitorimit sistematik të IKD-së dëshmojnë se në fazën parapenale dhe fazën e hetimit penal nuk ka kontroll të gjyqësorit. Si rezultat i kësaj, në njërën anë mijëra qytetarë padrejtësisht janë persekutuar me dekada duke u mbajtur në evidenca penale. Në anën tjetër, janë amnistuar qindra të dyshuar për vepra penale edhe të korrupsionit, për shkak të mungesës së kontrollit gjyqësor. Republika e Kosovës zbaton praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, prandaj duhet të krijohet mundësia e mjetit juridik në këto vendime të prokurorëve dhe poashtu qasjes së qytetarëve në gjykatë. Urgjentisht duhet të adresohet çështja e pushtetit diskrecional të prokurorëve, e cila po vërtetohet se po keqpërdoret dhe këtu gjendet edhe një prej arsyeve të mungesës së rezultateve në luftimin e korrupsionit të profilit të lartë”.
Ambasadori i Britanisë së Madhe, z. Ruairi O’Connell, në fjalën hyrëse tha se Kosova dhe institucionet e saj, sidomos institucionet e drejtësisë, e kanë për obligim ta kthejnë besimin e qytetarëve duke shënuar rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.” Shoqëria civile në anën tjetër nuk ka për detyrë të kthej besimin e qytetarëve në organet e drejtësisë, nuk është në kompetencën e tyre, ata janë për të monitoruar, për të bërë jehonë e zërit të qytetarëve edhe për të ofruar sugjerime por struktura shtetërore si Këshilli Gjyqësor edhe Prokurorial edhe të tjerët kanë për detyrë dhe obligim ligjor të bëjnë një gjë të tillë.”
Ambasadori O’Connell, theksoi se nuk ka luftim të korrupsionit të profit të lartë dhe se ky profil thjeshtë profili ende është i paprekur në Kosovë. “Ende nuk e kemi një aktgjykim përfundimtar, me vendim pa kusht për korrupsion. Nuk po flasë që nuk ka shumë po flasë që nuk ka raste të profilit të lartë që ka pas dënim pa kusht, ka shqetësime të forta sa i përket autorizimeve të prokurorit për të pushuar kallëzimit penale të policisë dhe për të përfunduar hetimin pa një mekanizëm kontrollues”. Sipas ambasadorit britanik, është bërë fenomen fatkeqësisht që ose ka raste që shkojnë në gjykatë dhe mbyllen direkt në mungesë të provave ose ka raste kur edhe pse ka prova nuk shkojnë fare në gjykatë, pasi mbyllen nga prokurori. “Kjo është shqetësuese për zgjidh rastet e korrupsionit, policët, zyrtarët, gjyqtaret e ndershëm që të denoncojnë korrupsionin. Ne si Ambasadë Britanike kemi përkrahur IKD-në, për të bërë monitorimin e jashtëm të pavarur dhe profesional. Edhe Ju edhe ne kemi parë rezultate konkrete të këtij monitorimi. IKD ka ndikuar për ta rritur transparencën dhe llogaridhënien e sistemit prokurorial dhe gjyqësor. Si rezultat i gjetjeve të monitorimit sistematik janë identifikuar shkeljet ligjore të prokurorëve dhe gjykatësve në trajtimin e rasteve të korrupsionit, si rezultat i kësaj, Zyra e Prokurorit Disiplinor ka iniciuar mbi 500 raste të hetimeve preliminare”.
Ambasadori O’Connell ka theksuar se është i shqetësuar, pasi sistemi prokurorial ka kufizuar vendimet e prokurorëve për hudhjen e kallëzimeve penale dhe vendimeve për pushimin e hetimeve pikërisht në këtë fazë ku nuk ka as kontroll të gjyqësorit, ne presim që ky shqetësim të adresohet nga Këshilli Prokurorial. “Ne presim që organet e drejtësisë të jenë transparente ndaj publikut, sepse transparenca është mënyra më e mirë që të luftohet korrupsioni”.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Nehat Idrizi, ka folur për rekomandimet që IKD i ka bërë për sistemin gjyqësor, duke thënë se kontrolli gjyqësor mbi fazën e hetimeve ka nevojë të rregullohet siç janë dhënë rekomandimet në raport.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Blerim Isufaj, ka falënderuar Ambasadën Britanike dhe IKD-në për monitorimin dhe trajtimin e temës, e cila përbën interes për të gjithë qytetarët dhe se përmes rekomandimeve do të bashkëpunojnë ngushtë me qëllim të përmirësimet të punës së sistemit prokurorial.
Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari, tha se sa i përket zbatimit të standardeve ndërkombëtare ekziston një shqetësim jashtëzakonisht serioz që ka të bëj me parimin e zbatimit të nenit 6 që konsiderohet që në këtë situatë kërcënohet seriozisht edhe gjithashtu kërcënimi i nenit 13 të Konventës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, që ka të bëj me mjetet juridike efektive që janë në dispozicion të qytetarëve për të sfiduar sistemin në rast se të drejtat e qytetarëve janë shkel
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, z. Shaip Havolli, tha se është e vërtetë që ka hudhje të madhe të kallëzimeve penale dhe se AKK e ka pasur vazhdimisht këtë problem me prokuroritë. Ai tha se gjatë vitit 2017 kanë mbajtur shumë takime me prokuroritë dhe se ka përmirësime në këtë drejtim.
Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin Kryetari i Gjykatës Supreme, përfaqësues nga Gjykata e Apelit, Kryetarë të Gjykatave Themelore, Kryeprokurorë të Prokurorive Themelore, gjykatës, prokurorë, Drejtues të Zyrës së Prokurorit Disiplinor, përfaqësues të Ambasadës Britanike, Ambasadës Amerikane, përfaqësues BE-së, Shoqërisë Civile si dhe mediat.