IKD mirëpret reformën në sistemin prokurorial, kërkon  nga Këshilli Prokurorial i Kosovës të mos ndërmerr veprime që minojnë këtë reformë të përcaktuar nga ligji i ri

IKD mirëpret reformën në sistemin prokurorial, kërkon  nga Këshilli Prokurorial i Kosovës të mos ndërmerr veprime që minojnë këtë reformë të përcaktuar nga ligji i ri

IKD mirëpret reformën në sistemin prokurorial, kërkon  nga Këshilli Prokurorial i Kosovës të mos ndërmerr veprime që minojnë këtë reformë të përcaktuar nga ligji i ri

Prishtinë, 22 maj 2025 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) mirëpret shpalljen e Ligjit NR. 08/L-249 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit NR. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial (Ligji i ri).

Publikimi i Ligjit të ri, i cili tanimë ka kaluar testin e kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese, paraqet fillimin e jetësimit të reformës  mëse të domosdoshme në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), e cila reformë qëllim parësor ka  eliminimin e  korporatizmit brenda sistemit prokurorial, korporatizem i konstatuar nga Komisioni i Venecias. Ndër të tjera, ky ligj parashikon që përbërja e KPK-së nga 13-të anëtar sa është aktualisht, të reduktohet në shtatë anëtarë. Reduktimi do të bëhet në mënyrë graduale, duke respektuar mandatin e mbetur të anëtarëve aktualë.

Po ashtu, Ligji i ri parasheh edhe ndalesën e avancimit të anëtarëve të KPK-së në një periudhë kohore prej dy vitesh pas përfundimit të mandatit, nëse mundësitë e avancimit në sistemin prokurorial janë krijuar si rezultat i vendimeve në të cilat ata kanë marrë pjesë si anëtarë të Këshillit.

Angazhimi dhe përkushtimi i KPK-së për zbatimin e ligjit të ri mbetet i rëndësisë së veçantë  duke respektuar dhe zbatuar risitë e reja në të. IKD kërkon dhe pret nga KPK të mos lejoj në asnjë rrethanë që për interesa të ngushta të anëtarëve të saj aktual, apo anëtarëve që kanë ofruar dorëheqje, të shkelën dhe cenohen parimet e përcaktuara në ligjin e ri të  miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe që ka kaluar filtrin e Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të dëshmojë integritet dhe vendosmëri duke mos lejuar në asnjë rrethanë që anëtarë të saj të caktuar, përmes ofrimit të dorëheqjes të zëvendësohen me anëtarë të rinj ose duke i avancuar apo transferuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës me procedura te shpejte.

Deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të ri, çdo veprim në kundërshtim me këtë frumën dhe qëllimin e këtij Ligji do të mund të perceptohej si tentativë për të sabotuar reformën në sistemin prokurorial dhe minuar zbatimin e ligjit duke ruajtur praktikat e përbërjes korporatiste. Ky Ligj tashmë ka kaluar testin e kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk ekziston asnjë arsye legjitime për të vepruar në kundërshtim me të.

Duke mos paragjykuar përkushtimin e KPK-së për zbatimin e Ligjit të ri, IKD vlerëson se dorëheqja e anëtarit të saj, Armend Zenelaj, vetëm pak muaj para përfundimit të mandatit të rregullt, krijon dyshime se kemi të bëjmë me dorëheqje të koordinuar, të cilat tentojnë të sabotojnë reformën në sistemin prokurorial.

Përkundër faktit se Ligji i ri hyn në fuqi pas 15 ditëve, z. Zenelaj nuk duhet të zëvendësohet me ndonjë anëtar të ri, në atë mënyrë që numri i anëtarëve të KPK-së të zvogëlohet gradualisht, ashtu siç parashihet me Ligjin e ri.

Përgjatë periudhës dy  vjeçare, KPK nuk duhet të avancojë z. Zenelaj e as ndonjë anëtar tjetër që jep dorëheqje, sepse dorëheqjet eventuale të ofruara gjatë kësaj faze deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të ri, do të mund të perceptoheshin si tentativë e KPK-së për të zgjatur mandatet sipas përbërjes korporatiste.