IKD mban sesion informues dhe trajnim për pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në Prizren

IKD mban sesion informues dhe trajnim për pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në Prizren

IKD mban sesion informues dhe trajnim për pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në Prizren

Prizren, 28 korrik, 2022 – Të enjten, IKD ka organizuar sesion informues dhe trajnim për pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në rajonin e Prizrenit.

Gjatë kësaj dite, pjesëmarrësit u njoftuan më shumë lidhur me procesin e politikbërjes në Kosovë, procesin e inicimit të hartimit të ligjeve dhe miratimin e tyre. Njëkohësisht, të njëjtit u trajnuan lidhur me Rregulloren mbi Standardet Minimale të Konsultimit Publik dhe patën mundësi të shohin sesi funksionon Platforma për Konsultimet Publike.

Stafi i IKD-së i informoi pjesëmarrësit e trajnimit edhe për Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, të drejtat e tyre përkitazi me këtë, si dhe rolin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi. E po ashtu u informuan për punën e Qendrës për Ndihmë Juridike falas të IKD-së dhe mundësitë e përfitimit të ndihmës juridike falas në raste të ndryshme, për të cilat QNJ-IKD ofron ndihmë juridike falas.

Ndërsa, si pjesë e diskutimit të hapur, u ngritën disa çështje dhe u adresuan pyetje konkrete në drejtim të ngritjes së vetëdijes për fusha konkrete, si: regjistrimi civil, arsimimi, qasja në drejtësi dhe trajtimi i rasteve në gjykata, rastet e dhunës në familje dhe adresimi institucional i tyre, roli i strehimoreve të grave, sfidat në punësim për komunitetet rom, ashkali, egjiptian dhe mundësitë që ofrohen në këtë drejtim, etj.

Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të projektit “Promovimi i të drejtave dhe lirive të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian”, mbështetur nga Këshilli Danez për Refugjatë (DRC), me fonde nga Agjencioni Suedez për Bashkëpunim në Zhvillim Ndërkombëtar e përfaqësuar nga Ambasada Suedeze në Prishtinë.