Prishtinë, 26 dhjetor – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike në Prishtinë, të premten, ka mbajtur tryezën “Vlerësimi i zbatimit të Planit të Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial për Luftimin e Korrupsionit”, e cila ka shërbyer për të diskutuar zbatimin e këtij Plani të Veprimit, prej hyrjes në fuqi më 4 nëntor 2013 deri më 30 shtator 2014.
Drejtori Ekzekutiv i IKD-së, z.Betim Musliu, ka prezantuar raportin “Korrupsioni në Kosovë 3: Raport vlerësues periodik mbi efikasitetin e sistemit prokurorial në zbatimin e planit të veprimit për rastet e korrupsionit”, me gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet për zbatimin e Planit të Veprimit. Gjatë prezantimit të raportit, Musliu tha se prokuroritë deri në këtë periudhë raportuese nuk kanë arritur të përmbushin as gjysmën e objektivave të Planit të Veprimit për t’i zgjidhur rastet e korrupsionit. “Po ta analizojmë gjendjen e rasteve të pazgjidhura në fillim dhe në fund, rezulton se nuk kemi lëvizur fare… Në fillim më 4 nëntor 2013, prokuroritë kanë pasur 516 raste të pazgjidhura me 1682 persona, ndërsa më 30 shtator 2014 kanë mbetur 575 raste të pazgjidhura me 1613 persona. Pra, po flasim pothuajse për një gjendje të njëjtë”. Musliu tha se Prokuroria Themelore në Prishtinë, në Mitrovicë dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nuk kanë arritur t’i zgjidhin as gjysmën e rasteve të Planit të Veprimit të regjistruara deri më 4 nëntor 2014. Musliu tha se IKD ka vendosur indikator të bazuar në Planin e Veprimit për të bërë matjen e zbatimit të këtij plani. “Ky indikator bazohet në matjen e zgjidhjes së rasteve që janë regjistruar deri më 4 nëntor 2013… Prokurorët prej hyrjes në fuqi të këtij plani e deri më 30 shtator 2014 kanë zgjidhur 251 raste të kësaj kategorie me 751 persona apo gjithsej 45%. Pra, as gjysma e rasteve nuk janë zgjidhur të Planit të Veprimit”. Shqetësimi më i madh, sipas Musliut, vazhdon të mbetet kultura e pandëshkueshmërisë në sistemin e drejtësisë. “Asnjë vendim i Këshillit Prokurorial për të mbajtur përgjegjës ata që kanë dështuar në zbatimin e Planit të Veprimit nuk po zbatohet. Kjo është indikatori më i mirë për vullnetin që kanë për të luftuar prokuroritë korrupsionin në Kosovë”.
U.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, z. Sylë Hoxha, tha se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), tha se KPK përmes Memorandumit të Bashkëpunimit me IKD-në, për monitorimin dhe vlerësimin e jashtëm të Planit të Veprimit ka ndikuar në ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies së sistemit prokurorial. “Natyrisht po e shihni një raport shumë kritik dhe konstruktiv për rezultatet e punës së prokurorëve në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit. Me këto rezultate as ne nuk jemi të kënaqur dhe ne marrim zotimin se do të zbatojmë rekomandimet e IKD-së, për të rritur efikasitetin dhe përgjegjësinë e sistemit prokurorial për luftimin e korrupsionit”. Në këtë drejtim, z. Hoxha tha se Këshilli Prokurorial mbetet i përkushtuar për të ngritur rezultatet në luftimin e korrupsionit, gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë dhe institucionet tjera që e zbatojnë ligjin në Kosovë.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peci, ka vlerësuar raportin e IKD-së, duke theksuar se ky raport dhe raportet tjera kritike të IKD-së vazhdimisht kanë ndihmuar sistemin e drejtësisë në identifikimin e problemeve dhe në ofrimin e zgjidhjes së tyre. “Vërtetë këto raporte janë shumë kritike por janë shumë reale për gjendjen në të cilën gjendet sistemi i drejtësisë. Mund të ju them se ne vazhdimisht jemi munduar t’i trajtojmë me prioritet rastet e korrupsionit, por mbetet shumë punë për të bërë”.
Duke vlerësuar lartë raportin e IKD-së panelistët dhe pjesëmarrësit e tjerë kanë diskutuar për gjetjet dhe vlerësimet e IKD-së rreth zbatimit të Planit të Veprimit. Fjalimet për vlerësimin e raportit dhe zbatimin e Planit të Veprimit kanë vazhduar me Koordinatoren Nacionale kundër Korrupsionit, znj. Laura Pula, ushtruesen e detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, znj. Sevdije Morina, të gjithë Kryeprokurorët e Prokurorive Themelore në Kosovë, Zëvendës Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Naim Rexha, Drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, z. Hasan Preteni, Drejtorin e Zyrës së Prokurorit Disiplinor, z. Zef Prendrecaj dhe të tjerët. Pjesëmarrës në tryezë dhe diskutime poashtu ishin edhe përfaqësuesit e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës, Shoqërisë Civile, Ambasadës Amerikane në Kosovë, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe OSBE-së.
Gjetjet e raportit të IKD-së, tregojnë se me hyrjen në fuqi të Planit të Veprimit (më 4 nëntor 2013), prokuroritë kanë pasur në punë 516 raste të pazgjidhura me 1682 persona, ndërsa prej hyrjes në fuqi të planit deri në fund të kësaj periudhe raportuese (më 30 shtator 2014), prokuroritë kanë arritur të zgjidhin 251 raste me 751 persona apo gjithsej 45%. Prej këtyre rasteve të zgjidhura, prokurorët ndaj 431 personave apo 58% të tyre kanë hudhur poshtë kallëzimet penale apo kanë pushuar hetimet, ndërsa ndaj 320 personave apo 42% të tyre kanë ngritur aktakuza të drejtpërdrejta, aktakuza pas zhvillimit të hetimeve dhe kanë propozuar shqiptimin e urdhrave ndëshkimor.
Prokuroria Themelore (PTh) në Prishtinë vazhdon të jetë prokuroria me efikasitetin më të dobët në përmbushjen e obligimeve të Planit të Veprimit. PTh në Prishtinë ka zgjidhur raste vetëm ndaj 19% të personave apo vetëm ndaj 149 prej 777 personave, të cilët kanë qenë të regjistruar në Planin e Veprimit deri më 4 nëntor 2013. Megjithatë, në krahasim me prokuroritë tjera, PTh në Prishtinë është prokuroria që ka zgjidhur më së shumti raste për periudhën raportuese (korrik, gusht, shtator 2014), gjithsej ndaj 51 personave. Pas Prishtinës, pason PTh në Mitrovicë si prokuroria me jo-efikase, e cila ka zgjidhur raste ndaj 31% të personave apo vetëm ndaj 44 prej 141 personave sa i kishte të regjistruar më 4 nëntor 2014. Gjatë periudhës raportuese kjo prokurori ka zgjidhur raste ndaj 8 personave. IKD gjithsesi ka parasysh këto rezultate të dobëta të kësaj prokurorie, në të cilat kanë ndikuar edhe arsyet objektive të kushteve të punës, për të cilat IKD ka kërkuar të adresohet me urgjencë nga Këshilli Prokurorial për përmirësim e kushteve të punës, por që nuk është bërë asgjë. PSRK ende nuk ka arritur të zgjidhë as gjysmën e personave të regjistruar në fillim në Planin e Veprimit. Prej rasteve të pazgjidhura ndaj 232 personave sa i ka pasur të regjistruar në fillim të Planit, PSRK i ka zgjidhur rastet ndaj 108 apo 47% të personave. Pra, gjatë tre muajve të periudhës raportuese, PSRK ka zgjidhur vetëm një rast ndaj 1 personi, i cili i takon rasteve të regjistruara deri më 4 nëntor 2013. Mbi gjysmën e personave ka arritur t’i zgjidhë PTh në Ferizaj, e cila prej 126 personave, i ka zgjidhur 84 apo 67% të personave. Për këtë periudhë raportuese ka arritur të zgjidhë raste vetëm ndaj 3 personave. PTh në Gjakovë gjatë kësaj periudhe tre mujore nuk ka zgjidhur asnjë rast të regjistruar deri më 4 nëntor 2013, ndërsa deri më 30 qershor, kjo prokurori ka zgjidhur raste ndaj 81% apo 52 prej 64 personave sa i ka pasur në fillim të Planit të Veprimit. PTh në Prizren gjithashtu ka arritur të zgjidhë 86% të personave, duke zgjidhur raste ndaj 151 personave prej 175 sa i kishte pasur në punë fillim të Planit të Veprimit. Gjatë periudhës raportuese ka zgjidhur raste vetëm ndaj 2 personave të regjistruar deri më 4 nëntor 2013. PTh në Pejë ka arritur të zgjidhë 95% të personave apo 82 prej 86 personave sa kishte pasur në fillim të planit. Gjatë periudhës raportuese kjo prokurori ka zgjidhur vetëm një rast ndaj një personi. PTh në Gjilan ka arritur të zgjidhë 100% të rasteve të regjistruara deri më 4 nëntor 2013 në Planin e Veprimit, duke zgjidhur të gjitha rastet, përkatësisht 23 raste me 81 persona. IKD bazuar në monitorimin e këtij plani, vlerëson se i njëjti deri në këtë periudhë nuk është trajtuar si çështje e përcaktuar me prioritet absolut në të gjitha prokuroritë dhe kjo vërehet në bazë të rezultateve të arritura, të cilat janë paraqitur më lartë.
Përveç zgjidhjes së rasteve, Koordinatorja Nacionale kundër Korrupsionit dhe Kryeprokurorët kanë pasur një varg obligimesh tjera, të cilat nuk kanë arritur t’i përmbushin. Edhe për këtë periudhë raportuese, IKD ka pranuar dhe ka analizuar aktet juridike prokuroriale (aktvendimet për hudhjen e kallëzimeve penale, aktvendimet për pushimin e hetimeve si dhe aktakuzat e ngritura). Parashkrimi i rasteve të korrupsionit dhe vendosja e rasteve në kundërshtim me dispozitat dhe afatet ligjore, referimi jo adekuat në dispozitat penale dhe procedurale penale janë problemet kryesore të identifikuara nga analistët e IKD-së. Të njëjtat probleme janë identifikuar nga vetë mekanizmat e brendshëm të KPK-së, të cilët kanë analizuar të njëjtat akte juridike, gjë që dëshmon se ekspertiza e IKD-së, ka qenë e saktë për tu shfrytëzuar për identifikimin e problemeve dhe krijimin e politikave adekuate kriminale për të shtuar efikasitetin dhe efektivitetin në luftimin e korrupsionit. Raporti përmban 17 rekomandime konkrete për të gjitha institucionet përgjegjëse se si duhet të përmirësohen në mënyrë që të zgjidhen rastet e korrupsionit, rrjedhimisht të zbatohet si duhet Plani i Veprimit. Plani i Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Korrupsionit është si rezultat i zbatimit të Planit Strategjik për Bashkëpunim ndër-institucional në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të miratuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. KPK më 27 dhjetor 2013, ka lidhur Memorandum Bashkëpunimi me Institutin e Kosovës për Drejtësi, i cili e monitoron sistemin prokurorial në zbatimin e këtij plani.