IKD: Ligji për Pagat në Sektorin Publik, paraqet ndërhyrje në drejtësi, krijon pasiguri juridike dhe krijon konglomerat në sistemin e pagave në sektorin publik

IKD: Ligji për Pagat në Sektorin Publik, paraqet ndërhyrje në drejtësi, krijon pasiguri juridike dhe krijon konglomerat në sistemin e pagave në sektorin publik

IKD: Ligji për Pagat në Sektorin Publik, paraqet ndërhyrje në drejtësi, krijon pasiguri juridike dhe krijon konglomerat në sistemin e pagave në sektorin publik

Prishtinë, 3 tetor 2018 – Pushteti ekzekutiv vazhdon qasjen diskriminuese në raport me pushtetin gjyqësor në Kosovë. Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektiligjin për Pagat në Sektorin Publik përmes të cilit ndërhynë drejtpërdrejtë në pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe krijon pabarazi të pushteteve dhe pabarazi ndërmjet vet sistemit të drejtësisë, përkatësisht gjykatësve dhe prokurorëve.

Qeveria e Kosovës përmes këtij Projektligji të sponzorizuar nga Ministria e Administratiës Publike përfundimisht dëshmon praktikat e mbrapshta të ekzekutivit, të cilat kanë synim të qartë, degradimin e pushtetit gjyqësor karrshi dy pushteteve tjera. Pushteti gjyqësor dhe prokurorial, sipas këtij projektligji, do të jenë të ranguara më poshtë sesa pushteti ekzekutiv dhe legjislativ. Për më tepër, në përmbajtje të tij, ky projekt ligj, krijon një konglomerat edhe më të madh në pagat e sektorit publik, duke ndërtuar një sistem të pagave, i cili nuk do të kompensohet në mënyrë ekuivalente, sipas meritës, ashtu sicc e përcakton vetë qëllimi i këtij ligji.

IKD ka analizuar përmbajtjen e këtij ligji, me fokus në rregullimin e statusit të gjykatësve dhe prokurorëve. Praktikat dhe standardet ndërkombëtare për gjykatësit dhe prokurorët, ndalojnë lojën me sigurinë juridike të gjykatësve dhe prokurorëve, duke kërkuar në mënyrë eksplicite që pagat e tyre të rregullohen ekskluzivisht përmes ligjit dhe duke qenë ekuivalente me pushtetet e tjera. Por, projektligji për pagat në sektorin publik, sërish ul pagat e gjykatësve dhe prokurorëve, duke i bërë të pabarabartë me pushtetin ekzekutiv.

Pushtetet në Kosovë janë ekuivalente edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila garanton parimin e ndarjes së tyre. Parimi i ndarjes së pushteteve nënkupton edhe garantimin e ushtrimit të pushtetit në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje, dhe se kufizimi duhet të jetë i bazuar në balancimin e pushteteve vetëm në masën që e lejon Kushtetuta dhe kompetencat e secilit pushtet.

Loja me pushtetin gjyqësor dhe me pagat e gjykatësve dhe prokurorëve, ka një historik të gjatë, prej përfundimit të luftës në Kosovë. Ekzekutivi vazhdimisht ka krijuar varshmëri të gjykatësve dhe prokurorëve ndaj ekzekutivit, të cilët janë ndikuar në masë të madhe nga politika. Kjo e fundit, përmes Kuvendit të Kosovës në vitin 2010, kishte miratuar Ligjin për Gjykatat dhe Ligjin për Prokurorin e Shtetit, duke ndërtuar standardin e nivelizimit të pagave për gjykatës dhe prokurorë me pagat në ekzekutivin e vendit, respektivisht pagat e Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të Shtetit ishin barazuar me pagën e Kryeministrit të vendit, përderisa pagat e prokurorëve dhe gjykatësve ishin nivelizuar me pagat e ministrave në qeveri. Kjo është hera e parë që është krijuar një ekuivalencë në pagat bazë në mes të pushtetit ekzekutiv dhe pushtetit gjyqësor.

IKD e cila monitoron sistematikisht sistemin e drejtësisë, por edhe organizata tjera vendore dhe ndërkombëtare si Raporti i Progresit të Komisionit Evropian dhe Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit kanë ngritur shqetësimet për ndikimin politik në sistemin e drejtësisë.

Si rezultat i këtyre ndikimeve politike në pushtetin gjyqësor dhe prokurorial, nuk ka pasur as reagim nga përfaqësuesit e këtyre pushteteve, në dhjetor të vitit 2017, kur Qeveria e Kosovës në mënyrë të kundërligjshme përmes vendimit ka ngritur pagat për vete, rrjedhimisht edhe për gjykatësit dhe prokurorët.

Për dallim prej pushtetit gjyqësor e prokurorial, të cilët kanë qenë përfitues të rritjes së pagave, IKD ka reaguar publikisht ndaj Vendimit Nr. 4/20, të Qeverisë Haradinaj të miratuar më 20 dhjetor 2017 për rritjen e pagave të pushtetarëve, gjykatësve dhe prokurorëve. Ndaj këtij vendimi kanë reaguar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe organizatat tjera.

Përmes këtij vendimi, pothuajse janë dyfishuar pagat e pozitave të lartë-përmendura. Paga e Kryeministrit të Kosovës, është ngritur në 2950 euro, përderisa paga e Zëvendëskryeministrave është ngritur në 2500 euro. Pagat e Ministrave me këtë vendim janë ngritur në 2000 euro. Po ashtu pagat e Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të Shtetit, ishin ngritur në 2950.

Vendimi i Qeverisë, sipas analizës ligjore të IKD-së, kishte tejkaluar kompetencat e përcaktuara me Ligj dhe me Rregulloren e Punës së Qeverisë, e cila në asnjë dispozitë të saj nuk përcakton kompetencat dhe përgjegjësitë e Qeverisë për caktimin e pagave apo kompensimit për Kryeministrin apo ministrat. Në bazë të Kushtetutës dhe ligjit të aplikueshëm në Kosovë, kompetentë për të vendosur lidhur me pagat e funksionarëve të lartë publik në Kosovë, veçanërisht për pozitën e Kryeministrit dhe ministrave është Kuvendi i Kosovës. Prandaj, ky vendim nga IKD është konsideruar i kundërligjshëm dhe ndërhyrje arbitrare e drejtpërdrejtë në kompetencat e Kuvendit të Kosovës. Vendimi i miratuar nga Qeveria Haradinaj, përveç që është bërë në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm, i njëjti është bërë pa analizë ligjore adekuate dhe pa vlerësim apo konsultim lidhur me ndikimin financiar që ky vendim ngërthen në vete për buxhetin e pushtetit ekzekutiv dhe pushtetin gjyqësor.

Edhepse ky vendim ka qenë i kundërligjshëm, nuk ka pasur asnjë reagim nga organi  ndjekjes – Prokurori i Shtetit. Ndryshe prej Prokurorit të Shtetit, ka pasur një reagim nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK). Vendimi lidhur me ngritjen e pagave bie në kundërshtim me Kodin Penal të Kosovës, respektivisht nenin 424, i cili përcakton situatat e konfliktit të interesit në rastet kur zyrtarët e lartë shtetërorë marrin pjesë personalisht në ndonjë çështje zyrtare në të cilën ai apo ndonjë anëtar i familjes ose ndonjë person juridik që ka të bëjë me të ka interes financiar. Për këtë gjendje të konfliktit të interesit, ka zbatuar mandatin edhe AKK, e cila ka njoftuar Qeverinë se vendimi për pagat paraqet konlikt të interesit dhe se i njëjti nuk mund të zbatohet, ndryshe kjo përbën vepër penale. Tash për tash, AKK është duke hetuar rastin e konfliktit të interesit për pagat, ndërsa për të njëjtin vendim Lëvizja Vetëvendosje ka ngritur një kallëzim penal, i cili ende po sillet nëpër Prokurori dhe nuk po trajtohet.

Përfundimisht, përderisa nuk ndryshon mendësia e pushtetit ekzekutiv, i cili përmes vendimeve të kundërligjshme krijon privilegje për pushtetarët dhe krijon pasiguri juridike në sistemin e pagave në sektorin publik, sidomos tek gjykatësit dhe prokurorët, dëshmon që logjika e instaluar ndërhyrjes dhe degradimit mbi pushtetin gjyqësor është duke vazhduar.

Prandaj, IKD kërkon që të finalizohet sa më parë Projektligji për Pagat në Sektorin Publik, në të cilin do duhej të rregullohej konglomerati me pagat në të gjitha institucionet publike të Republikës së Kosovës. Në kuadër të këtij ligji, duhet të rregullohet edhe çështja e pagave të bartësve të funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale, i cili duhet të bëhet në mënyrë meritore, bazuar në parimet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës për barazinë e pushteteve.

Për më tepër, lexoni analizën e shkurtër ligjore dhe krahasimet e pagave mes pushtetit ekzekutiv dhe pushtetit gjyqësor. Shkarkoni raportin- IKD analize e shkurter ligjore per projekt-ligjin per pagat ne sektorin publik.