IKD lanson Databazën SLAPP për dokumentimin e padive kundër zërave kritikë në Kosovë

IKD lanson Databazën SLAPP për dokumentimin e padive kundër zërave kritikë në Kosovë

IKD lanson Databazën SLAPP për dokumentimin e padive kundër zërave kritikë në Kosovë

Prishtinë, 2 tetor 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka lansuar sot Databazën SLAPP, një mekanizëm për dokumentimin dhe monitorimin e padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike në Kosovë. Lansimi u bë në kuadër të diskutimit publik “Paditë kundër zërave kritikë: SLAPP dhe liria e shprehjes në Kosovë”, ku gazetarë, aktivistë dhe hulumtues folën për përvojat e tyre me padi të ngritura pas angazhimit në çështje me interes publik.

Në hapje të diskutimit, Arrita Rezniqi nga IKD tha se paditë SLAPP prekin drejtpërdrejt hapësirën për raportim, ngritjen e shqetësimeve dhe diskutimin e temave me interes publik, si dhe mund të ndikojnë në punën e gazetarëve, aktivistëve dhe hulumtuesve.

“Kjo databazë është krijuar për të dokumentuar dhe monitoruar rastet SLAPP në Kosovë. Synimi është që të shërbejë si pikë referimi për këto raste, duke rritur transparencën, ndërgjegjësimin publik dhe informacionin e disponueshëm për to”, tha Rezniqi.

Ajo është integruar në platformën “Betimi për Drejtësi” dhe do të përditësohet me raste dhe informacione të reja. Rastet vlerësohen nga një Panel i Pavarur Ekspertësh sipas indikatorëve të Këshillit të Evropës, ndërsa rastet e klasifikuara i referohen Koalicionit të Evropës kundër SLAPP-it – CASE, për validim ndërkombëtar.

Gazetarja Saranda Ramaj tha se paditë mund të përdoren edhe për të dëmtuar imazhin profesional të gazetarëve dhe se vetë fakti që një gazetar është paditur mund të ndikojë në mënyrën se si perceptohet nga publiku.

“Pra, paditë ndonjëherë përdoren vetëm me ta prish imazhin, për me thanë ‘por unë në gjykatë, a e din çka kam me i ba në gjykatë’, dhe kur vjen koha, as nuk vjen”, deklaroi Ramaj.

Ramaj tha se edhe për të personalisht kishte qenë e vështirë të fliste publikisht për paditë, për shkak të shqetësimit se kjo mund të ndikonte në besueshmërinë e saj.

“Rruga për të pranuar që kam pasur padi publikisht ka qenë rrugë e gjatë, sepse për mua ka qenë shumë problem pse njerëzit po më padisin, sepse kam besuar se kështu njerëzit kanë me më besu më pak”, tha Ramaj.

Drejtoresha ekzekutive e QIKA-s, Leonida Molliqaj, foli për ndikimin e padive në aktivizëm. Ajo tha se përballja me kritika është pjesë e angazhimit publik, por se situata ndryshon kur kundërshtimet kalojnë në procedura gjyqësore.

Sipas Molliqajt, shqetësimi nuk lidhet vetëm me frikësimin, por edhe me mundësinë që paditë të ndikojnë në mënyrën se si aktivistët zgjedhin të shprehen dhe të angazhohen publikisht.

“Unë mendoj që ma shumë se me m’frikësu, paditë SLAPP kanë me te disiplinu”, tha Molliqaj.

“Unë mendoj se ma zi se me m’ndalu është me m’lanë me marrë pjesë, po me më kallëzu çka me thanë”, shtoi ajo.

Hulumtuesi dhe juristi i IKD-së, Flamur Kabashi, foli për padinë e ngritur ndaj tij nga Fitore Pacolli, e cila, sipas tij, lidhej me gjestet që kishte bërë gjatë një paraqitjeje televizive.

“Për gjestet që i kam bërë në emision më është ngritur padi nga zonja Pacolli, e që për mua është shumë e çuditshme”, tha Kabashi.

Kabashi tha se padia nuk kishte ndikuar që ai të tërhiqej nga paraqitjet publike apo nga puna e tij profesionale.

“Për mua, pas padisë, nuk e kam menduar a të vazhdoj me paraqitjen publike a po jo. Përkundrazi, unë kam vazhduar me paraqitje televizive. Unë do ta vazhdoj standardin e profesionalizmit”, tha Kabashi.

Gjatë diskutimit u theksua rëndësia e dokumentimit të vazhdueshëm të rasteve SLAPP. Databaza synon të shërbejë si pikë referimi për gazetarët, organizatat e shoqërisë civile, institucionet, studiuesit dhe qytetarët, si dhe të kontribuojë në rritjen e transparencës dhe ndërgjegjësimit publik për këto raste.

Rastet e dokumentuara në Databazën SLAPP mund t’i gjeni në këtë link

Aktiviteti dhe zhvillimi i Databazës SLAPP realizohen në kuadër të projektit “SAFE – Support and Advocacy for Freedom of Expression”, të zbatuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe të mbështetur nga Rising Tide Foundation.