IKD kundër reagim ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës

IKD kundër reagim ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës

IKD kundër reagim ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 13 nëntor 2016 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) më 13 nëntor 2016 ka reaguar lidhur me mungesën e legjitimitetit dhe ligjshmërisë së Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial. Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) të premten më datë 18 nëntor 2016, përmes një komunikate ka reaguar publikisht, duke vlerësuar se pretendimet e IKD-së për skadimin e mandatit të prokurorit z. Idain Smailji janë serioze dhe venë në pikëpyetje legjitimitetin e përbërjes së Këshillit, kanë shqyrtuar këtë çështje. “Pas shqyrtimit të procesverbalit zyrtar dhe dokumenteve që ndërlidhen me mandatin e anëtarit të KPK-ës, z. Idain Smailji, ne fuqishëm besojmë që mandat i tij nuk ka skaduar.” Po ashtu Këshilli ka njoftuar se përderisa e respektojnë rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile në monitorimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, KPK nuk do të pajtohet gjithnjë me përfundimet e shoqërisë civile. “Në këtë rast, ne fuqishëm nuk pajtohemi me autorin e këtij raporti. Anëtari i KPK-së, z. Idain Smailji, ka shërbyer me mandat të ligjshëm dhe do të vazhdojë të njëjtin deri në skadimin e tij.”

IKD shpreh shqetësim të thellë me këtë qasje të KPK-së, e cila shprehet fuqishëm përmes besimit dhe jo argumentimit në lidhje me mandatin e skaduar të z. Idain Smailji.

Është tejet shqetësues fakti se si KPK në reagimin e saj nuk ofron asnjë argument të vetëm për ta bindur publikun rreth besimit të fuqishëm që ka tek mandati i z. Idain Smailji.

IKD qëndron  prapa hulumtimit dhe analizës ligjore të publikuar lidhur me skadimin e mandatit të anëtarit të KPK-së, z. Idain Smailji. Analiza ligjore bazohet në vetë Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili përcakton qartë se mandati i anëtarit të KPK-së është pesë (5) vjeçar, me pamundësi të vazhdimit edhe me një mandat shtesë të një pas njëshëm.

Është më se e qartë se z. Idain Smailji, është zgjedhur anëtar i KPK-së më 15 shkurt 2011, dhe se i njëjti është duke shërbyer ende në këtë Këshill edhe pse tanimë kanë kaluar mbi pesë (5) vite nga koha kur është zgjedhur, përkatësisht mandati i ka skaduar prej 15 shkurtit 2016.

IKD ia rikujton KPK-së se me Kushtetutë, ligj dhe rregullore të brendshme nuk ka kompetencë dhe mandat që përmes Vendimeve të zgjasë mandatin e anëtarëve të tij prej pesë (5) viteve, jashtë asaj që e përcakton vet Ligji.

IKD fton KPK-në që një çështje kaq të ndjeshme që konteston legjitimitetin e KPK-së dhe përbën interes publik, të diskutoj në takim të hapur të Këshillit, si dhe të arsyetoj dhe bind publikun se mbi çfarë bazë i është vazhduar mandati z. Smailji. KPK obligohet që fuqishëm ta bind publikun rreth legjitimitetit të KPK-së dhe mandatit të anëtarit z. Idain Smailji. IKD ka bërë numërimin e viteve prej 15 shkurtit 2011 dhe deri më 15 shkurt 2016 kanë dalë pesë (5) vite. Tutje, sipas ligjit çdo ditë e qëndrimit të z. Idain Smailji në KPK vlerësohet e kundërligjshme. Prandaj në këtë drejtim, IKD fton publikisht KPK-në të përgjigjet në këto pyetje për ta bindur fuqishëm publikun.

A i beson fuqishëm KPK vendimeve të vet KPK-së? Nëse po, a mund të bind fuqishëm publikun për vendimin e KPK-së A.nr.05/11, përmes të cilit prej 15 shkurtit 2011 është zgjedhur z. Idain Smailji anëtar i KPK-së?

A është mandati i anëtarit të KPK-së pesë (5) vjeçar? A lejohet me ligj vazhdimi i mandatit pesë (5) vjeçar?

IKD vlerëson punën dhe kontributin e çdo anëtari të Këshillit që nga themelimi i tij. IKD pret nga të gjithë anëtarët e KPK-së që së pari do të garantojnë ligjshmërinë dhe legjitimitetin e sistemit prokurorial në mënyrë që të mos rrezikohet siguria juridike e sistemit prokurorial për interesa të ngushta të anëtarëve të caktuar. IKD fton anëtarët e KPK-së që gjatë ushtrimit të funksioneve dhe përgjegjësive të tyre të përmbushin obligimet kushtetuese, ligjore dhe të zbatojnë standarde të larta që sigurojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre në shërbim të sundimit të rendit dhe ligjit në sistemin prokurorial.

Për më tepër shihni reagimin e plotë të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

http://www.psh-ks.net/sq/lajme/reagim-nga-keshilli-prokurorial-i-kosoves-2742

Reagim nga Këshilli Prokurorial i Kosovës

Prishtinë, 18 nëntor 2016 –  “Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) rishtazi ka publikuar një raport të titulluar “Paligjshmëria e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial.”

Në këtë publikim, autori pohon se anëtari i KPK-së, z. Idain Smailji, ka mandat të skaduar dhe nuk duhet të jetë pjesë e Këshillit.

Duke marrë parasysh se këto janë pretendime serioze dhe venë në pikëpyetje legjitimitetin e përbërjes së Këshillit, ne e kemi parë të arsyeshme që ta shqyrtojmë këtë çështje. Pas shqyrtimit të procesverbalit zyrtar dhe dokumenteve që ndërlidhen me mandatin e anëtarit të KPK-ës, z. Idain Smailji, ne fuqishëm besojmë që mandat i tij nuk ka skaduar.

Përderisa e respektojmë rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile në monitorimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, ne nuk do të pajtohemi gjithnjë me përfundimet e tyre. Në këtë rast, ne fuqishëm nuk pajtohemi me autorin e këtij raporti. Anëtari i KPK-së, z. Idain Smailji, ka shërbyer me mandat të ligjshëm dhe do të vazhdojë të njëjtin deri në skadimin e tij.”