IKD: KPK në mënyrë të kundërligjshme shpërblen me pozitën e UD Kryeprokurorit të Prishtinës prokurorin Kujtim Munishi

IKD: KPK në mënyrë të kundërligjshme shpërblen me pozitën e UD Kryeprokurorit të Prishtinës prokurorin Kujtim Munishi

IKD: KPK në mënyrë të kundërligjshme shpërblen me pozitën e UD Kryeprokurorit të Prishtinës prokurorin Kujtim Munishi

Prishtinë, 17 qershor 2019 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon fuqishëm ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i cili në mënyrë të kundërligjshme e ka caktuar Prokurorin Kujtim Munishi në pozitën e U.D. të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.Ky i fundit, ka shërbyer si shef i Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, derisa propozimi dhe miratimi për emërimin e tij në pozitën e përkohshme të UD Kryeprokurorit të Prishtinës është bërë në mbledhjen e KPK-së të mbajtur më 7 qershor 2019.

Përderisa ligjet bazike që rregullojnë sistemin prokurorial të Kosovës, si Ligji për Këshillin Prokurorial dhe Ligji për Prokurorin e Shtetit, nuk kanë dispozita që rregullojnë caktimin e U.D. së Kryeprokurorëve të prokurorive përkatëse, KPK përmes Rregullores nr.8/2016 për Emërimin e Kryeprokurorëve, në nenin 14, ka përcaktuar në mënyrë taksaktive se në rast të mungesës së Kryeprokurorit të Prokurorisë përkatëse, i njëjti zëvendësohet nga zëvendësi i tij, i caktuar nga vet ai.

Ish-Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Imer Beka kishte caktuar si Zëvendës të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, prokurorin Ibrahim Berisha.  Kryeprokurorit Beka i ka përfunduar mandati si Kryeprokuror i PTh në Prishtinë, dhe sipas Rregullores së miratuar nga vet Këshilli Prokurorial i Kosovës, me automatizëm, prokurori Berisha merr përgjegjësitë dhe kompetencat e U.D. së Kryeprokurorit të PTh në Prishtinë.

Për më tepër, në nenin 14 pika 2 të Rregullorës për Emërimin e Kryeprokurorëve të miratuar nga vet KPK dhe që është në fuqi, përcaktohet se në rast të pushimit të mandatit të Kryeprokurorit, zëvëndës-kryeprokurori e ushtron pozitën e Kryeprokurorit por jo më gjatë se tre muaj.  Mbi këtë bazë vendimin për caktimin e U.D. e merr Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Ky obligim ligjor është shkelur nga KPK, e cila ka anashkaluar zëvendës kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka propozuar dhe caktuar për ushtrues detyre të kryeprokurorit, prokurorin Kujtim Munishi.

IKD vlerëson se kjo logjikë e veprimit nga KPK, duke shkelur politikat e saj që regullojnë administrimin dhe menaxhimin e sistemit prokurorial, të cilat vetë i ka miratuar, dëshmon se qëllimi i emërimit të prokurorëve të caktuar në këto pozita është që të njëjtit të jenë në rolin e argatit ndaj grupeve të caktuara të interesit. Për IKD-në është e papranueshme logjika e veprimit në këtë mënyrë të kundërligjshme, sidomos në rastet si ky, kur tendenca e drejtuesve të KPK-së shkon në drejtim të shpërblimit të kundërligjshëm me pozita dhe ngritje të shpejtë në karrierë të prokurorit Kujtim Munishi, për të cilin IKD dhe mediat e pavarura kanë raportuar për shërbimin që ai ka bërë për Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, të cilit ia ka mbyllur në mënyrë të kundërligjshme hetimin për dosjen e manipuluar të provimit të jurisprudencës. Për më tepër, IKD e konsideron të papranueshme qasjen dhe politikën e ndjekur nga KPK që në pozita udhëheqëse të caktoj persona me integritet të cenuar dhe ndaj të cilëve publiku ka mungesë të besimit në pavarësinë dhe paanshmërinë e tij në ushtrimin e funksioneve prokuroriale.

IKD dhe publiku nuk e ka të qartë arsyen e shkeljes së dispozitave të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorëve dhe emërimin e kundërligjshëm të prokurorit Kujtim Munishi.

Nuk është dhënë asnjë arsye për mos emërimin e zëvendës kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit, ashtu siç përcaktohet në Rregullore, në nenin 14, paragrafi 2.

IKD kërkon nga KPK që të reflektojë mbi këtë vendim të kundërligjshëm, duke anuluar atë dhe duke zbatuar dispozitat e Rregullores nr.8/2016 për Emërimin e Kryeprokurorëve.

IKD i bën thirrje të gjithë anëtarëve me integritet në Këshillin Prokurorial, prokurorëve me integritet në sistemin prokurorial, përkatësisht në Prokurorinë Themelore në Prishtinë që të reflektojnë mbi këto veprime të kundërligjshme, duke ndërmarrë veprime adekuate në përputhje me ligjin për të kthyer ligjshmërinë në KPK, si rruga e vetme për të kthyer besimin e publikut në sistemin prokurorial dhe sistemin e drejtësisë. Prokuroria Themelore në Prishtinë është ndër prokuroritë më të rëndësishme në sistemin prokurorial pas PSRK-së. Në këtë drejtim, çdo vendim lidhur me caktimin e U.D. Kryeprokurorit të kësaj prokurorie, dhe procesit të emërimit të Kryeprokurorit në këtë prokurori kërkon të udhëhiqet nga një proces transparent, i bazuar në ligj dhe procedurë duke siguruar përzgjedhjen dhe emërimin e kandidatit që ka integritet të pakontestuar dhe që merr besimin në radhë të parë të prokurorëve, sistemit prokurorial dhe publikut.

###

Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi ekskluzive e Institutit të Kosovës për Drejtësi – IKD dhe ajo nuk pasqyron pikëpamjet e Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) – Departamenti i Shtetit Amerikan dhe NED-it.