IKD: Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial sfidohen nga joefikasiteti, mungesa e llogaridhënies dhe integriteti i kontestuar

IKD: Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial sfidohen nga joefikasiteti, mungesa e llogaridhënies dhe integriteti i kontestuar

IKD: Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial sfidohen nga joefikasiteti, mungesa e llogaridhënies dhe integriteti i kontestuar

Prishtinë, 28 maj 2019 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED, të martën ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka publikuar raportin Pavarësia, efikasiteti, llogaridhënia dhe integriteti i Këshillave: Raport i monitorimit sistematik të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial – (Janar-Mars 2019)”.

Gzim Shala hulumtues në IKD ka prezantuar gjetjet e raportit, të cilat, sipas IKD-së dëshmojnë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK)  dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) edhe gjatë tre mujorit të parë të vitit 2019 janë përballur me mungesë efikasiteti, llogaridhënie dhe integriteti në ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. Shala ka thënë se si rezultat i monitorimit sistematik që u bën dy këshillave, IKD vlerëson se këto institucione, kompetencat dhe përgjegjësitë e përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj, nuk kanë qenë në gjendje që t’i zbatojnë në praktikë. “Është koha e fundit që KGJK dhe KPK të përmbushë mandatin e vet kushtetues dhe ligjor, në mënyrë që të kemi një sistem gjyqësor më të pavarur, të paanshëm dhe profesional”.

Ai theksoi se IKD ka monitoruar edhe procesin për funksionalizimin e Departamentit Special në Gjykatën Themelore të Prishtinës, i cili është përshkuar me mungesë të transparencës. “Afati i fundit për funksionalizimin e këtij departamenti është data 2 qershor 2019. Ky departament është jashtëzakonisht i rëndësishëm, për shkak se do të gjykojë rastet më të mëdha në vend. Për këtë arsye, publiku është i interesuar të dijë se si është duke u zhvilluar ky proces dhe kush do të jenë ata gjyqtarë që do të gjykojnë rastet më të rënda në sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës”.

Sipas Shalës, tremujori i parë i vitit 2019, sikurse edhe periudhat e mëhershme, nuk ka shënuar progres në drejtim të shtimit të efikasitetit të mekanizmave të kontrollit të punës së gjykatësve dhe prokurorve. Në anën tjetër, gjatë kësaj periudhe kohore, janë shënuar shumë raste kur gjykatës, prokurorë, kryetarë të gjykatave dhe kryeprokurorë të caktuar kanë rënë në kundërshtim me parimet dhe Kodin e Etikës, por asnjë prej tyre nuk është shkarkuar për shkak të performancës së dobët apo për shkak të masave disiplinore.

Ligjet për KGJK dhe KPK përcaktojnë së këshillat çdo tre vjet duhet të përfundojnë vlerësimin e performancës së tërë gjykatësve dhe prokurorëve. Sipas gjetjeve të IKD-së, rezulton se planifikimin për vlerësim të performancës KPK e ka bërë ashtu siç kërkohet me ligj, në mënyrë që gjatë vitit 2019 të arrijë të përfundojë vlerësimin e performancës për 1/3 e prokurorëve. KGJK, në anën tjetër, nuk e ka përmbushur këtë obligim, sepse përballë 429 gjyqtarëve që aktualisht janë pjesë e sistemit gjyqësor, ka planifikuar që gjatë vitit 2019 të bëjë vlerësimin e performancës për vetëm 42 prej tyre. KGJK as gjatë vitit 2018 nuk kishte bërë vlerësimin e performancës së 1/3 së gjyqtarëve. Sidoqoftë, nga të gjeturat e IKD-së rezulton se të dy këshillat këtë proces e zhvillojnë vetëm formalisht, në atë mënyrë që ky proces nuk arrin qëllimin e tij.

Sipas legjislacionit primar dhe sekondar, KGJK dhe KPK obligohen që çdo tre muaj të ftojnë Kryetarët e Gjykatave, respektivisht Kryeprokurorët e Prokurorive për të raportuar para anëtarëve të këshillave. Përderisa KPK këtë obligim ligjor e ka “përmbushur” në mënyrë “bllanko” dhe jo siç kërkohet me rregulloren që vet e ka nxjerrë, KGJK nuk është marrë fare me këtë çështje.

Tremujori i parë i vitit 2019 nuk ka shënuar efikasitet sa i përket miratimit të legjislacionit sekondar në KGJK dhe KPK. Përkundrazi, gjatë kësaj periudhe evidentohet vetëm një rregullore e miratuara nga KGJK, ndërsa vetëm dy rregullore të miratuara nga KPK. Të dy Këshillat, ende nuk kanë arritur që as në vitin 2019, të përmbyllin miratimin e legjislacionit sekondar lidhur me zbatimin e ligjeve bazike të miratuara qysh në vitin 2011, e të cilat ligje tanimë janë shfuqizuar me miratimin e ligjeve të reja të pakos së gjyqësorit.

Viti 2018 ishte shënuar me përplasje në mes të sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial. Në mes të dy sistemeve, kishte pasur akuza dhe kundër akuza sa i përket dështimit të sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, ka qenë vetëm sistemi prokurorial që ka hedhë akuza në drejtim të atij gjyqësor.

Nga monitorimi sistematik, IKD ka gjetur se mungon debati në mes anëtarëve të KGJK-së dhe KPK-së, sidomos debati dhe kontributi përmbajtjesor i tyre gjatë takimeve ku trajtohen politikat, strategjitë, dhe dokumentet relevante për miratim. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2019, KPK ka një ngritje të lehtë kuantitative në këtë drejtim, në atë drejtim që nuk kemi anëtarë që asnjëherë nuk i’u është dëgjuar zëri, siç ishte evidentuar në raportin e IKD-së mbi monitorimin e KGJK-së dhe KPK-së për vitin 2018, derisa KGJK ka një regres, ku nga monitorimi i IKD-së janë evidentuar 3 anëtarë të cilët gjatë këtij tremujori nuk e kanë thënë asnjë fjalë të vetme.

IKD përgjatë monitorimit të KGJK-së ka gjetur se nuk është përmbushur obligimi ligjor për themelimin e degëve të reja të Gjykatës Themelore të Prishtinës në Komunën e Fushë Kosovës dhe Obiliqit. Sikurse përcaktohet në ligj, themelimi i tyre do të ndikonte në shkarkimin e Gjykatës më të ngarkuar me lëndë në vend, asaj në Prishtinë, si dhe do të rriste qasjen në drejtësi për qytetarët e këtyre komunave. Ligji me të cilin ishte përcaktuar ky obligim ligjor tanimë është shfuqizuar dhe ka hyrë në fuqi ligji i ri, i cili përsëri përcakton themelimin e këtyre 2 degëve, si dhe disa degëve të tjera.

Transparenca me publikun dhe shoqërinë civile, mbetet ende sfidë për KGJK-në dhe KPK-në, të cilën sfidë asnjëri këshill nuk ka vullnet ta tejkalojë. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2019, në mbi 30% të kërkesave për qasje në dokumentet publike, IKD nuk ka marrë përgjigje nga sistemi gjyqësor. Sa i përket sistemit prokurorial, IKD nuk ka marrë përgjigje në afër 20% të kërkesave. Po ashtu, janë edhe një numër i kërkesave për qasje në dokumentet publike, në të cilat të dy sistemet kanë refuzuar të japin përgjigje. Një numër i caktuar i rregulloreve dhe një numër shumë i madh i vendimeve të miratuara nga KGJK dhe KPK gjatë tremujorit të parë të vitit 2019 nuk janë bërë publike në faqet zyrtare. Në këtë drejtim, sa i përket vitit 2018, në faqen zyrtare të KPK-së nuk figuron asnjë vendim, derisa vetëm 37.73% e vendimeve që KPK ka marrë gjatë tremujorit të parë të vitit 2019 janë publikuar në faqen zyrtare të saj.

IKD ka gjetur se Këshillat vazhdojnë me qasjen e njëjtë në raport me marrjen e vendimeve si dhe miratimin e legjislacionit sekondar, duke bërë shkelje të vazhdueshme të ligjit. Këto veprime të Këshillave, cenojnë rëndë ligjshmërinë dhe legjitimitetin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Për më tepër, IKD vlerëson se legjislacioni pozitiv në Kosovë, iu ka siguruar pavarësi të plotë të dy Këshillave në ushtrimin e funksioneve dhe përgjegjësive të tyre. Kjo pavarësi ka filluar të keqpërdoret nga dy Këshillat, duke zbatuar ligjin sipas interesave individuale të personave të caktuar brenda sistemit, ku për shumë raste konkrete, IKD vazhdimisht ka ngritur shqetësime publikisht.

Mungesa e vullnetit dhe integritetit të të dy këshillave për t’i përmbushur me efikasitet, integritet dhe profesionalizëm obligimet e tyre kushtetuese dhe ligjore është mesazhi më i keq që këta dy këshilla mund të përçojnë tek gjykatësit dhe prokurorët, si dhe tek publiku i gjerë. Kjo qasje e shndërron në parim të punës joefikasitetin, mungesën e llogaridhënies dhe pandëshkueshmërinë.

Bashkëngjitur e gjeni edhe raportin në shqip Pavarësia, efikasiteti, llogaridhënia dhe integriteti i Këshillave.