Prishtinë, 12 prill 2020 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, publikon raportin: “Këshilla për Këshillat: Raport vjetor i monitorimit të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial (1 janar–31 dhjetor 2019)”.
Gjetjet e IKD-së tregojnë se viti 2019 ka bërë rokadë në kryesimin e këshillave, pasi si Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ashtu edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kanë zgjedhur kryesues të rinj. Sa i përket kryesuesve paraprak, ish-kryesuesi i KPK-së është emëruar kryeprokuror i PSRK-së, derisa ish-kryesuesi i KGJK-së ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të KGJK-së.
Ish-kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj, ka dhënë dorëheqje edhe nga pozita e anëtarit të KPK-së, pikërisht në ditën kur është shpallur konkursi për kryeprokuror të PSRK-së, në të cilën pozitë, Isufaj është emëruar nga kolegët e tij. Për këtë mënyrë të emërimit, IKD ka gjetur se përbën konflikt të interesit.
Më 10 janar 2019 ka hyrë në fuqi Ligji NR. 06/L-055 për KGJK-në, derisa më 18 prill 2019 ka hyrë në fuqi Ligji nr.06/L-056 për KPK-në. Në këtë mënyrë, gjatë vitit 2019, si KGJK ashtu edhe KPK kanë zhvilluar punën e tyre mbi bazën e ligjeve të reja, ligje këto që kanë shfuqizuar ligjet paraprake. Miratimi i ligjeve të reja për KGJK dhe KPK, ka lënë prapa shumë obligime të pa përmbushura nga këshillat, e të cilat obligime kanë derivuar nga legjislacioni tanimë i shfuqizuar.
Me qëllim të ngritjes së efikasitetit të këshillave, ligjet e reja kanë “sakrifikuar” gjyqtarë e prokurorë. Në këtë drejtim, sipas Ligjit nr.06/L-055 për KGJK-në dhe ligjit nr.06/L-056 për KPK-në, kryesuesi, zëvendës kryesuesi, Kryetari i Komisionit për Vlerësimin e Performancës, Kryetari i Komisionit për Çështje Administrative dhe Kryetari i Komisionit për administrimin e gjykatave/prokurorive shërbejnë me orar të plotë në këshill, dhe pezullojnë detyrën e tyre si gjyqtar/prokuror.
Por, përballë kësaj zgjidhje ligjore, qëllimi i së cilës është ngritja e efikasitetit të këshillave, KGJK dhe KPK nuk kanë reflektuar efikasitet në praktikë. Kjo për arsye se edhe pas miratimit të ligjeve të reja në vitit 2019, si në KGJK ashtu edhe në KPK kanë vazhduar problemet e njëjta.
Në këtë drejtim, asnjëri prej këshillave nuk ka arritur që brenda afatit të përcaktuar me ligj të miratojnë të gjithë legjislacionin sekondar, duke lënë prapa shumë akte nënligjore të pa miratuara. Për më tepër, në disa prej akteve nënligjore të miratuara, IKD ka gjetur se këshillat kanë devijuar nga baza ligjore.
Një progres pozitiv që këshillat, veçanërisht KGJK, kanë bërë gjatë vitit 2019 është zhvillimi i proceseve të konsultimit publik, me rastin e miratimit të shumë akteve nënligjore. Një praktikë e tillë pozitive, domosdoshmërisht se duhet të formalizohet me një rregullore të veçantë për konsultime publike, si nga KGJK, ashtu edhe nga KPK.
Në anën tjetër, këshillat vazhdojnë të japin shembuj negativ, duke mos përmbushur obligimet e tyre ligjore brenda afateve. Një qasje e tillë përpos që paraqet mungesë të efikasitetit, përqon edhe mesazh negativ tek të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që bëjnë të pamundurën që detyrat e tyre ti përfundojnë brenda afateve të përcaktuara me ligj. Për më tepër, kjo praktikë zbeh edhe kredibilitetin e këshillave për të kërkuar llogaridhënie nga gjyqtarët dhe prokurorët të cilët detyrat e tyre zyrtare nuk i përfundojnë brenda afateve të përcaktuara me ligj.
Gjatë vitit 2019, KGJK nuk ka arritur që të bëjë vlerësimin e performancës për 1/3 e gjyqtarëve, derisa KPK ka bërë vlerësimin e performancës për 1/3 e prokurorëve. Madje, gjatë takimit të Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka kërkuar shkarkimin e Komisionit të KGJK-së për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve, për shkak se sipas tij, ky komision është subjektiv.
Po ashtu, KGJK dhe KPK nuk e kanë përmbushur siç kërkohet me ligj obligimin e tyre për ti ftuar kryetarët e gjykatave, respektivisht kryeprokurorët, për të raportuar para anëtarëve të këshillave. Një mënyrë e tillë e veprimit, paraqet dështim të këshillave për të mbajtur gjykatat dhe prokuroritë llogaridhënëse.
Gjatë vitit 2019, ka hyrë në fuqi edhe Ligji nr.06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Gjatë vitit 2019, masa më e rëndë disiplinore që KGJK ka shqiptuar ka qenë ulje e pagës për 30% në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajve, derisa gjatë këtij viti, KPK ka propozuar për shkarkim një (1) prokuror, derisa ka degraduar dy (2) prokurorë të tjerë. Por, për dallim nga përgjegjësia disiplinore, nën dyshimin për përgjegjësi penale, PSRK gjatë vitit 2019 ka vënë nën pranga dy (2) gjyqtarë.
Sa i përket transparencës, ndonëse ka një progres të theksuar, KGJK ende nuk ka arritur që të sigurojë transparencë të plotë, ashtu siç kërkohet me ligj. Në transparencë, gjatë vitit 2019 në masë të konsiderueshme ka çaluar KPK. Ndonëse në fillim të vitit 2019, KPK kishte një progres relativ të transparencës, ky progres ishte minuar me hyrjen në fuqi të Rregullores së KPK-së për Shërbimin e Komunikimit në Sistemin Prokurorial, e cila rregullore ka centralizuar informacionin prokurorial në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Në këtë mënyrë, në këtë raport IKD ka gjetur se pavarësisht ndryshimit të kryesuesve dhe ndryshimit të legjislacionit bazë, KGJK dhe KPK vazhdojnë me qasjen dhe praktikat përgjithësisht të njëjta, të cilat praktika cenojnë legjitimitetin dhe efikasitetin e këshillave në zbatimin e kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore.
Për më tepër, gjeni të bashkangjitur raportin “Këshilla për Këshillat: Raport vjetor i monitorimit të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial (1 janar–31 dhjetor 2019)”.