Prishtinë, 16 dhjetor 2013 – Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Friedrich Ebert Stiftung kanë organizuar tryezën “Reforma e sistemit të drejtësisë në Kosovë”, në të cilën është publikuar raporti me po të njëjtin titull sikurse tryeza. Panelistë në këtë tryezë të moderuar nga znj. Besa Luzha, ishin z. Hajredin KUÇI, ministër i Drejtësisë, znj.Valdete DAKA, anëtare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, znj. Sevdije MORINA, nënkryetare e Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe Betim MUSLIU bashkë-autor i raportit nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Gjatë prezantimit të raportit “Reforma e sistemit të drejtësisë në Kosovë”, bashkë-autori Betim Musliu, tha se ky raport është rezultat i nevojës për studim të thellë të reformave të vazhdueshme në sistemin e drejtësisë, dhe vizionin për të ardhmen e këtij sistemi, duke shkuar përtej vlerësimit të reformave të tanishme dhe duke synuar që të ofrojë indikatorë të qartë për vlerësim të arritjeve të reformave. “Pas pavarësisë së Kosovës, iniciativat për reforma më substanciale dhe multi-dimensionale janë intensifikuar, të cilat janë ndërlidhur ngushtë me procesin e shtet-ndërtimit ku Pako e Ahtisarit ka qenë bosht dhe është mishëruar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Hyrja në fuqi e Kushtetutës dhe nxjerrja e ligjeve të reja ka mënjanuar deri në një masë kompleksitetin e sistemit juridik dhe kishte hapur rrugë për një reformë mjaftë të thellë të sistemit të drejtësisë duke e bërë të qartë vizionin për modelin e qeverisjes së vendit”, tha Musliu. Ai theksoi se në përgjithësi, kësaj reforme i ka munguar një strategji gjithëpërfshirëse që do të orientonte angazhimin e institucioneve të ndryshme dhe do të bënte më të matshëm vlerësimin e arritjeve të reformës. “Mungesa e një strategjie gjithëpërfshirëse ka bërë që institucionet të krijojnë institute dhe mekanizma të ri, të ri-dizajnojnë procedura dhe mekanizma ekzistues, dhe të ndërmarrin aktivitete tjera në baza ad-hoc dhe duke reaguar sipas nevojës”. Musliu tha se sigurimi i mandatit të përhershëm deri në pensionim i gjykatësve dhe prokurorëve, pagat bazë të nivelizuara me pushtetet tjera, struktura e re e gjykatave me specifikim të kompetencave, krijimi i KPK-së, si dhe risitë tjera ligjore sa i përket sistemit gjyqësor dhe prokurorial kanë qenë disa nga pikat kryesore të reformës gjyqësore dhe prokuroriale. “Këto elemente kanë siguruar nivel të lartë të pavarësisë. Ndërsa, llogaridhënia ka mbetur e pa adresuar si duhet. Sistemi gjyqësor dhe prokurorial tash për tash mbahen llogaridhënës vetëm përmes mekanizmave të brendshëm, performancë dhe disiplinim”. Gjatë procesit të reformimit, Musliu tha se megjithatë pavarësia e gjyqësorit edhe është cenuar, sidomos në pjesën e buxhetimit, ku pikërisht reforma është përkrahur minimalisht sa i përket resurseve dhe kjo përkthehet në cenim të pavarësisë së gjyqësorit. “Ta vendosim këtë cështje në rrafshin praktik, sipas ndarjeve të tanishme buxhetore, gjyqësori nuk do i ketë të ndërtuara dhe dizajnuara ndërtesat sipas kërkesave ligjore deri në vitin 2028”. Musliu tha se akterët relevantë nuk kanë qëndrim të unifikuar rreth qëllimit të reformës, por të gjithë pak a shumë pajtohen në një pikë se reforma e gjyqësorit ka pasur për qëllim ngritjen e efikasitetit në sistem të drejtësisë, ndërsa në këtë drejtim nëse analizohet situata, reforma ka nisur me 190 mijë lëndë, ndërsa tash janë rreth 220 mijë lëndë të pazgjidhura.
Ministri i Drejtësisë, z. Hajredin Kuçi, tha se për shkak të rrethanave, sistemi i drejtësisë në Kosovë ka qenë në reformë të vazhdueshme. “Nëse kemi pasur qëllim të ndërtojmë arkitekturën dhe standardet në sistemin e drejtësisë, të cilat mendoj se i kemi arritur. Kosova ka ligjet më të mira në rajon e ndoshta edhe më gjerë”. Ministri Kuçi, tha se ka krijuar dy politika për sistemin e drejtësisë. “Politika e parë ka qenë që gjyqtarët dhe prokurorët të kenë mandatin e përjetshëm dhe nuk varen nga politikat ditore dhe e dyta që është poashtu një lloj barazie të jenë të barazuar në sistemin e pagave. Është hera e parë që kanë rrogën e barabartë me nje ministër”. Sa i përket të ardhmes, Kuçi tha se duhet të rritet llogaridhënia, duke i publikuar vendimet e gjykatësve në ueb-faqe online dhe duhet të krijohet një task-forcë për lëndët e pazgjidhura. Poashtu, kriteret për avancimin e gjykatësve dhe prokurorëve Kuçi tha se duhet të ulen ashtu që të krijohen mundësi të thithen kuadro, që kanë treguar sukses në fushën e drejtësisë por që nuk kanë qenë të angazhuar në prokurori dhe gjyqësor.
Valdete Daka, anëtare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se sistemi gjyqësor ka qenë i anashkaluar në vazhdimësi ndër vite por reforma e cila ka filluar do të ndryshojë zhvillimet në sistemin gjyqësor. “Reforma gjyqësore ka filluar me nguti për faktin se për ligjet që kanë hyrë në fuqi nuk janë bërë trajnime dhe përgatitje paraprake sa i përket Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, andaj, në vazhdimësi është dashur të nxjerrim udhëzime për të sqaruar dhe interpretuar zbatimin e dispozitave”, tha Daka. Ajo tha se përbërja e KGJK-së është ende problem, ngase shumicën e anëtarëve i përzgjedh Kuvendi i Republikës së Kosovës. “Anëtarët që janë gjykatës që përzgjidhen nga Kuvendi duhet pasur mbështetjen politike dhe kjo më pas mund të ketë ndikime”. Sevdije Morina, nënkryetare e Këshillit Prokurorial i Kosovës tha se sistemi gjyqësor dhe prokurorial pas luftës nuk kanë pasur një strategji të qartë për krijimin e kuadrove të reja dhe kjo ka sjell pasoja duke mos i plotësuar asnjëherë të gjitha pozitat për gjyqtarë dhe prokuror. “Kemi dy grupe gjyqtarët dhe prokurorësh që janë me përvojë dhe gati të dalin në pension si dhe ata të krijuar viteve të fundit që janë të rinj dhe entuziast por me gjithë vullnetin për punë ju mungon përvoja, kështu që kemi një vakum edhe në moshë, përvojë dhe profesionalizëm”, tha Morina. Të gjitha panelistët gjatë fjalimit të tyre, vlerësuan raportin si shumë kontruktiv dhe u pajtuan me rekomandimet e bëra nga IKD. Më poshtë gjeni rekomandimet e IKD-së që duhet të adresohen sa i përket çështjes së reformave të ndryshme në sistemin e drejtësisë:
– Vlerësimet e ndara – duhet të ndërmerren tri studime të thella dhe të ndara të cilat duhet të rezultojnë me rekomandime konkrete të bazuara në analiza të thuktë se si duhet të reformohet 1) Drejtësia Penale, 2) Civile, dhe 3) Administrative.
– Vlerësimet e specializuara – patjetër duhet të bëhen vlerësime dhe analiza të thella sa i përket themelimit të gjykatave/dhomave të veçanta sikurse ajo për Krime të Rënda dhe çështje Administrative. Me strukturën e tanishme duket se çështja e krimeve të rënda dhe drejtësia administrative nuk është adresuar më së miri, me fokus në kualitetin e kuadrove dhe stimulimin.
– Përpilimi i strategjisë gjithëpërfshirëse – duhet të bëjmë një strategji se si do të vazhdohet më tutje me reformën, ashtu që të përcaktohen qëllimet që synohet të arrihen dhe iniciativat që do të ndërmerren. Një strategji e tillë do të ndihmonte edhe në vlerësimet e mëvonshme të ligjeve dhe politikave të caktuara. Gjithashtu, strategjia do të të ndihmonte bashkërendimin e aktiviteteve në mes të akterëve të ndryshëm.
– Ndarje e resurseve adekuate – duhet të ndahen resurse adekuate për të mundësuar zbatimin e plotë të ligjeve, sidomos atyre bazike për sistemin gjyqësor dhe prokurorial.
– Llogaridhënia – Pasi që pavarësia e sistemeve gjyqësor dhe prokurorial është siguruar në masë të lartë, tani fokusi duhet të vendoset në forcim të llogaridhënies. Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të analizojnë dhe gjejnë një model më të avancuar dhe më efikas të llogaridhënies së sistemit gjyqësor dhe prokurorial.
– Reforma e administratës – Duhet të gjendet një model i filtrimit të stafit mbështetës në administratën gjyqësore dhe duhet të krijohet një mekanizëm më efikas për kontrollin e performancës së tyre, pasi mbetet sfidë e madhe për institucionet e drejtësisë.