Prishtinë, 8 korrik 2024 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Sundimit të Ligjit (INL) – Departamenti i Shtetit Amerikan dhe të National Endowment for Democracy (NED), të hënën ka publikuar raportin: “Problemet e reformës në drejtësi” (Analizë e katër Projektligjeve që dalin nga “Deklarata e Përbashkët e Zotimeve”).
Ministria e Drejtësisë (MD), Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, Gjykata Supreme dhe Kryeprokurori i Shtetit më 14 mars 2023 kanë nënshkruar Deklaratën e Përbashkët të Zotimeve me qëllim të vazhdimit të reformës në drejtësi. Megjithatë, nga qëllimi që reforma në drejtësi të bëhet nga MD-ja së bashku me krerët e KGJK-së dhe KPK-së, Ministria e Drejtësisë ka përfunduar e vetme në tentativën e saj për këtë reformë, kjo për shkak të mospajtimeve mes institucioneve.
Sipas hulumtueses së IKD-së, Ariana Rexha, MD më 10 qershor 2024, në platformën e konsultimeve publike, ka publikuar për konsultime gjithsej shtatë (7) projektligje, gjashtë (6) prej të cilave dalin nga Deklarata e Përbashkët e Zotimeve.
Sipas saj, përkundër që ky afat mund të zgjatet siç parashihet me Rregulloren për Standardet Minimale, kjo nuk ka ndodhur. Ajo tha se një afat kaq i shkurtër mund të perceptohet si tendencë për minimizim të kritikave dhe shpejtim të procedurave për miratimin e ligjeve ashtu siç i ka paraqitur propozuesi.
Në anën tjetër, gjatë prezantimit të raportit, hulumtuesi i IKD-së, Melos Kolshi, tha që vlerësimi i përformancës së anëtarëve të KGJK-së dhe KPK-së nuk mund të bëhet nga Komisioni për Vlerësimin e Përformancës.
“IKD vlerëson se anëtarët e Këshillave, të cilët janë të mandatuar që ta bëjnë vlerësimin e performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk mund të jenë subjekt i vlerësimit të performancës në kapacitetin e tyre si anëtarë të Këshillave, kjo pasi që Komisioni i Venecias theksoi se anëtarët e një Këshilli Gjyqësor, mund të shkarkohen nga detyra vetëm në bazë të një sjellje serioze të pahijshme (shkelje të rëndë disiplinore), e cila duhet të provohet në një procedurë e cila garanton të drejtën për gjykim të drejtë. Kështu, përgjegjësia e vetme që mund të bartë një anëtar i Këshillit është përgjegjësia disiplinore dhe jo edhe përgjegjësia e cila derivon nga një vlerësim i performancës”, theksoi Kolshi.
Gjithashtu, Kolshi tha se me Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Akademinë e Drejtësisë, ekziston një tendencë për një kontroll politik të Akademisë së Drejtësisë (AD), pasi që me këtë Projektlig është paraparë ndryshimi i Ligjit bazik ku është përcaktuar se mbikëqyrja e Akademisë së Drejtësisë bëhet nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Sipas tij, një dispozitë e tillë paraqet ndërhyrje të ekzekutivit në një institucion të pavarur siç është Akademia e Drejtësisë dhe ky institucion nuk duhet të mbikëqyret nga një Komision Parlamentar, i përbërë nga përfaqësues politikë.
Tutje, Kolshi tha se MD-ja është duke zhvilluar dy procese të ndara lidhur me Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
“Qasja e MD-së për të iniciuar ndryshimet në ligjin e vjetër derisa ligji i ri është dërguar në Kuvend për miratim, tregon për keqplanifikim të saj të reformës në drejtësi dhe më e arsyeshme do të ishte që ndryshimet e nevojshme të përfshiheshin në ligjin e ri dhe të pritet që ai të miratohej, sesa për ligjin e njëjtë, paralelisht të zhvillohen dy procedura”, tha Kolshi.
Në këtë kontekst, Kolshi tha që MD-ja duhet të shqyrtojë dhe të rishikojë proceset e saj të planifikimit dhe menaxhimit legjislativ për të siguruar që nismat ligjore janë mirë të koordinuara.
Sipas Kolshit, lënia e kontrollit të zyrtarëve të Njësisë për kontrollin e integritetit, në mandat të Policisë së Kosovës, paraqet shkelje të Kushtetutës dhe rrezikim të politizimit të këtij vlerësimi.
“Lënia në mandat të Policisë së Kosovës të kontrolli të zyrtarëve të Njësisë për kontrollin e integritetit, është shkelje Kushtetuese, pasi që Neni 128 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka përcaktuar se: Policia e Republikës së Kosovës mban përgjegjësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Pra, sipas këtij neni, janë dy fusha në të cilat Policia e Kosovës ka mandat, e që janë: rendi dhe siguria publike. Në rastin konkret, ky kontroll i zyrtarëve të njësisë së integritetit nuk bën pjesë në asnjërën prej këtyre fushave. Rrjedhimisht, kjo kompetencë, sipas Kushtetutës, nuk mund t’i takojë Policisë së Kosovës”, deklaroi Kolshi.
Tutje, Kolshi tha se në Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Akademinë e Drejtësisë nuk janë paraparë situatat kur një kandidat për gjyqtar apo prokuror nuk mund të vijojë trajnimin 12 muaj. Ai tha se IKD i ka rekomanduar MD-së që të këto situata të adresohen në ndryshimet e reja ligjore, pasi sipas tij është thelbësore që kandidatëve t’iu ofrohen mundësi të përshtatshme duke mos lënë asnjë hapësirë që kandidatët në pamundësi objektive të pjesëmarrjes të humbasin statusin e tyre.
Po ashtu, sipas tij IKD ka identifikuar disa dispozita të panevojshme lidhur me nenin 4 të Projektligjit për Nëpunësit Civilë në Administratën e Gjykatave dhe Prokurorive, ku janë paraparë specifikat e veçanta të punës në administratën e gjykatave dhe prokurorive. Ai tha se specifikat e veçanta të punës për nëpunësit e administratës së gjykatave dhe prokurorive të përfshira në këtë nen të Projektligjit janë të panevojshme dhe se sqarimet duhet të mbesin sqarime dhe assesi norma, siç është paraparë në Projektligj.
Në anën tjetër, Kolshi tha se neni 13 i Projektligjit për Nëpunësit Civilë në Administratën e Gjykatave dhe Prokurorive (AGJP) përcakton notat e vlerësimit të performancës, por nuk specifikon pasojat e vlerësimeve negative, duke bërë që procedura dhe sanksionet pas vlerësimit të mbeten të papërcaktuara. Ai tha se sipas analizës së IKD-së, në këtë nen duhet të përcaktohet qartë edhe procedura pas vlerësimit të performancës dhe “sanksionet” që mund të priten pas vlerësimit me notën “dobët”.
Gjithashtu, gjatë prezantimit të raportit, IKD i ka rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë që të bëjë rishikimin e dispozitave për zgjedhjen e drejtorëve të Sekretariateve të KGJK-së dhe KPK-së, në mënyrë që të përcaktohen kriteret e qarta ligjore për zgjedhjen e tyre dhe të njëjtat kritere të shpjegohen më detajisht.
Raportin e publikuar mund ta gjeni në këtë link.