Prishtinë, 26 gusht 2021 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) konsideron se Departamenti Special i Gjykatës së Apelit ka vepruar drejt kur në kolegj të rregullt e ka gjykuar rastin e Ivan Todosijeviq. Sipas IKD-së, Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve, Rregullorja e KGJK-së dhe praktika gjyqësore dëshmojnë se Divizoni i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë nuk ka pasur kompetencë në rastin konkret.
Me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve është përcaktuar themelimi i një divizioni të Gjykatës së Apelit, e cila do të trajtojë të gjitha rastet e komunave me shumicë serbe.[1] Në këtë rast, e rëndësishme është të theksohet fakti se kjo Marrëveshje nuk i referohet nacionalitetit (serb), por i referohet komunave si entitet, përkatësisht komunave me shumicë serbe. Ndaj nuk mund të vlejë argumenti se individët e nacionalitetit serb duhet të gjykohen vetëm nga divizioni i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, pasi që Marrëveshja i referohet rasteve brenda juridiksionit të atyre komunave, e jo çdo individi të nacionalitetit serb që vjen nga ato komuna.
Kjo Marrëveshje është materializuar me Rregulloren e KGJK-së,[2] e cila ka listuar komunat me shumicë serbe dhe juridiksionin në shkallë për ato komuna, duke theksuar se Divizioni i Apelit në Mitrovicë do të trajtojë vetëm rastet të cilat vijnë nga gjykatat e shkallës së parë të këtyre 10 komunave me shumicë serbe. E njëjta Rregullore ishte hartuar dhe miratuar në koordinim dhe bashkëpunim të plotë në mes të KGJK-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, me theks të veçantë ekspertet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Rasti i deputetit Ivan Todosijeviq nuk është i kësaj natyre. Ky rast, sipas aktakuzës së PSRK-së, është gjykuar nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe jo nga një gjykatë e shkallës së parë në ndonjë prej komunave me shumicë serbe.
Për këtë arsye, IKD vlerëson se Apeli ka vendosur drejt kur ka gjykuar këtë rast, për shkak se në rastet të cilat gjykohen nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë në shkallë të parë, kompetent është Departamenti Special i Gjykatës së Apelit si shkallë e dytë dhe jo Divizioni i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë (duke qenë se rasti i gjykuar në shkallë të parë nuk është në komunë me shumicë serbe)
Për më tepër, nga monitorimi sistematik i seancave gjyqësore që bën IKD, janë evidentuar edhe raste të tjera në të kaluarën kur është vepruar kështu nga Apeli. Rastet e gjykuara në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, edhe kur i akuzuari ka qenë serb (madje edhe banor i një prej komunave me shumicë serbe), në shkallë të dytë nuk janë gjykuar nga Divizioni i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, por nga Departamenti Special i Gjykatës së Apelit.[3] Në këtë mënyrë ishte vepruar edhe në rastet që janë gjykuar nga gjykatat themelore të cilat nuk kanë juridiksion në komunat me shumicë serbe.[4]
Njëkohësisht, IKD i bën ftesë Bashkimit Evropian që të ketë kujdes të shtuar në reagimet publike lidhur me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, me theks të veçantë në Marrëveshjen e Brukselit për Drejtësi. Reagimet e ngutshme, të pabazuara dhe duke akuzuar njërën palë pa të drejtë, cenojnë rëndë besimin e publikut në këto marrëveshje, inkurajojnë qytetarët e komunitet serb për mos integrim në sistemin kosovar të drejtësisë dhe i hapin mundësi palës serbe për të ndërhyrë padrejtësisht në këtë proces. Për më tepër, reagime të kësaj natyre inkurajojnë palën tjetër për të reaguar publikisht dhe promovuar krimet e luftës ne Kosovë, si ishte rasti me Presidentin Vuqiq, i cili masakrën e Reçakut e cilësoj si trillim.
[1] Marrëveshja e Parë e Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve. Neni 10. (shih linkun: https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/docs/Marreveshja_e_Pare_per_Normalizimin_e_Marredhenieve_19_prill_2013.pdf?fbclid=IwAR1T7AYYmVXWcy9etmAkvwMs4SglajJrMaUgeQhU86otWyYYhIJGyJkebRY)
[1] Rregullore nr. 02/2020 për Organizimin dhe Veprimtarinë e Brendshme të Gjykatave të Republikës së Kosovës. Shtojca 1. Neni 3 dhe 4. (Shih linkun: https://www.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/lgsl/31597_Rregullore_Nr_02_2020_per_organizimin_dhe_veprimtarine_brendshme_te_gjykatave.pdf)