IKD: Është nevojë e domosdoshme që Kosova të filloj më veprime konkrete drejt procesit të vetingut

IKD: Është nevojë e domosdoshme që Kosova të filloj më veprime konkrete drejt procesit të vetingut

IKD: Është nevojë e domosdoshme që Kosova të filloj më veprime konkrete drejt procesit të vetingut

Prishtinë, 13 dhjetor 2018 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të enjten, ka mbajtur tryezën me temë “Integriteti, Llogaridhënia dhe Efikasiteti i sistemit të drejtësisë – Nevoja për Vetting”, si aktivitet në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2018”.

Në këtë tryezë, u prezantua raporti i përbashkët i IKD-së dhe Institutit Columbus me titull “Vetingu pa alternativë”, në të cilin janë prezantuar raste konkrete që dëshmojnë kapjen e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, si Policia, Prokuroria dhe Gjyqësori nga politika dhe grupet e interesit në Kosovë.

Zyrtarët e lartë shtetërorë si përfaqësues politik, jo në aspektin formal, por në aspektin praktik janë ndikuesit e drejtpërdrejtë në rekrutimin e gjykatësve dhe prokurorëve si dhe në emërimin e pozitave kyçe në sistemin e drejtësisë. Kjo ka ndikuar që sistemi i drejtësisë, të ketë gjykatës dhe prokurorë, sidomos në udhëheqje, që kanë lidhje të afërta apo janë “argatë” të drejtpërdrejtë të politikanëve të caktuar në pozita të larta shtetërore.

Një prej shpjegimeve të kapjes së shtetit është politizimi i skajshëm i institucioneve publike, sidomos gjyqësorit, prokurorisë dhe policisë. Krerët e institucioneve të drejtësisë, shoqërohen me të akuzuar të profilit të lartë të politikës, duke zbehur skajshmërisht besimin e qytetarëve, se rastet e tyre trajtohen në bazë të ligjit.

Në anën tjetër, mosndëshkimi i veprimtarive të korrupsionit, sidomos të profilit të lartë, dëshmon për amnistinë e tërësishme që iu bëhet politikanëve të korruptuar. IKD ka ngritur shqetësime për dukurinë e amnistisë së zyrtarëve të profilit të lartë, ndaj të cilëve qëllimisht ngritën aktakuza pa mbështetje të provave dhe dëshmive, të cilat rrëzohen në Gjykata, duke ju krijuar imunitet përjetësisht për të mos u ndjekur për veprat e njëjta.

Në burgjet e Kosovës, ende nuk vuan dënim me burgim efektiv asnjë zyrtar i profilit të lartë për shkak të aktgjykimit të formës së prerë për korrupsion. Mungesa e respektimit të sundimit të ligjit, korrupsioni i nivelit të lartë dhe pasurimi i shpejtë i zyrtarëve të lartë, shkalla e madhe e papunësisë, mungesa e investimeve të huaja, besueshmëria e ulët e qytetarëve në institucione të drejtësisë, dëshmon se sistemi i drejtësisë i ndikuar skajshmërisht nga politika dhe grupet e interesit, bashkëjeton me veprimtaritë kriminale dhe korruptive, duke mos i ndjekur dhe gjykuar ato.

Sipas IKD dhe Columbus, në këtë situatë të krijuar, e cila shihet e pashpresë, është nevojë e domosdoshme që Kosova të filloj më veprime konkrete drejt procesit të vetingut në Polici, Prokurori dhe Gjykata. Përmes këtij procesi duhet të sigurohen qytetarët e Kosovës se vetingu do të bëhet në mënyrë të pavarur, të drejtë dhe të paanshme. Integriteti i tërë këtij procesi do të garantohej nëse ai do të realizohej nën udhëheqjen e shteteve mike që kanë mbështetur shtet ndërtimin e Kosovës ndër vite si SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania

Gjatë tryezës, panelistët dhe pjesëmarrësit debatuan me fokus në tri çështje kryesore: integritetin e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë, llogaridhënien dhe efikasitetin e tyre.

Të gjithë panelistët u dakorduan që duhet të kemi një proces të vetingut të mirëfilltë të gjithë sistemit të drejtësisë, e i cili duhet të jetë i qëndrueshëm. Madje disa prej tyre thanë se jo vetëm Policia, Prokuroria dhe Gjykata duhet përfshirë në këtë proces, por nëse është e nevojshme, përmes procesit të vetingut duhet të kalojnë edhe zyrtarët tjerë publik, duke nisur nga presidenti e deri të zyrtarët komunal, pasi  sipas tyre një gjë e tillë do të krijonte kushte për një qeverisje të pandikuar nga korrupsioni.

Tutje, diskutimi i panelistëve dhe pjesëmarrësve u fokusua në faktin se si duhet bërë procesi i vetingut në mënyrë që i njëjti të mos dështojë në fazën fillestare.

Vlen të theksohet se Kryetari i Partisë Socialdemokrate kishte qëndrim të qartë rreth gjendjes aktuale të luftës kundër korrupsionit në Kosovë, për të cilën tha se rezultatet janë zero.

##

Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” përbëhet nga: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Organizata Çohu, Instituti GAP, Iniciativa për Progres (INPO), Instituti KIPRED, Instituti Columbus dhe ACDC. Java Kundër Korrupsionit 2018 mbështetet nga Ambasada Amerikane në Kosovë.