Prishtinë, 18 dhjetor 2018 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike në Kosovë dhe NED, të martën, ka mbajtur tryezën me titull “Integriteti i sistemit të drejtësisë në luftimin e korrupsionit”. Në këtë tryezë u publikua raporti i IKD-së si rezultat i monitorimit sistematik të trajtimit të rasteve të korrupsionit në sistemin prokurorial dhe gjyqësor.
Pjesë e panelit të kësaj tryeze ishin Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Ruairi O’Connell, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor (KGJK), z. Nehat Idrizi, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial (KPK), z.Blerim Isufaj, Kryetari i Gjykatës Supreme, z.Enver Peci dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, z.Ehat Miftaraj.
Miftaraj ka prezantuar gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet e monitorimit të trajtimit të rasteve të korrupsionit nga gjykatat dhe prokuroritë, sipas të cilit, nga analiza e tri viteve të fundit të trajtimit të korrupsionit të profilit të lartë, rezulton se ende nuk ekziston një zyrtarë i profilit të lartë, i cili është dënuar për korrupsion me aktgjykim të formës së prerë me burgim efektiv. “Gjetjet e IKD-së dëshmojnë se për tri vjet (1 janar 2016 – 1 dhjetor 2018), gjykatat kanë trajtuar 58 aktakuza ndaj 67 personave të profilit të lartë, ku vetëm 12 prej tyre janë akuzuar gjatë kohës që kanë qenë në pushtet apo mbajtur pozitat e larta udhëheqëse, ndërsa 55 prej tyre janë akuzuar vetëm pasi e kanë përfunduar mandatin apo pasi kanë kaluar në “isha””.
Tutje, Miftaraj bëri të ditur se nga 67 zyrtarët e profilit të lartë të akuzuar, Gjykatat Themelore si shkallë e parë për 7 zyrtarë të lartë kanë hudhur aktakuzat, për 16 zyrtarë kanë marrë aktgjykime liruese, për 5 zyrtarë kanë marrë aktgjykime refuzuese, ndërsa ndaj 10 zyrtarëve të profilit të lartë gjykatat kanë shqiptuar dënime. “Ndaj 28 zyrtarëve të profilit të lartë ende janë duke vazhduar procedurat gjyqësore në shkallë të parë. Prej 10 zyrtarëve të dënuar, gjykatat për 7 zyrtarë të lartë kanë shqiptuar dënime me burgim me kusht, ndërsa ndaj një zyrtari është shqiptuar dënim me gjobë. Ndërsa vetëm dy dënime janë shqiptuar me burgim efektiv, të dyja nga tri vjet burgim efektiv, njëri ndaj ish-Kryetarit të OShP-së, Hysni Hoxha dhe tjetri ndaj ish-Kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja. Hoxha është liruar nga Gjykata e Apelit, ndërsa rasti i Shukri Bujës gjendet në procedurë të ankesave në Apel”.
Në të gjitha këto raste të aktgjykimeve të shpallura nga Gjykatat Themelore si shkallë e parë, drejtori ekzekutiv i IKD-së deklaroi se në rastet e proceduara me ankesa në Gjykatën e Apelit në Prishtinë si shkallë e dytë, janë gjithsej 30 raste të zyrtarëve të profilit të lartë, në të cilat kjo gjykatë ka marr vendime, ndërsa ndaj 7 zyrtarëve të profilit të lartë ende vazhdojnë proceset. “Prej 30 rasteve në të cilat ka vendosur Gjykata e Apelit në Prishtinë, rezulton se gjykatësit në nëntë (9) raste kanë konfirmuar hudhjet e aktakuzave për të cilat kanë vendosur Gjykatat Themelore në shkallë të parë, ndërsa kanë shpallur katër (4) aktgjykime refuzuese. Prej tyre kanë vërtetuar tri (3) aktgjykime refuzuese të shkallës së parë, ndërsa një aktgjykim dënues me dy vjet burgim me kusht ndaj ish-Ministrit të Kulturës Astrit Haraqija e kanë konvertuar në aktgjykim refuzues. Gjykatësit e Apelit kanë kthyer në rigjykim, rastin ndaj ish-Kryetar i Dragashit Salim Jenuzi, i cili në shkallë të parë ishte dënuar me 10 muaj burgim me kusht, i cili rast, në ndërkohë ka përfunduar sërish në shkallë të parë, por tani me aktgjykim refuzues, duke e liruar të akuzuarin për shkak të arritjes së afatit të parashkrimit”.
Tutje, Miftaraj gjithashtu bëri të ditur se Gjykatësit e Apelit kanë shpallur 15 aktgjykime liruese, prej të cilave janë vërtetuar gjashtë (6) aktgjykime liruese të Gjykatave Themelore, ndërsa kanë ndryshuar katër (4) aktgjykime dënuese të shkallës së parë, duke i konvertuar në aktgjykime liruese. “Në këtë drejtim, Gjykata e Apelit ka liruar ish-Ministrin e Kulturës Valton Beqiri, i cili ishte dënuar në shkallë të parë me 1 vit burgim me kusht, ish-Kryetarin e Komunës së Parteshit Dragan Nikoliq, i cili ishte dënuar nga shkalla e parë me gjashtë (6) muaj burgim me kusht, ish-Rektorin e UP-së Enver Hasani, i cili ishte dënuar nga shkalla e parë me 12 muaj burgim me kusht dhe ish-Kryetarin e OShP-së Hysni Hoxha, i cili ishte dënuar nga shkalla e parë me tri (3) vite burgim efektiv. I vetmi dënim i vërtetuar nga Gjykata e Apelit është dënimi me kusht prej 10 muajve i shqiptuar ndaj Sreqko Spasiqit ish-Kryetar i Kllokotit”.
Drejtori ekzekutiv i IKD-së bëri të ditur se ky Institut rekomandon ekzekutivin dhe legjislativin që të fillojnë me inicimin e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore për ta përgatitur procesin e vetingut të thellë në sistem gjyqësor, prokurorial dhe polici.
Ambasadori i Britanisë së Madhe, z. Ruairi O’Connell, në fjalën hyrëse tha se me rezultatet e prezantuara për luftën kundër korrupsionit po krijohet ambienti që korrupsioni të lulëzojë, dhe se Kosova e ka shumë të vështirë të përparojë drejt integrimit evropian. Sipas O’Connell, gjetjet e IKD-së lidhur me numrin e trajtimit të aktakuzave gjatë këtyre tre viteve, në dëgjim të parë duket diçka premtuese, por kur e shikon se për të gjitha këto aktakuza janë aktgjykime liruese, është shumë dëshpëruese. “Ne e dimë që ka korrupsion, por duhet të pyesim pse nuk po ndëshkohet? Dicka që mu duk interesante mua personalisht është statistika që tregon se vetëm 12 raste të profilit të lartë janë akuzuar gjatë kohës sa kanë qenë në pushet, 55 raste të tjera janë akuzuar vetëm pasi që kanë përfunduar mandatet. A do të thotë kjo që pushteti po shërben si mburojë nga ballafaqimet me gjyqësorin?”, tha O’Connell, duke pyetur se si shpjegohet që asnjë aktakuzë e profilit të lartë nuk është arritur të vërtetohet nga gjykata, se nëse aktakuzat ndaj profilit të lartë po ngritën qëllimisht nga prokurorët për të bërë lojëra politike, apo ka problem me gjykatësit, apo mungesën e guximit?
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë deklaroi se më nuk ka hapësirë për ankesa, pasi që Kosova ka ligje të mjaftueshme, mirëpo problemi është se mungon zbatimi i tyre. Sipas tij, ndikimet politike janë aq të pashmangshme, për çka, jo vetëm Kosova, por çdo shtet në botë ka nevojë për një proces, një mekanizëm, një strukturë që mund të vërtetojë se sistemi i drejtësisë funksionon me integritet.
Ambasadori O’Connell tha se Kosova është 100% përgjegjëse për luftimin e korrupsionit. “Bashkësia ndërkombëtare kërkon diçka prej Kosovës. Nuk është një lutje, nuk është një ofertë prej nesh për të ndihmuar Kosovën, por është kërkesë që Kosova të mos jetë çerdhja e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi O’Connell.
Kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizi deklaroi se e mirëpresin raportin e IKD-së, dhe se rekomandimet e dhëna nga ky Instituti do t’i marrin parasysh, në mënyrë që siç tha ai punë e tyre të jetë më efektive dhe më llogaridhënëse. Idrizi tha se KGJK dhe gjykatat duhet të jenë në krye të përpjekjeve për luftimin e korrupsionit, dhe se duhet të ketë edhe një vullnet të lartë politik në këtë drejtim.
Në anën tjetër, Kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj deklaroi se ky Këshill po përpiqet të forcojë llogaridhënien e transparencën e sistemit prokurorial, duke shtuar se një sistem me integritet të padiskutueshëm është esencial për besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
Kurse, Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci tha se politika ndëshkimore është e butë, prandaj dhe të njëjtën duhet përcjellë për të parë se si ka ardhur deri të një vendim i caktuar për raste të korrupsionit. Peci gjithashtu tha se monitorimi i IKD-së ka ndikuar që sistemit gjyqësor të përmirësohet.
Lidhur me këtë temë ka pasur debat përmbajtjesor edhe nga pjesëmarrësit në tryezë, ndër të cilët ishin Kryetarët dhe Kryeprokurorët e të gjitha niveleve të Gjykatave dhe Prokurorive, përfaqësues të institucioneve të pavarura, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe ambasadave të huaja në Kosovë, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe mediat.