Prishtinë, 9 shtator 2021 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) monitoron në vazhdimësi punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Të dhënat në këtë infografikë përfshijnë periudhën kohore që nga themelimi i qeverisë (22 mars 2021) e deri më 31 gusht 2021.
Gjetjet e IKD-së tregojnë se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka arritur ta përmbushë planin legjislativ përkundër se numri më i madh i ligjeve të miratuara janë të bartura nga qeveritë paraprake.
Që nga themelimi e deri në fund të muajit gusht 2021, Qeveria e Republikës së Kosovës ka planifikuar që të miratoj gjithsej 44 projektligje, derisa janë miratuar 32 prej tyre. Shprehur në përqindje, Qeveria e Republikës së Kosovës ka arritur ta përmbushë 72.7% të planit të vet legjislativ.
Nga 32 ligje të miratuara, vetëm 3 ligje janë të reja ndërsa 3 të tjera janë plotësim/ndryshime. Pjesa dërrmuese e ligjeve (26) janë ligje të bartura nga plani legjislativ i qeverive të kaluara. Shprehur në përqindje, i bie se 81.2% e ligjeve të miratuara janë të bartura nga qeveritë paraprake.
Numri më i madh i projektligjeve janë sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë (12). Shprehur në përqindje, 37.5% e projektligjeve të miratuara janë të sponsorizuara nga Ministria e Drejtësisë. Të gjitha projektligjet e sponsorizuara nga Ministria e Drejtësisë, janë të bartura nga qeveritë paraprake.