Drejtësia në Prishtinë për zgjedhjet parlamentare 2014

Drejtësia në Prishtinë për zgjedhjet parlamentare 2014

Drejtësia në Prishtinë për zgjedhjet parlamentare 2014

Prishtinë, 6 qershor – Instituti i Kosovës  për  Drejtësi  (IKD) në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit kanë organizuar të premten tryezën e tetë me radhë “Drejtësia në zgjedhjet parlamentare 2014”, me pjesëmarrjen e Ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Ian Cliff, akterëve të institucioneve të drejtësisë të nivelit qendror dhe lokal, kandidatëve të partive politike, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave.

Z. Betim Musliu moderator i kësaj tryeze tha se qëllimi i kësaj tryeze është ngritja e debatit dhe senzibilizimi i të gjithë akterëve, partive politike dhe opinionit të gjerë rreth gatishmërisë së institucioneve të drejtësisë për të luftuar çdo veprim në drejtim të manipulimit të votave në zgjedhjet e 8 qershorit 2014.

Z. Ian Cliff, Ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë, tha se zgjedhjet dhe roli i institucioneve të drejtësisë është qenësor për të siguruar që zgjedhjet parlamentare të jenë të lira dhe të drejta. “Për këtë arsye Ambasada e Britanisë në Kosovë ka qenë e gatshme të mbështesë IKD-në për të mbajtur këtë tryezë diskutimi dhe ne po mbështesim IKD-në për të monitoruar institucionet e drejtësisë për këto zgjedhje”. Ambadadori Cliff, tha se Britania e Madhe fuqimisht beson se zgjedhjet e lira janë parakusht për qeverisje  demokratike. Gjatë fjalimit të tij, Ambasadori Cliff theksoi se Kosova tashmë ka Kode të reja, të cilat sanksionojnë shumë më ashpër manipulimet e votave. “Ajo që na duhet është një bashkëpunim nga partitë politike dhe qytetarët. Kemi mbështetje nga faktori ndërkombëtar. BE tanimë ka zbarkuar 98 monitorues, të cilët do të jenë të pranishëm në tërë Kosovën dhe ka numër të madh të stafit të ambasadave të cilat do të monitorojnë këtë proces”. Ambasadori Cliff, tha se kanë nëntë ekipe vëzhguesish në Kosovë, pasi që, siç tha ai, është prioritet i madh që të promovohen zgjedhje të lira.

Koordinatorja Nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, znj. Laura Pula, tha se Prokurori i Shtetit është shumë proaktiv, pasi ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi dhe ka krijuar PSV. Ajo tha se parimi kryesor që del nga PSV-të është arrestimi dhe ndalimi i të gjithë personave të cilët në një apo mënyrë tjetër do të veprojnë kundër të drejtave të votimit. Pula tha se janë caktuar mbi 100 prokurorë dhe mbi 300 staf mbështetës që do të punojnë në ditën e votimit në të gjithë territorin e Kosovës, që së bashku me Hetues nga Policia e Kosovës do të kooperojnë për të luftuar çdo lloj veprimtarie që bie ndesh me veprat penale kundër të drejtave të votimit. “Këtë herë bazuar edhe në PSV për të cilat e kemi përvojën prej zgjedhjeve lokale, prokurorët bashkë me policinë do të reagojmë dhe arrestojmë edhe ata persona, të cilët në rastet kur kryhen veprat penale kundër të drejtave të votimit nuk lajmërojnë përgjegjësit ndërsa obligohen ta bëjnë këtë”.  Ajo ka inkurajuar të  gjithë qytetarët, partitë politike dhe shoqërinë civile që të raportojnë rastet e keqpërdorimeve në polici dhe prokurori.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Imer Beka, tha se kjo prokurori për zgjedhjet parlamentare, në bashkëpunim me Koordinatoren Nacionale, ka caktuar prokurorët kujdestarë që do të bashkëpunojnë me hetuesinë dhe policinë për Rajonin e Prishtinës. “Për të gjitha komunat kemi caktuar prokurorët kujdestarë që do të reagojnë me urgjencë në të gjitha rastet që mund të paraqiten”.

Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Naim Rexha, tha se organet policore si gjithmonë edhe këtë herë kanë bërë përgatitjet e nevojshme për të siguruar procesin zgjedhor. “Policia e Kosovës si gjithmonë edhe këtë herë ka analizuar përvojat e zgjedhjeve të kaluara dhe ka përgatitur planet e veprimit, të cilat do të mundësojnë një bashkëpunim të ngushtë me prokurorët, me të cilët si asnjëherë më parë do të sigurohet një zbatim efikas i PSV-ve”. Rexha ka porositur të gjithë se nuk do të ketë pardon për askë, duhet ta dinë të gjithë se veprimet do të jenë urgjente në përputhje me ligjin, për të luftuar çdo manipulim me votat.

Kryesuesi i  Këshillit  Gjyqësor  të  Kosovës, z. Enver  Peci, tha se gjyqësori i Kosovës do të trajtojë me prioritet të gjitha rastet e zgjedhjeve, duke ditur rëndësinë që kanë për shtetin e Kosovës. “Ne kemi bërë poashtu përgatitjet e nevojshme që të përgjigjemi në secilin rast për caktimin e masave të nevojshme në kuadër të ligjit në qoftë se do të ketë kërkesa të tilla nga prokurorët në ditën e votimit apo kurdo”.

Përfaqësuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Xhemail  Peçani,  tha se KQZ prej momentit të shpalljes së zgjedhjeve ka punuar për të përmbushur të gjitha detyrimet ligjore që dalin për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare. “I gjithë materiali i cili do të përdoret për zgjedhje tashmë gjendet  në  depon  e  KQZ-së.  Kemi përfunduar distribuimin e materialit sensitiv. Bartja e këtij materiali do të bëhet nën përcjelljen e policisë. Kanë përfunduar të gjitha trajnimet për KVV. Kemi certifikuar  1782454  votues, ndërsa kemi 30 subjekte me 1235  kandidatë që garojnë në këto zgjedhje parlamentare. Janë 35315  vëzhgues që do të monitorojnë procesin e zgjedhjeve”.

Përfaqësuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, z. Mulë Desku, tha se PZAP është i gatshëm të kryejë të gjitha obligimet që dalin nga ligji. “Mundësia për t’u ankuar është një mekanizëm i rëndësishëm për të mbrojtur procesin e votimit duke vendosur të gjitha ankesat në bazë të ligjit dhe në mënyrë të paanshme”.

Pjesa e diskutimeve me të gjithë pjesëmarrësit nga partitë politike, shoqëria civile, përfaqësues ndërkombëtarë dhe media ishte e fokusuar në rolin e institucioneve të drejtësisë dhe aktivitetet e tyre konkrete dhe poashtu në disa shqetësime si: organizimi i zgjedhjeve ne veri të Mitrovicës, njohja e fletëvotimeve që mund të prishen nga votuesit serbë, të cilët mund të votojnë sipas direktivave të Serbisë, paanshmëria në vendosje të ankesave nga PZAP, bashkëpunimi jo i mirë i policisë me prokurorinë, votat e diasporës, etj.

Ky aktivitet është pjesë e serisë së tryezave të diskutimit në qendrat kryesore të Kosovës, që zhvillohen në kuadër të projektit “Iniciativa për ngritje të efikasitetit të institucioneve të drejtësisë për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike në Kosovë” që përkrahet nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë. Kjo ishte tryeza e tetë dhe e fundit në kuadër të serisë së tryezave të mbajtura në të gjitha qendrat e Kosovës me mbështetjen e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Prishtinë.