Emërimi i kundërligjshëm

Emërimi i kundërligjshëm

Emërimi i kundërligjshëm

21 nëntor 2012 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i bashkohet shqetësimeve të ngritura rreth qasjes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) në procesin e emërimit të Kryetarëve të Gjykatave Themelore. Me datën 21 nëntor 2012, KGJK ka bërë shkelje të kritereve ligjore në emërimin e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në këtë pozitë, KGJK ka emëruar një gjykatës që ka vetëm mandat fillestar dhe jo mandat të përhershëm. Është e palogjikshme që të zgjidhet një kandidat për Kryetar me mandat katër (4) vjeçar përderisa vetë mandatin e tij e ka fillestar prej tre (3) vjetëve, ku riemërimi i tij për mandat të përhershëm mund të konsiderohet vitin e ardhshëm. Po ashtu, kandidati në fjalë nuk ka përvojën menaxheriale e cila kërkohet për këtë pozitë, ku Udhëzimi për Emërimin e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës thekson qartë se “KGJK-ja do të përzgjedh kryetarët e gjykatave themelore bazuar në aftësitë e dëshmuara udhëheqëse duke marrë parasysh përvojën udhëheqëse në mjediset që janë të ngjashme me kompleksitetin dhe sfidat e tjera me të cilat do të ballafaqohet kryetari i gjykatës themelore për të cilën do të bëhet përzgjedhja”. Shpresojmë që KGJK të ketë analizuar dhe kuptuar mirë rolin dhe rëndësinë e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Megjithatë, ndjejmë obligim të theksojmë se vendimi i KGJK-së na bën të shqetësohemi rreth trajtimit që i ka bërë kësaj gjykate qysh në fillim. Gjykata Themelore e Prishtinës, do të jetë njëherësh gjykata më e madhe në vend, me kompetenca ekskluzive në disa fusha, dhe paraqet institucionin i cili do të jetë pasqyrë e gjithë gjyqësorit në vend. Është e pajustifikueshme që KGJK të renditet përkrahë interesave të caktuara duke bërë shkelje të hapura ligjore për emërime të caktuara të cilat do të shkonin në dëm të kësaj gjykate dhe drejtësisë në vend.

Ky veprim i KGJK-së nuk është i izoluar si i tillë, dhe përveç që do të ketë pasoja në të ardhmen, do të paraqet efekte të menjëhershme negative rreth besueshmërisë së qytetarëve. Reforma e tanishme gjyqësore është mirëpritur nga qytetarët, ku edhe sondazhet e opinionit publik tregojnë për rritje të besueshmërisë së qytetarëve në gjykata. Megjithatë, ky veprim i KGJK-së i zbeh përpjekjet për shtimin e besimit të qytetarëve në reformën e tanishme gjyqësore. Njëkohësisht, veprimi i KGJK-së shton zërat për keqpërdorim të pavarësisë në vendimmarrje të pushtetit gjyqësorit. KGJK duhet të kuptoj qartë se krahas pavarësisë, ky institucion duhet të jetë llogaridhënës për veprimet e Këshillit dhe të gjyqësorit.

Në asnjë moment gjyqësori nuk duhet të konsiderohet si pronë private, ngase pavarësia e gjyqësorit nuk është qëllim në vete por synon që të garantoj se të drejtat dhe liritë e individëve realizohen, zbatohen dhe mbrohen nga gjykatës të pavarur dhe të paanshëm. Në raportin e fundit, IKD ka paralajmëruar se rreziku më i madh qëndron në atë se në vendet ku gjyqësori është i kontrolluar nga ekzekutivi apo ku korrupsioni është sistematik, Këshilli Gjyqësor mund të shndërrohet në një pengesë dhe nuk kontribuon në pavarësinë dhe llogaridhënien e gjyqësorit. Andaj, kjo situatë e krijuar në përfundim të emërimeve të Kryetarëve siç parashihen me ligjin e ri për Gjykatat më së paku i kontribuon tranzicionit të mirëfilltë dhe krijimit të kushteve për një nismë të mbarë në implementimin e ligjit për Gjykata dhe reformave në drejtësi. IKD sugjeron që KGJK të mblidhet dhe të rishqyrtoj vendimin e marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe kushtetuese duke bërë përzgjedhje të Kryetarit të bazuar plotësisht në ligj dhe të drejtë.