IKD reagon ndaj emërimeve pa kritere për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese

IKD reagon ndaj emërimeve pa kritere për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese

IKD reagon ndaj emërimeve pa kritere për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese

30 maj 2012 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka përcjellë me kujdes procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të cilët do të votohen nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për t’u emëruar më pas nga Presidentja e vendit. 

IKD shpreh shqetësimin në lidhje me disa nga kandidaturat e përzgjedhura nga Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidaturave për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Pa shtjelluar procesin i cili është mbajtur larg syve të publikut dhe mediave dhe ndikimet politike në përzgjedhjen e kandidatëve aktual për gjykatës kushtetues, IKD beson se cilësia profesionale dhe kredibiliteti personal dhe i pavarur nga ndikimet politike të disa prej kandidatëve të përzgjedhur është i pa pranueshëm për nivelin e kërkuar për Gjykatën Kushtetuese dhe detyrave që ata duhet të kryejnë gjatë mandatit të tyre. Disa prej kandidatëve të përzgjedhur për t’u votuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, janë figura të afërta dhe kanë qenë bartës të funksioneve të pastra politike sidomos gjatë viteve të fundit. 

IKD nuk pajtohet assesi me përzgjedhjen e kandidaturave, të cilët në rast se do të votohen dhe emërohen nga Presidentja e Republikës, me nivelin e tyre të dëshmuar profesional në fushën e drejtësisë nuk do të mund të jenë bartës të denjë të mbrojtjes së kushtetutshmërisë në Kosovë. IKD vlerëson se kandidatët që duhet ofruar për votim para të zgjedhurve të popullit duhet të reflektojnë nivelin më të lartë të profesionalizimit nga fusha e drejtësisë në Kosovë dhe se vetëm kandidatët e tillë meritojnë mandatin e gjykatësit në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. 

IKD shpreh shqetësimin e thellë sesi ka mundësi që nga gjithë komuniteti i juristëve që ka Kosova, për Gjykatën Kushtetuese të propozohen këto kandidatura para Kuvendit të Republikës së Kosovës. Përfundimisht, IKD sugjeron deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të mos bien nën ndikimin e kalkulimeve politike, përmes të cilave do të votojnë për emërim, kandidatë për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese, vendimet e të cilëve në të ardhmen mund të jenë të dëmshme dhe të pariparueshme, duke rrezikuar sigurinë juridike, stabilitetin politik dhe social të vendit.